Pas incidentit në Bularat, ku një banor i fshatit mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, Jari vendosi më në fund të bënte një postim patriotik.
Duke qenë se ka qenë dhe vetë ministër i Brendshëm, dhe duke pas paraysh që Doktori vrau katër vetë më 21 Janar, pa paralajmërim, atëhere vendosi që rruga më e mirë për ta mbrojtur Doktorin ishte paralelizmi me Bularatin.
Dhe u ul e shkruajti:
“Ngjarja në Bularat është një përgjigje dinjitoze e policisë ndaj një njeriu të armatosur.
Kur një njeri i armatosur hap zjarr mbi policinë, e vetmja përgjigje është ajo që i dha policia jonë.
Sic ka thënë dhe Doktori, në raste të tilla, “jo një, por dhe një mijë vetë të jenë, të gjithë duhen vrarë”.
Ne më 21 janar kishim një situatë të ngjashme, por jo me kallashnikov, por me çadra pistoletë, dhe Doktori urdhëroi menjëherë hapjen e zjarrit.
Në rastin konkret fakti ishte më i dukshëm dhe kundërpërgjigjia me zjarr është e provuar.
Kjo e bën legjitime kundërpërgjigjen e policisë.
Dyshimi jonë është se kjo ngjarje është fabrikuar nga Cipras, që ai të penalizojë Shqipërinë, dhe si rrjedhim ne të firmosim marrëveshjen e detit, duke i kërkuar ndjesë për vrasjen e këtij ekstremisti.
Por ne nuk duhet të dorëzohemi”.
Reagimin Jari e kishte bërë gati për ta postuar, por priti si zakonisht reagimin e Doktorit.
Kur më në fund Doktori foli!
Reagimi i tij ishte krejt e kundërta e Jarit.
Ai dënoi vrasjen nga policia shqiptare dhe thoshte se policia duhet të vazhdonte të negocionte.
Jari u shqetësua shumë.
Mori Lulin në telefon dhe i shpjegoi situatën.
I shpjegoi dhe reagimin e Doktorit.
-Doktori ka të drejtë, i tha Luli.
-Po ne më 21 janar nuk i paralajmëruam fare, i qëlluam direkt dhe pse ishin pa armë, i tha Jari.
-E ke gabim, tha Luli. Ne i vramë dy orë pasi filloi demonstrata.
E gjithë ajo kohë quhet paralajmërim.
Ata e vranë pas gjysmë ore negociatash.
Duhet të bënin dy orë.
-Kuptova qartë, tha Jari, dhe nxorri me urgjencë reagimin duke e grisur në copa të vogla të mos e lexonte njeri.
Pas kësaj, i dërgoi një sms Shpëtim Idrizit.
-O vëlla, për atë reagimin s’u bë gjë.
Doktori thotë ka të drejtë Dulja. Ma bë hallall.
Uniteti i koalicionit ka më shumë rëndësi se një i vrarë.