Me gjithë përpjekjet e mëdha të Jarit dhe të yjeve në ngjitje të shtypit pranë SHQUP-it, demokratët nuk po e kalojnë lehtë tërheqjen me turp të Komandantit të Përgjithshëm për dekretin e Lleshit.
Në tavolina, në rrugë dhe në rrjetet sociale ka shpërthyer një valë e fortë urrejtjeje për LSI-në njësoj si në kohërat e vjetra dhe kjo e ka ulur shumë besimin për fitore të opozitës.
Duhen mbajtur me gajret njerëzit, se po na rrëshqet situata, aq më tepër që edhe Doktori duket i xhindosur, mendoi Jari në mëngjes dhe shkroi këtë mesazh:
Të nderuar miq, Jari ju sqaron:
Ardhja e konservatorëve anglezë në Tiranë është një lajm shumë i mirë për opozitën. Ata i treguan Lulit se si ta bëjë listën e deputetëve dhe të kryetarëve të bashkisë, në mënyrë që mishin të piqet dhe helli të mos digjet. Tani “armiqtë e egër” të partisë sonë, që i kanë futur thikën pas shpine asaj, Jozefina, Ridvani, Astriti, Majlinda, Besniku, Ben Imami, Igli Cara me kompani nuk kanë çfarë thonë se, në asnjë rresht nuk do të shkruhet që në përzgjedhje do të përzihet kunati i Lulit me Zenin.
Problemin e vetëm që kemi tani është se para një viti i kishim demokratët, por nuk i lamë të votonin dhe të zgjidhnin njeri, kurse tani i kemi gjetur kandidatët, por nuk po gjejmë njerëzit për t’i votuar, se shumica na kanë ikur. Por do bëjmë si bëjmë për këtë punë që Endri Hasa ta nxjerrë rezultatin në përputhje me lekët që do paguajë secili, njësoj siç e bëri kur u zgjodh Luli për herë të dytë, pas një beteje për jetë e vdekje me Eduard Selamin.
Shqetësimi i dytë është për këtë Vettingun e politikanëve që Luli me Doktorin e kanë nxjerrë si sebep për të mos shkuar në Parlament dhe për ta vënë nën presion qeverinë. Na e ka prishur pak planin ai Komisioni i Venecias, që ka thënë se do të vijë në Tiranë dhe do të shprehet nga mesi i Dhjetorit për atë çështje. Frika është se ata pleqtë e Europës do të thonë që ajo punë nuk bëhet dhe se PD dhe LSI duhet të kthehen në Parlament pastaj.
Por edhe po të thonë që duhet bërë Vettingu kemi hall se e pranon Edi Rama dhe i bie që prapë të kthehemi në Parlament. Për t’i dalë të keqes përpara është ngarkuar një grup “skifterësh” sypatrembur që do të fillojnë që tani të përgatisin opinionin kundër të huajve që fusin hundët në punët tona, të cilët janë të gjithë agjentë të Sorosit. Këtu nuk bëjnë përjashtim as ata të Komisionit të Venecias, që janë të paguar nga Edi Rama me lekët e krimit dhe të drogës. Në këtë grup do të bëjnë pjesë Petrit Vasili, Myslim Murrizi, Gent Strazimiri, Ylli Manjani, Fahri Balliu, Qim Peka dhe Enver Bytyçi. Kryetar është caktuar Petrit Vasili për merita të veçanta në këtë fushë, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë Fahri Balliu, si figurë e besueshme dhe neutrale mes PD dhe LSI.
Ndaj mos u dekurajoni se opozita është e bashkuar dhe fitorja po afron.
I juaji Jari!