Në kuadër të realizmit të projektit AMBIENT I PASTËR, KULTURË DHE QYTETËRIM, mbështetur nga AMSHC, Qendra “Shqipëria Europiane” zhvilloi një sërë takimesh në qytetet Durrës, Elbasan, Vlorë, Gjirkostër e Korçë. Në një prej këtyre takimeve, Prof. Dr. Dhimitër Doka, pedagog në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Gjeografisë, mbajti kumtesën “Njeriu dhe natyra, tranzicioni dhe ndikimi në demografinë e qyteteve kryesore”
Që nga viti 2000 në kuadër të ”European Landscape Convention“ peizazhet natyrore dhe kulturore të çdo vendi që janë pjesë të trashëgimisë evropiane vlerësohen si kontribues të identitetit evropian dhe dëshmi të cilësisë së jetesës (Council of Europe 2000)
Marrëdhëniet e vazhdueshme midis njeriut dhe hapësirës kanë krijuar dhe vendosur raporte të caktuara edhe në hapësirën shqiptare…
Ka disa mënyra për t’i perceptuar dhe analizuar këto raporte dhe ndryshimet që kanë ndodhur, siç janë:
– Materialet e shkruara dhe botimet e ndryshme,
– Hartat e ndryshme,
– Pamje nëpërmjet fotove të ndryshimve të peizazhit nga nderhyrjet e njeriut.
Gjurmët dhe trashëgimia në peizazhin shqiptar
Në pamjen e peizazhit tonë kulturor për rreth 2500 vite pa pushim kanë lënë gjurmët e tyre kultura dhe popuj të ndryshëm, duke filluar me ilirët, grekët e lashtë, romakët, bizantinët, sllavët, venecianët, otomanët, e deri tek gjurmët e periudhës së historisë sonë moderne, me atë të mbretit Zog, periudha e komunizmit dhe ajo tranzicionit pas vitit 1990.
Pasuria jonë kulturore e ardhur nga periudha të ndryshme gjendet e shpërndarë në gjithë territorin e vendit. Kulmin e saj e përfaqëson padyshim ajo që tashmë është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, siç janë: Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, por edhe Kodikët e Beratit dhe Polifonia Labe.
Tranzicioni shqiptar dhe roli i migrimit në hapësirë
Me përjashtim të rajonit të kryeqytetit e, në përgjithësi ai Perëndimor, të gjitha rajonet e tjera të vendit janë karakterizuar nga largime te shumta te popullsisë. Kjo ka bërë që zonat malore, vendbanimet rurale dhe ato të vogla qytetare, të braktisen e rrënohen, ndërsa rajoni i kryeqytetit, sidomos Tirana, të mbipopullohet.
Migrimi në tërësi, dhe ai i brendshëm, në veçanti, duke filluar qe nga vitit 1990 ka qenë tepër masiv:
– rreth 1.5 milion te larguar jashte vendit;
– mbi 1/2 kanë ndërruar të paktën një herë vendbanimin midis viteve 1989 dhe 2001.
Migrimi nuk konsiderohet më sot thjesht si një lëvizje nga A në B, por, përfillet si një faktor me shumë pasoja. Aq më tepër për Shqipërinë e pas 1990-ës: shumë i shpejtë dhe kaotik dhe interpretohet qoftë si nevojë e mungesave strukturore ashtu edhe si mungesë e nevojave individuale.