Jari sot u ngrit i ngazëllyer dhe me besim më të fortë në fitoren që po afrohet.
Deklarata e “komandantit të Përgjithshëm” për protestën e “Astirit”, ia kishte shtuar shumë entuziasmin.
Me këtë rast i mbyllte gojën edhe atyre që thonin se ai nuk kishte bërë gjënë e duhur me dekretimin e Xhafajt para dy vjetësh.
“Ta shohin tani ata si po më kopjon mua presidenti aktual, që do të thotë se modeli im në shërbim të Doktorit ka qenë i duhuri”, mendoi, dhe nisi të shkruajë pa humbur kohë këtë mesazh:
“Të nderuar miq, Jari iu sqaron!
Më në fund presidenti ynë i dashur e kuptoi që unë kam qenë një precedent i mirë.
Njësoj si unë që lashë të gjitha punët dhe shkova vetë të protestoj kundër “Këndit të Lojërave” tek Liqeni, edhe “komandanti i Përgjithshëm” ka vendosur të reagojë fuqishëm.
Nuk është e largët dita që atë do ta shikojmë duke djegur goma makine dhe flamuj të “Rilindjes”, në krah të protestuesve të “Unazës së Re”.
Me këtë rast, ai do të çmallet edhe me lagjen e dikurshme të shtëpisë së gruas së tij, në vend të së cilës u ndërtua një pallat, por atë nuk e kap plani i prishjeve, siç zuri pallatin e Lulit në Vlorë.
Paralajmërimi i ashpër i presidentit vjen në të njëjtën ditë që kryetarja e LSI vendosi të mbathte çizmet dhe të dilte në mal bashkë me drejtuesit e tjerë të opozitës, për t’ia lënë popullit në dorë revolucionin dhe përmbysjen e kësaj qeverie të korruptuar.
Nuk thonë kot që rastësia është mbreti i botës, ndaj ne duhet ta shfrytëzojmë më së miri këtë koincidencë të habitshme, që ka frymëzuar njëkohësisht si “komandantin e Përgjithshëm”, ashtu edhe kryetaren e LSI-së.
Por pavarësisht se zonja jo e parë Mona, thotë se edhe Luli do të dalë në mal bashkë me të për t’ia lënë popullit drejtimin e kryengritjes, kjo është thjesht një taktikë për të çorientuar qeverinë e drogës dhe të krimit.
Sepse Luli nuk do të vijë me ne të tjerët, por do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të mos lejuar të kalojë asnjë tender dhe koncension pa paguar pjesën, sado që të zgjasë beteja për rrëzimin e plotë dhe përfundimtar të Edi Ramës.
Sepse lufta do të jetë e gjatë dhe e ashpër, dhe si e tillë, ajo ka nevojë për shumë lekë.
Për këtë operacion ka dhënë tashmë miratimin edhe Doktori, ndaj edhe zbatimi i tij është çështje ditësh.
Në ditën e parë të fitores së revolucionit është vendosur të lirohen menjëherë nga burgu si të pafajshëm Dashamir Gjika dhe Dritan Shorja, dhe në vend të tyre të arrestohen dhe dënohen si kriminelë të rrezikshëm Vangjush Dako dhe Taulant Balla.
Për hapat e mëtejshëm do t’ju informoj në kohë reale.
I juaji, Jari!”