Pendimet e një ambasadori

28 Nëntor 2018, 13:53Politika TEMA

Nga Alqi Koçiko

Kur flitet për përfaqësuesit më të lartë amerikanë në Tiranë, qoftë dhe për ish të tillët, kjo nuk është një intervistë e zakonshme. Sepse ish ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, flet si dy herë ish: Nuk është më diplomat, dhe as pjesë e administratës amerikane. Ndaj mund të flasë “pa arra në gojë” për disa dukuri e personazhe, në Shqipëri ku padyshim ka lënë gjurmët e veta, por edhe në SHBA.

I ndodhur në Tiranë për t’u nderuar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Për merita të veçanta civile”, zoti Arvizu flet kë këtë intervistë ekskluzive për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe aktorët e politikës së këtushme; për zhvillimet shqiptare në këndvështrimin e tij, Shqipërinë dhe rajonin, Ballkanin dhe BE-në, e padyshim për çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

-Zoti Ambasador, faleminderit për këtë bisedë. Edhe pse misioni juaj diplomatik në Shqipëri ka mbaruar prej gati katër vitesh, keni pohuar se nuk keni humbur kontaktet me vendin. Keni ardhur herë të tjera, keni dhënë intervistë, bisedoni shpesh, siç keni thënë, “me miqtë shqiptarë”. Çfarë peshe kishte “puna shqiptare” për ju?

-Personalisht, por edhe profesionalisht ka qenë një detyrë shumë e rëndësishme, dhe shumë kuptimplotë, sepse përbënte pozicionin më të lartë që kam mbajtur gjatë angazhimit tim në Departamentin e Shtetit. Kam qenë për mbi 36 vjet nëpunës karriere në shërbimin e jashtëm, me shumicën e stazhit tim në Azi, në katër vende që i kam përmendur edhe më herët. Pasi u largova nga Tirana, isha zv.asistent sekretar në zyrën Ndërkombëtare të anti-narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, një post që më solli nja dy herë edhe në Shqipëri. U largova nga Departamenti i Shtetit në Shtator 2017; më saktë, më dëbuan. Dhe u ftova më pas në qershor 2018 në Departament, të punoja me një projekt lidhur me Azinë. Ishte mision i rëndësishëm, shijova sërish bashkëpunimin me kolegët e vjetër, por e kuptova se tashmë nuk ishte ajo që doja. Ndaj u largova në shtator 2018, dhe që atëherë jam në kontratë me Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, me seli në Uashington D.C, me titullin “bashkëpunëtor i shquar i brendshëm” (resident distinguished fellow). Zyrtarisht jam i punësuar, por filloj në dhjetor, kështu nëse si diplomat nuk e kisha luksin të shpalosja pikëpamje individuale, kjo bisedë është tërësisht private dhe përfaqësoj vetëm pikëpamjet e mia.

-Ky është lajm i mirë për mua, zori Arvizu. Ishit kritik në daljen tuaj televizive të mëngjesit në TCH (e hënë, 26 nëntor) mbi situatën, gjendjen e përgjithshme në Shqipëri, sidomos me humorin e prishur shoqëror, me tendencën e njerëzve për t’u larguar… Duke i ndjekur ngjarjet tona nga një “distancë sigurie”, çfarë gjykoni se ka ndodhur këto katër vjet më Shqipëri: Ka pasur progres, ngecje, kthim pas?

-Një pyetje shumë interesante. Dhe disi e sikletshme. Por tani që e mendoj, mund ta kisha edhe më shumë siklet po të jetoja ende në Shqipëri (qesh).

Siç e shoh unë, besoj se ka patur progres, nëse shikoni Tiranën për shembull. Dhe nuk e kam thjesht për ndërtimet e reja, sheshin Skënderbej të rregulluar, gjelbërimin… Kjo është shumë e këndshme, por s’e kam thjesht për strukturat dhe ndërtimet. Kam kuptuar, p.sh, se ka procedura më të mira për mbledhjen e taksave, si në çdo vend normal. Kjo është pozitive. Kam dërguar ankesa, padyshim, por nëse ankohen ata që nuk paguanin dje dhe e bëjnë këtë sot, kjo kuptohet. Taksat, u them unë, duhen paguar. Pastaj kam dëgjuar edhe për reformat në sektorë të ndryshëm.

Sidoqoftë, në varësi të njerëzve me të cilët flas – dhe ata mund të jenë të majtë, të djathtë apo diku në mes, madje dhe apolitikë – disa thonë se gjërat janë disi më mirë, të tjerë se janë në vend numëro, e disa të tjerë thonë se më keq nuk bëhet. Por ajo që është fakt, është se mbledhja e taksave është vetëm njëra anë e medaljes: Tjetra është se ku shkojnë paratë. Çfarë marrin njerëzit në këmbim?

E pra, kjo pjesë është disi e paqartë për mua. Nuk mund të them se populli nuk merr asgjë mbrapsht, por nuk e di sesa është përmirësuar gjendja si rezultat i mbledhjes më të mirë të taksave. Kësisoj, Tirana e bukur dhe e sistemuar është një gjë, por nëse janë përmirësuar shëndetësia, arsimi, jeta e njerëzve, kjo është relative.

Gjithsesi, ajo që më ka bërë përshtypje është se njerëz të rinj, çifte në të 30-tat me të cilët kam folur, tentojnë largimin. Paradoksalisht mjaft prej tyre janë të mirëarsimuar, madje dhe me punë jo të këqija. Por thonë se nuk shohin të ardhme këtu. Shumë syresh kanë aplikuar edhe për “vizë diversiteti” në SHBA, të tjerë po shqyrtojnë mundësitë në Europën Perëndimore… Mbase kjo që po them nuk është “shkencore”, pasi nuk mund të quhen mostër sondazhi ata 20-30 vetë me të cilët komunikoj. Por bëj habi sesi kaq shqiptarë të talentuar që njoh, duan të ikin. Secili për arsyet e vet, thonë se janë të acaruar; por emëruesi i përbashkët është mungesa e shanseve për të bërë përpara këtu në atdhe.

-Zoti Arvizu, Shqipëria po hyn në një periudhë kyçe sa i përket rrugëtimit europian: në mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit Qershorin e ardhshëm. Për ju si diplomat amerikan – ose dhe si vëzhgues – duke parë dhe zhvillimet e fundit politike në Europë dhe duke njohur stadin aktual të Shqipërisë, sa e mundshme është një përgjigje pozitive?

-Së pari, është e qartë se për shkak të përkimit me zgjedhjet e BE-së, kjo është një dritare kohore tejet e rëndësishme për Shqipërinë. Nëse e humbisni – edhe për shkak të tendencave politike europiane që ju përmendët – ka për të qenë shumë e vështirë, e me siguri do të marrë shumë kohë.

Prandaj, po. Unë shpresoj shumë që Shqipëria të marrë hapjen e negociatave anëtarësuese. Por edhe BE-ja po kalon shumë ndryshime. Një prej anëtarëve më kyçë po largohet së shpejti.

Ndaj le të jemi të sinqertë: Sa kohë është bërë që njerëzit flasin për integrim, anëtarësim, standarde etj? Gati një çerekshekulli. Nuk ka për të ndodhur shpejt. Mendoj se shqiptarët duhet të bëhen realist se kjo do të zgjasë. Unë e kujtoj që është e rëndësishme të arrish etapat, standardet, të realizosh këtë dhe atë reformë etj., por unë u them njerëzve se moment kyç për Shqipërinë ishte zyrtarizimi si vend kandidat i BE-së. Dhe si mik i Shqipërisë them se më e rëndësishme është cilësia e trajektores që po ndiqni, jo afatet kalendarike. Domethënë, se shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, alternativë tjetër, përveç asaj Perëndimore, thënë ndryshe, marrëdhënia special me SHBA-në dhe integrimi europian. Dikush në Europë mbase nuk e do këtë, por s’kanë ç’bëjnë. Destinacioni juaj është i pashmangshëm, ndaj këshilla ime për qeverinë, opozitën, njerëzit është të punojnë shumë, të bashkëpunojnë dhe të mos dekurajohet për shkak të një afati, apo date kalendarike.

-Jashtë kostumit mesa duket të zorshëm të diplomatit, a mund të na flisni pak për marrëdhëniet me aktorët politikë të Tiranës, dje dhe sot. Ç’konkluzione keni nxjerrë?

-Epo… Së pari, ndihem shumë i nderuar që jam këtu me ftesë të Presidentit Meta për të marrë një dekoratë. I jam shumë mirënjohës dhe ndihem i prekur për këtë nder.

Sa u takon liderëve politikë dhe politikanëve, mbase do të përgjigjesha më mirë duke ju folur pak mbi vizitorët e kohëve të fundit në Uashington nga Shqipëria, duke qenë se deri vonë isha pjesë e Departamentit të Shtetit.

Ka njerëz që sa vijnë në Uashington, më kontaktojnë dhe në thonë, “Ej, jam këtu në D.C., a ke kohë të takohemi?” Kjo nuk është gjithnjë e mundur, por Presidenti Meta, kur ishte kryetar Kuvendi ishte shumë i gatshëm të gjente kohë për t’u takuar, dhe e vlerësoj shumë këtë. Zoti Rama nuk ka ardhur kaq shpesh, por jemi takuar në Uashington. Mund të përmend ministrin Bushati, zonjën Kodheli… Zoti Ruçi erdhi vitin e kaluar dhe ndenjëm një drekë bashkë. Po ashtu kryetari i Bashkisë Veliaj, zoti Xhafaj, zonja Kryemadhi, zoti Vasili…

Nga ana tjetër, kam patur vizita nga, tashmë i bie të jenë ish anëtarë të Partisë Demokratike si Majlinda Bregu… Zotin Genc Ruli e takoj kur vij këtu etj. Siç e shikoni, ata që i quaja miqtë e mi të PD-së, janë miq po jo më të PD-së, janë dëbuar. Dhe ju e vutë re se kë nuk përmenda në këtë renditje…

-Dy prej tyre. Kryetari aktual i PD-së…

-Është disi acaruese, por dua të jemi qartë se i kam thënë kryetarin aktual të PD-së në mjaft raste: Shiko, e di që ke axhendë të zënë, e di që ke shumë kanale komunikimi këtu, por kur vjen në Uashington, më njofto. Mund ta marr një taksi, ose metronë dhe vij të takohemi në hotelin ku rri. Bisedojmë, këmbejmë mendime”. Nuk ka ndodhur kurrë…

-Më falni për ndërprerjen. Ka mbetur në histori këtu, përkufizimi i parë publik (yll në ngjitje i politikës shqiptare) që ju bëtë për zotin Basha në 2011-ën…

-(Qesh)… Për fat të keq. Mund të them se zgjedhjet lokale 2011 ishin fillimi i fundit për PD-në. Nuk përmenda gjithashtu zotin Berisha. Ja një analizë të vogël që kam bërë: Nuk është sekret se kur të tre ambasadorët e fundit të SHBA-në në Tiranë, zoti Uidhers, unë dhe zoti Lu, kemi mbyllur mandatin, marrëdhëniet tona me Berishën ishin më të këqija sesa kur filluam. Me zotin Uidhers, Berisha ishte në pushtet në fillim dhe fund të mandatit diplomatik; me zotin Lu, ai ishte në opozitë në të dyja rastet; ndërsa unë e gjeta në pushtet dhe e lashë në opozitë. Pra në çdo kombinacion, në fund s’jemi ndarë mirë me të. Pse, për faj të kujt? Besoj njerëzit e dinë përgjigjen…

-Shqipëria dhe rajoni. Një historian një shekull më vonë mund të shkruajë se faktori shqiptar në Ballkan s’kishte parë ditë më të mira se kjo periudhë: Shqipëria dhe Kosova si shtete, Maqedonia dhe Mali i Zi ku ka shqiptarë po ashtu po përparojnë… nga ana tjetër iniciativat europiane po nxisin krijimin e një zone ekonomike, bashkëpunimin rajonal. Por ka nga ata që komentojnë se këto lëvizje janë një mënyrë delikate për ta mbajtur rajonin në distancë sigurie nga BE-ja. Ju si e gjykoni këtë panoramë të përmbledhur?

-Më duket një përmbledhje kuptimplote që e përshkruan situatën këtu. Rajoni mbetet ende një zonë e paparashikueshme e botës. Ju përmendët Shqipërinë, që është një rast specifik, me një diktaturë të pagjasë dhe pavarësisht gabimeve, PD dhe Berisha kanë meritat për nisjen e rrugës demokratike, orientimin europian dhe miqësinë me SHBA.

Tani jeni në NATO, edhe vendet e tjera po ecin. Unë e kuptoj zemërimin e Kosovës, që i nxjerrin pengesa dhe kurthe, por të gjithëve u bëj thirrje të mos i ndahen rrugës europiane, Perëndimit. Nga ana tjetër, perëndimi duhet ta ketë të qatë se çdo vakum që krijon në rajon, do të mbushet nga vende të tjera, fuqi të tjera.

-Zoti Ambasador, a është dobësuar interesi  dhe përfshirja  amerikane në rajon?

-Po, jam dakord. Dhe meqë mund të flas lirshëm tashmë, po ju parashtroj një këndvështrim disi radikal: Nëse shikon ndërhyrjet amerikane në disa prej konflikteve anembanë globit, Afganistan, Irak, Siri, Jemen, Libi… këto vende janë katandisur si mos më keq. Sigurisht nuk është tërësisht faji amerikan (përjashto Irakun, ndoshta) por nuk kemi ndrequr asgjë, dhe mendo pastaj buxhetet e tmerrshme në para, staf, madje jetë njerëzore për ne dhe civilët. Një katastrofë, nga të gjitha administratat. Dhe ky nuk është një moment krenarie për SHBA-në.

Unë besoj se për një pjesë modeste të këtyre shpenzimeve, nëse do angazhoheshim seriozisht në Ballkan në një përpjekje të përbashkët dhe të mirëmenduar me BE-në për promovimin e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe investimeve, institucioneve të forta demokratike etj, etj, ky do kishte qenë një investim shumë produktiv.

Edhe pse ka mjaft dështime amerikane në ndërhyrjet e pas Luftës së Dytë, dy suksese të mëdha më vijnë në mendje: Koreja e Jugut dhe Japonia. Shihni ku janë këto vende tani! Kjo do mund të aplikohej edhe për Ballkanin.

Nëse do ishit ende pjesë e administratës, kjo pyetje do ishte e sikletshme: A po e ndryshon presidenca Trump ekuilibrin botëror dhe në ç’mënyrë?

-Shikoni, që pas Luftës së Dytë (mbase dhe me herët) gjithë bota e ka parë SHBA-në si forcë udhëheqëse. Pas Luftës së Ftohtë, SHBA mbeti i vetmi lider botëror. Kanë ndryshuar shumë gjëra, por ky fakt ka mbetur konstant. S’do mend, Shtetet e Bashkuara kanë bërë mjaft gabime, disa vendime dhe veprime kanë qenë për të ardhur keq; Vietnami më vjen në mendje, Iraku po ashtu. Por ka pasur dhe shumë suksese. Edhe kur isha ambasador këtu, njerëzit më pyesnin, çfarë është për ju gjëja më e rëndësishme. Që jam krenar të përfaqësoj vendin tim, u thosha. Amerika nuk është perfekt, as e pagabueshme, por besoj që në thelb është një Forcë e Së Mirës, dhe të jesh amerikan nënkupton diçka. Disa pjesë të botës e vlerësojnë më shumë këtë, si Shqipëria, disa më pak e dikush aspak. Por pyetja është: nëse jo Amerika, kush mbetet? Duhet një vend që e zëvendëson Amerikën, përndryshe do kemi një vakum.

Dhe një vend tjetër si Amerika nuk ka. Siç thonë, natyra e urren boshllëkun dhe tenton ta mbushë. Dhe u kthyer tek pyetja juaj: problem i madh me administratën Trump është abdikimi ndaj rolit udhëheqës amerikan në botë.

*Kryeredaktor, Albanian Daily News

2 komente në “Pendimet e një ambasadori”

  1. Vincent says:

    Personalitet I madh, thanks arvizu per miqesine me shqiperine

  2. Kukulla Arta me Ridvan e Flori says:

    Leni pellazget se aq dine, ty dhe shokun Lulu e para tyre Perendia tju marre ne dore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje