Njerëzit perceptojnë se shumë subjekte të drejtësisë kanë përfituar nga profesioni i tyre dhe kanë krijuar pasuri të paligjshme.
A mjafton që këta njerëz të nxirren nga sistemi i drejtësisë dhe kaq, apo do të ketë një proces të dytë që do të merret me ta ligjërisht për pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme? Çfarë pritet të ndodhë me këta njerëz?
Këtyre pyetjeve iu përgjigj mes shumë të tjerave, e ftuara Erida Skëndaj, kryetare e Komisionit të Helsinkit, në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja.
“Vettingu është përgjegjësi administrative, por kjo nuk e përjashton detyrimin që ka shteti me anë të organit të Prokurorisë që të hetojë penalisht, sepse nëse ka vepër penale, atëherë duhet të hetohet. Prokuroria heton me nismën e saj kur shikon ato të dhëna tronditëse për një pjesë të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, për një pasuri goxha marramendëse të vendosur jo vetëm gjatë karrierës së tyre si gjyqtarë e prokurorë; por heton edhe me kallëzim penal të organeve që po bëjnë procesin administrativ”, tha Skëndaj.
Por, a do t’i ketë objekt hetimi këta persona SPAK-u?
“Deri para disa muajsh na rezulton vetëm një çështje e dërguar nga organet e vettingut në Prokurori, për një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që gjatë hetimit administrativ i dolën probleme të përgjegjësisë penale, dhe për këtë person u vendos mosfillimi i procesit penal. Për të gjithë subjektet e tjera që ne kemi parë në media sa i takon pasurisë tejet të lartë, nuk kemi asnjë informacion nëse ka filluar apo jo paralelisht hetimi penal nga organi i akuzës.
Ndaj mendoj se krijimi i SPAK-ut do të kontribuojë në këtë proces, sepse Prokuroria nuk është një institucion që vihet në lëvizje vetëm me kallëzim. Kur ka vepra të rënda duhet të vihet në lëvizje automatikisht”, tha Skëndaj.
A ka ndikim politik në procesin e vettingut të njerëzve të drejtësisë?
Ndonëse kryetarja e KSHH-së, Erida Skëndaj foli për ata që janë skualifikuar në studion e “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, fokusi i raportit ka qenë tek ata që janë kualifikuar dhe aty lihet të nënkuptohet se ka një “mbyllje të njërit sy” për disa nga kriteret që duhej të gjenin zbatim te këta njerëz.
E pyetur nga gazetari Dyrnjaja, nëse po ndodh një lloj dystandardizimi në lidhje me kualifikimin e disa prej këtyre njerëzve të drejtësisë, Skëndaj tha se raporti është fokusuar në rreth 65 për qind të vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Sigurisht i kemi parë të dyja aspektet, edhe personat që janë skualifikuar, edhe ata që janë konfirmuar, me një lupë shumë të kujdesshme për të parë pikërisht nëse ka pasur standarde të dyfishta. Edhe pse nuk është e thjeshtë që këto standarde të dyfishta të identifikohen në këtë fazë fillestare të procesit”, shpjegoi Skëndaj.
Por pse atëherë për disa raste rivlerësimi janë shqyrtuar vetëm një apo dy, nga tre kritere në total që ka procesi i vettingut? A është kjo një “mbyllje syri”? A mund të hidhen hije dyshimi se ka pasur favorizime?
“Kjo ka pasur një justifikim të caktuar. Ndoshta vettingu është fokusuar vetëm në një kriter, sepse edhe me një të tillë – nëse nuk e përmbush, – mund të skualifikohesh. Problemi është në fakt se, a mos ndoshta paragjykohet procesi duke fokusuar vettingun pikërisht tek ai kriter, për të cilin hetimi administrativ i organeve të vettingut ka dalë me probleme, siç ka qenë konkretisht kriteri i pasurisë? Sa i përket kësaj, edhe në raportin tonë kemi një qasje të dyzuar.
Ka ekspertë të angazhuar në monitorim dhe që thonë se, në kuadër të transparencës para publikut dhe për të mos e paragjykuar procesin në frymën kushtetuese dhe të ligjit të vettingut, është në mënyrë të natyrshme i konceptuar në këto kritere dhe nuk mund të ndahen për të parë një apo dy, kur ato kanë probleme dhe më pas sjellin shkarkim.
Qasja tjetër ka qenë që ligji i vettingut parashikon shkarkimin qoftë edhe me një kriter, në funksion edhe të parimit të ekonomiksit dhe të shpejtësisë së procesit, atëherë përse do të duhej të analizoheshin dy kriteret e tjera, kur qoftë edhe me njërin, kur ke një pasuri të pajustifikueshme dhe burime të paligjshme për krijimin e kësaj pasurie, mund të shkarkohesh automatikisht.
Unë personalisht i përkas rrethit të juristëve që mendojnë se vettingu do të duhet të bëhet me të trija kriteret”, deklaroi Erida Skëndaj.
“Nga 48 vendime të dhëna deri në fund të muajit tetor, 22 prej tyre janë vendime shkarkimi. Nëse do të duhet të jap një konkluzion sa i takon ndikimit politik në vendimmarrje, ne e kemi parë nga aspekti i standardeve të një procesi të rregullt ligjor, e kur kemi parë anëtarët e këtyre komisioneve që kanë shprehur mendime në pakicë, ose mendime paralele, duket një qasje shumë e mirë sa i takon aspektit të pavarësisë së brendshme që ka institucioni. Nëse do të kishin ndikim politik, do t’i kishim të gjithë anëtarët pro apo kundër subjekteve të caktuara”, deklaroi zonja Skëndaj.
Por a e përjashton kryetarja e KSHH-së ndikimin politik në këtë proces?
“Bazuar mbi aspektin ligjor mbi të cilin e kemi shqyrtuar ne, nuk kemi parë nota të aspektit politik. Megjithatë, në mënyrë kategorike dhe absolute kjo nuk mund të përjashtohet. Ajo që ju ngrini me të drejtë ka të bëjë me pjesën e proporcionalitetit. Pra, nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje të rënda, për të cilat nuk mund të justifikohet qëndrimi në detyrë; apo shkeljet kanë qenë disi më të lehta dhe në funksion të parimit të proporcionalitetit nuk mund ta çojmë deri në shkarkim. Këtu ne kemi parë standarde të dyfishta”, u shpreh Skëndaj.
Çfarë ndodh nëse Strasburgu detyron rikthimin e të përjashtuarve?
Shumë nga subjektet e skualifikuara i kanë apeluar vendimet ndaj tyre në strukturën e KPA-së, por ankimimet rrezikojnë të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut. Një pyetje specifike iu bë pikërisht për këtë gjë, të ftuarës në emisionin “Top Talk”, Erida Skëndaj, kryetare e Komisionit të Helsinkit, nga gazetari Denis Dyrnjaja.
“A mund të përballet Shqipëria me një kthim (boomerang) drejtësie, nëse vijnë vendimet e “Strasburgut” për shkelje të të drejtave të njeriut në raport me procesin në tërësi? Këta njerëz të përjashtuar mund të fitojnë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë…”, pyeti gazetari
“Nga informacioni që ne kemi, një pjesë e këtyre çështjeve kanë shkuar në Gjykatën e Straburgut. Megjithatë, ligji i vettingut dhe Kushtetuta nuk e parashikojnë si një hapësirë ligjore që nëse kjo gjykatë jep një vendim në favor të subjektit të përjashtuar, të kenë një mekanizëm që siguron rivendosjen e të drejtave, që detyron organet ta rishikojnë vendimmarrjen e tyre dhe ta kthejnë në sistem. Nuk e di nga pikëpamja e debatit juridik sesi mund të ndodhemi në një situatë të tillë.
Mund të quhet një boshllëk (vakuum) ligjor, e ndoshta edhe vet Gjykata e Strasburgut, e cila nuk jep vetëm dëmshpërblim dhe kompensim monetar për shkeljen e të drejtave të njeriut, edhe në rastin e subjekteve mund të japë dëmshpërblim, mundet që të urdhërojë me masë të përgjithshme autoritetet shqiptare që të parashikojnë një mekanizëm që siguron rivendosjen e plotë të të drejtave të subjekteve të shkelura”, shpjegoi Skëndaj.
o delet e shqypnise, e ju o lisat e gjate…
–
l e s h i, le s hi..or tej
Askush te mos kete asnje iluzion se procesii Vwtingur ka qene i pa aneshem dhe i pa ndikuar politikisht. Nuk do jete e larget dita kur shqiptaret do ndeshen me nje tjeter bande prokuroresh e gjyqtaresh, te cilet me masken e juristit qe “ka kaluar vetingun” do i bejne gjemen ketij vendi.
Cfar Vetingu eshte ky qe nuk ndalet tek ato figura qe kane qene me funksione te larta ne sistemin e drejtesise, jane pikerisht ata qe e stimuluan krimin ne Drejtesi dhe sot e kalojne Vetingun pa i hyre ferre ne kembe, sic eshte kryetar i Gjykates se Larte Zaganjori, kryetari i Gjykates Kushtetuese, Dedja, ish anettaret e Keshillit te larte te Drejtesise etj. Per keta, dolen mjaft te dhena per fshehje pasurie e megjithate e kaluan Vetingun. Prandaj ky eshte nje mashtrim i madh.
E gjith kjo u kthye ne nje farse dhe fatkeqesia e madhe eshte se kete nuk e parandalojne tashme as amerikanet e as europianet.
Kjo deshtoi.
Veting super politik..ai gjyqtari Dvorani di e kaloi ashtu leht??? Turpi i ktyre nderkombetarve qe bejn sehir.
Patjeter dhe pa diskutim, te gjithe prokuroret dhe gjykatesit qe kane vene pasuri me korrupsion dhe krim, kane shkelur ligjin dhe jane pasuruar ne menyre te paligjshme. Detyrimisht, ata duhet te kalojne edhe ne ndjekje penale dhe te ndeshkohen penalisht. Kane vjedhur, kane abuzuar me detyren duke mos zbatuar korrekt ligjet. Cfare kerkojme te bejne me shume ?! Prandaj, duhen ndeshkuar penalisht dhe sa me shpejt, aq me mire.