Jari këshillon Mulin për debatin me Fevzon

7 Nëntor 2018, 19:38Antena TEMA

Pas debatit të djeshëm në emisionin “Opinion”, ku Muli shpërtheu kundër Fevzos, edhe pse ja mbyllën mikrofonin, Jari u ndje keq.

Imazhi i keq i Mulit është imazh i keq për çdo ish- ministër të Brendshëm të PD dhe Jari e ndjeu për detyrë t’i japë disa këshilla, për të cilat njoftoi dhe mbështetësit e vet:

“Të dashur demokrat!

Jari ju sqaron!

Ajo që ndodhi dje në emisionin “Opinion”, nuk është vetëm faji i Mulit.

Ne të gjithë duhet ta këshillojmë para se të dalë në TV.

Aq më tepër që dje ka munguar dhe Luli, dhe nuk kishte kush ta këshillonte.

Nga pikëpamja ligjore unë mendoj se Muli duhet ta kishte trajtuar çështjen si një grusht shteti të disa nëpunësve të Metës kundër tij, pasi Meta nuk ka kthyer dekretin mbrapsht, por një zëdhënës i tij, i ka shkruar një letër kryeministrit dhe i ka thënë që presidenti nuk është ende i bindur.

Kjo është t’i marrësh presidentit kompetencën e kthimit të dekretit mbrapsht dhe si e tillë, është grusht shteti.

Nëse Muli do ta kishte trajtuar në këtë formë, atëhere dhe kryeministri nuk do të kishte më gojë të sulmonte Metën apo mua në fjalimin e tij.

Nga pikëpamja etike, Muli mu duk mirë. Edhe pse ja kishte hequr zërin nga mikrofoni Fevzo, ai e kishte atë aq të forte, sa përsëri e bënte efektin e vet në sallë.

Nga pikëpamja kulturore nuk besoj se ka ndonjë vërejtje, pasi Muli ka një përparësi që ne të tjerët nuk e kemi.

Atë nuk ke ku e kap nga kultura, se nuk ka.

Kështu që i mund të gjithë në këtë pikë.

Edhe sa i përket mënyrës se si Fevzo tentoi ta poshtërojë, duke i thënë që ti nuk përfaqëson opozitën, apo që ti je i shitur tek qeveria dhe krimi, besoj se Muli ja doli të ishte fitimtar, pasi Muli vërtet mund të ketë bërë pazare të vogla me ndonjë ministër apo deputet të PS, por me Ramën nuk ka bërë kurrë, dhe atij nuk i ka bërë kurrë mesazh, ndaj dhe Rama e sulmon, se është xheloz.

Kurse Fevzo ka lidhje direkt me Ramën.

Me këtë rast dua t’i them dhe unë dy fjalë për Ramën dhe fyerjet ndaj meje.

E kam vënë re se disa herë se ai ka përmendur mustaqet e mija dhe tallet, por bën kujdes të mos shkojë në ekstrem.

Edhe këtë radhë tha që “Jari hyri si burrë me mustaqe dhe doli si burrë pa mustaqe.”

Unë po prisja me padurim të thoshte “të dhjevsha mustaqet”.

Sikur ta kishte thënë atë, pastaj të gjente vend e të futej, se nuk kisha për t’ia falur kurrë.

Por me sa duket, ai ma njeh kokën dhe nuk guxoi.

Mendoj se debati i Mulit me Fevzon duhet të shërbejë si një rast për të na mobiluzar më shumë, që në debate të tilla kur vjen fjala për ministër të Brendshëm ta bëjmë diferencën me shembuj konkretë.

Dhe diferenca mes Mulit dhe Lleshit është e dukshme.

Lleshi nuk të mund dot me katër gjuhë të huaja, Muli të mund me katër fjalë që përdor gjithësej.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje