Jari sot u ngrit i mërzitur dhe me kokën e rënduar, shumë më vonë se orari i dikurshëm i fiqve. Zbutja e mëtejshme e “Komandantit të Përgjithshëm” për dekretin e Sandër Lleshit i kishte krijuar idenë demokratëve se Presidenti ishte bërë pishman dhe do ta miratonte kësaj radhe.
Nga ana tjetër, policia kishte arrestuar për drogë një doktor shkencash të departamentit të Ekonomisë të Partisë Demokratike, një nga “yjet në ngjitje” të Lulit.
“Duhen mbajtur me shpresë njerëzit se këta tanët dekurajohen shpejt”, mendoi dhe shkroi mesazhin e mëposhtëm:
Të nderuar miq, Jari ju sqaron.
1-Ruani qetësinë dhe mos u mërzisni para kohe se Presidenti nuk do të na lërë në baltë, edhe pse shenjat janë të këqija.
Për këtë çështje i kërkova takim vetë Fahri Balliut, i cili është krahu i tij i djathtë dhe mbulon marrëdhëniet brenda koalicionit të ëndrrave. Ai më tha që “Komandanti i Përgjithshëm” jetën e jep dhe dekretin nuk e jep.
Jo për gjë, por nuk e bën dot hasha mbështetjen e Doktorit, që duroi 10 ditë, por pastaj i doli në krah kur tha se kreu i shtetit është shumë i rëndësishëm dhe mund të bëjë çfarë të dojë me dekretet.
Bëjnë përjashtim vetëm rastet kur Presidenti është “horr bulevardi” dhe kur ai i ngul thikën pas shpine familjes ose partisë së Doktorit.
Edhe Qim Peka është optimist, por besimin më të madh ma krijon një shkrim i Tur Zhejit që thotë se duhet ta harrojnë ata që kujtuan se do ta vrisnin në gjumë Presidentin.
Fahriu me tha se të gjithë fajin e kanë ata të “Rrugës së Elbasanit”, por kjo nuk duhet të dalë, sepse ne u kemi thënë njerëzve që me ambasadorin e kemi pasur personale. Tani që ai ka ikur, i bie që problemin e kemi me Amerikën.
2-Ky arrestimi për drogë i atij profesorit të Ekonomikut nuk duhet të na e lëkundë besimin tek Luli dhe tek fitorja që po afron.
Sepse asgjë nuk është ashtu siç duket. Sa herë kapet ndonjë socialist ose rilindas është e sigurt që ai është i lidhur direkt me Edi Ramën, përveçse me Taulant Ballën.
Por sa herë kapen këta tanët, ose kanë qenë të gënjyer, kur janë marrë me mall, ose janë të infiltruar nga qeveria e krimit dhe e drogës për të na bërë edhe ne pis.
Ndaj Luli bëri mirë që nuk u distancua nga profesori, sepse ende nuk e dimë tamam cilës kategori i përket ai. Aq më tepër, kur për këtë rast nuk ka thënë asnjë gjysëm fjale dhe qytetari digjital, i cili njeh bythën e dreqit dhe nuk lë njeri pa e përfolur.
Siç ka thënë dhe Albana Vokshi ditët e burgut janë monotone dhe ne nuk kemi pse ia prishim qetësinë profesorit, i cili mund të dalë shpejt prej atje dhe të na bëhet pastaj i madh tek qeveria e Lulit. Fitoren e kemi përpara.
I juaji Jari!