Jari sot u zgjua i raskapitur, ngaqë i kishte marrë shumë kohë dhe energji dje shkrimi i një qëndrimi të rreptë politik për dorëheqjen e Xhafajt.
Por më shumë e kishte lodhur vërshimi i telefonatave dhe mesazheve të demokratëve të paqartë, që i kërkonin të shpjegonte çfarë kishte dashur të thoshte autori.
I mërzitur shumë, ngaqë ky moskuptim po i kthehej në fenomen kronik, i hodhi një sy lajmeve të mëngjesit dhe befas sytë i shkëlqyen nga gëzimi.
I tërhoqën vëmendjen dy lajme, që kishin në epiqendër Edi Palokën dhe Çim Pekën, dhe u ndje i lehtësuar. “Opozita nuk ka vdekur, por ka ende shpresë”, mendoi vetëtimthi, dhe nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:
“Të nderuar miq, Jari iu informon!
1-Së pari, dua të falenderoj zotin Edi Paloka për solidaritetin e treguar me mua në sulmin kundër ministrit të ri të krimit dhe të mafias, Sandër Lleshi.
Sepse ai, jo vetëm është i pari nga udhëheqësit e PD, që e sulmon atë maskarain që deshi të më zinte vendin e punës, kur Doktori donte të më bënte president para 6 vjetësh, por mbi të gjitha është edhe katolik, ndaj i ngjit fjala më shumë.
Ja kishte përplasur mirë në fytyrë atij Gjekmarkajt, i cili, pavarësisht se kishte folur mirë për mua, është një katolik i poshtër, që mburri Sandër Lleshin.
Me këtë që bëri, ia bëjmë hallall bixhozin, bastet, rakinë, lidhjet e hershme me “të fortët”, dhe sidomos lekët që u merrte njerëzve për çdo vend pune, kur ishte kryetar i grupit të punës së PD në Qarkun e Lezhës.
Më dridhet mishi tani kur e mendoj që ky burrë kaq i lartë ishte në fije të perit për deputet në dy zgjedhjet e fundit.
Më 2013-ën më duket se e shpëtoi Jozefina, sepse Doktori thoshte ma hiqni fare të mos e shoh më këtu atë pis.
Ndërsa vjet, në zgjedhjet e 2017-ës, shpëtoi për qime se edhe Luli nuk e donte, ndaj e çoi në zgrip të listës në Durrës.
Por nuk thotë kot populli që jetëgjati nuk bëhet dot jetëshkurtër.
Koha i dha të drejtë Palokës, sepse zotësia dhe karakteri vjen një ditë e shpërblehen.
2-Sot gjithashtu kam ngelur i impresionuar nga një analizë e Çim Pekës për ngjarjen e Bularatit, që e shpjegonte vrasjen e ekstremistit vorio-epiriot nga policia shqiptare si një komplot të organizuar nga kryeministri grek Cipras, në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën.
Vetëm një inteligjencë e lartë dhe një fantazi sipërore mund të arrinte në këtë përfundim, të cilin nuk kishte guxuar ta mendonte as vetë Doktori.
Ndaj ju ftoj të gjithëve që të lexoni më shumë shkrimet e Çim Pekës, nëse doni të zbuloni se çfarë fshihet pas kulisave të politikës në Tiranë, rajon e më gjerë.
Me këtë rast, bëj një autokritikë të fortë që nuk e pikasa vetë kur isha president, për ta marrë gjithnjë me vete, kudo që të shkoja, dhe për ta pasur këshilltar të përhershëm, siç po ndodh me pasardhësin tim.
Po unë atëherë mendoja se është më i rëndësishëm Fahri Balliu, i cili më solli djalin, ngaqë atë vetem kishte pa punë nga njerëzit e shtëpisë.
Merita e Fahriut ishte se ishte mik njëkohësisht edhe me Doktorin, edhe me Ilir Metën, dhe kjo më dukej e pankokurrueshme.
Por ky Çim Peka më ka befasuar.
Ndaj mos i humbni asnjëherë shpresat, që Luli nuk ka njerëz.
Fitorja po afron.
I juaji, Jari!”
Mero, je i madh. Kushedi si ndjehet Jari me jaralanhet qe ka rrotull kur lexon keto perla sarkazme.
Mero i papame me reklamen qe i ben Jarit.E dime.qe e ke dobesi por deri ketu.Ke pare ti qe eshte bere i pamshem.Ja kalon Ilirit.Edit po deshe dhe Fariut.