Luftëtari fundos gjithnjë e më shumë Tiranën. Në Gjirokastër duelin e drejtpërdrejtë për t’iu larguar zonës së ftohtë e fituan bluzinjtë e Gentian Mezanit që i shkaktuan humbjen e 3-të në 5 takime Ardian Memës në stolin e bardhebluve me trajnerin e ri që numëron dhe 2 barazime dhe nuk njeh ende fitore.
Një sukses me përmbysje ai i Luftëtarit që u ngjit në kuotën e 13 pikëve duke u larguar me 5 pikë nga zona e rënies nga kategoria.
Vazhdon kriza e Tiranës që nuk i mjaftoi as goli i Sentamut në pjesën e parë për të marrë pikë në këtë sfidë. Ashtu si ndaj Teutës edhe këtë herë bardheblutë u përmbysën në pjesën e dytë me Luftëtarin që gjeti dy herë rrugën e rrjetës, fillimisht me Vasil Shkurtajn në fillimin e pjesës së dytë nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas sulmuesin Dunga që 2 minuta para fundit të kohës së rregullt i dha fitoren skuadrës së Mezanit.
Bëri autokritikë Kastrioti që pas shumë javësh pa marrë pikë, mposhti 3-0 Kamzën në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, duke e zhytur në një krizë të thellë skuadrën nga periferia e kryeqytetit që është edhe pa trajner dhe duke e ngushtuar në një pikë diferencën mes tyre në renditje. Braziliani Roger me 2 gola dhe Okebugu me finalizimin e tij i dhanë një fitore shprese Kastriotin që tashmë beson te mbijetesa.
Asnjehere Tirana nuk ka qene me keq se kete vit! Une per vete mendoj se ne fund te sezonit do bjere serish ne kategorine e pare, Refik Halili duhet ta lere urgjentisht ekipin; le ta marre ndonje me para, qe ta ngreje sa me shpejt (vitin qe vjen, pasi ky vit iku). Une nuk shoh asnje zgjidhje! Situata eshte me dramatike se kurre! Ne ndeshjet e mbetura, nuk pritet te fitoje asnje ndeshje. Ky eshte mendimi im!