Pas reagimit të Doktorit, i cili konsideroi se “Komandanti i Përgjithshëm” ka të drejtë të të thërrasë në takim dhe kur nuk i shkon, ai ka të drejtë të mos të të dekretojë, Jari vendosi të kërkojë ndjesë për mbështetësit e tij lidhur me interpretimin që i kishte bërë kësaj gjëje më pare:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Siç e dëgjuat dhe nga Doktori, “Komandanti i Përgjithshëm” ka të drejtë të mos e dekretojë zotin Lleshi, pasi janë raportet Gjeneral – Komandant i Përgjithshëm.
Ne presidentët e tjerë, që nuk e kemi bërë këtë, nuk kemi qenë në pozita të njëjta.
Fjala vjen, presidenti Mosiu, siç ka thënë dhe Doktori, ishte pensionist dhe nuk mund të merrte vendime të mëdha.
Bamiri ishte horr bulevardi dhe nuk i lejohej të kundërshtonte, përveçse me heshtje.
Unë po ashtu nuk kam pas nevojë të kundërshtoj ndonjë herë Doktorin, se më përputheshin mendimet, kurse me Ramën kam kundërshtuar sa kam mundur, përveç emërimit të ministrave.
Tani në rastin e Lleshit është histori tjetër.
Ky është gjeneral dhe gjenerali ka probleme të tjera me dikë që është komandant i Përgjithshëm.
Për këtë arsye, komandanti i Përgjithshëm i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes të mësojë mbi veprimtarinë e tij duke ju përgjigjur 50 pyetjeve.
Pyetjet janë të gjithanshme, d.m.th të tipit: Kur çohej në mëngjes, a vinte qafore, a i llustronte këpucët, a futej në rresht në mencë, a ishte tek betimi i flamurit, a nderonte eprorët rrugës etj, pyetje që kanë të bëjnë me jetën e ushtarakut.
Ndërkohë, komandanti i Përgjithshëm duhet të informohet dhe për veprimtarinë e tij, ndërkohë që ka qenë me Ramën këshilltar.
Ai i ka kërkuar shefit të kuadrit të Kryeministrisë, të dijë si i flasin në korridore Lleshit.
Nëse i flasin zoti Lleshi, ok, nëse i flasin gjeneral, atëhere është në shkelje të ligjit.
Po ashtu, do të merret një relacion dhe nga vendet ku ai ka kryer shkollimin, në Austri, Gjermani dhe SHBA, për sjelljet e tij atje.
Në përfundim të këtyre do të bëhet një rezume dhe do të raportohet për jetën e tij.
Nga mënyra se si ai do sillet deri atëhere, do të vendoset fati i tij.
Sipas gjithë informacioneve, Lleshi kërkon dekretim shpejt, se i ka ardhur një ftesë për në SHBA, por nuk mund të shkojë si zëvendësministër.
Kjo është një arsye më shumë që komandanti i Përgjithshëm mos ta dekretoj.
Amerikanët po të duan le të ftojnë komandantin e Përgjithshëm.
Ata nuk ka pse ftojnë një gjeneral në pension.
Janë pikërishtë gjithë këto komplikime që e bëjnë të ndryshme çështjen e dekretimit të gjeneralit, nga çështja ime, ndaj dua që të mos krijohen keqkuptime sikur unë kam qenë dezertor.”
Mero ! Kam lexuar plotesisht vepren d Kadarese. Por besoj se kam lexuar me shume se ai vetem ty.Vazhdo,,,,,,.Je i papare.Nje lexues