Vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka qenë “e paramenduar”, citohet të ketë thënë prokurori publik i Arabisë Saudite.
Provat për këtë erdhën nga një task-forcë e përbashkët e Arabisë Saudite dhe Turqisë, raportoi transmetuesi saudit al-Ekhbariya, duke cituar prokurorin.
Raporti gjithashtu theksoi se prokurorët po merrnin në pyetje të dyshuarit si rezultat i hetimit të përbashkët.
Arabia Saudite fillimisht ka mohuar se ka dijeni për vendndodhjen e Khashoggit, i cili është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.
Riadi më pas e ka pranuar se Khashoggi është vrarë në konsullatë, si pasojë e një operacioni të marrjes në pyetje, i cili “ka shkuar keq”.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Arabisë Saudite raportoi të enjten se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, u zotua të mërkurën se do t’i ndëshkojë përgjegjësit, por disa media cituan burimet turke të sigurisë duke thënë se operacioni i marrjes në pyetje është drejtuar nga një ndihmës i lartë i princit.
Arabia Saudite gjithashtu shkarkoi dy këshilltarë kryesorë të princit dhe arrestoi 18 vetë.
Njoftimet e fundit nga Arabia Saudite pasojnë raportet e mediave amerikane se drejtorja e CIA-s, Gina Haspel, ka dëgjuar disa audio-incizime që besohet se dëshmojnë vrasjen e gazetarit.
Haspel u lejua të dëgjonte audio gjatë një vizite në Turqi më parë këtë javë, thanë njoftimet.
Menjëherë pas vrasjes më 2 tetor, media turke citoi zyrtarët të thoshin se kishin regjistrime audio të marrjes në pyetje dhe vdekjes nga Khashoggi, por nuk dha detaje rreth përmbajtjes apo se si ishte marrë audio. (TemA TV)