Lutfi ALIA
Në shekujt e mesjetës, Albania përjetonte qytetërimin perëndimor në tërë rrafshet e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore; respironte kulturë europiane dhe ishte pjesë integrale e Europës.
Aleks Buda vërente: “Gjatë Mesjetës, Albania ishte e zhvilluar në nivele me vendet më të përparuara të Europës”.[1]
Eqerem Çabej theksonte: ”Dalmacia e Albania e më pas ishujt Jonikë, janë vendet që u hapën direkt dhe më shumë ndaj influencës kulturore të Perëndimit”. [2]
Në lidhjen e Albanisë me Perëndimin, ushtroi ndikim edhe Kisha katolike. M. Šufflai do të vinte në dukje: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari e më pas e tërë Albania, u shndërruan në baza operati-ve të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kunder sllavizimit”.[3]
Kjo kulturë europiane ishte e mishëruar dhe ne heraldikën arberore, e cila ishte sa origjinale, aq dhe pasqyrim i heraldikës europiane, e shprehur me stemat, me flamujt dhe me medaljonet e fisnikëve.
Stemat e para heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, u shfaqën në shekullin XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit. Në vijim, u përdorën në shekullin XIII nga familjet patronomike arbërore të Mbretërisë së Albanisë të Karlit I Anzhu dhe në mënyrë të veçantë u masivizuan në shekujt XIV – XVII, nga familjet dinastike Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Shpata, Skura, Zaharia, Golemi, Spani, Martaseos, Gropa, Jonima, Blinishti, Manesi, Gazuli, Matranga, Engjëlli, Toka, Frangu, Zenebishti etj.
Si rezulton në kronikat dhe dokumentat e shekullit XV edhe Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zot i Dibrës e i Krujës dhe, që nga viti 1444, Dominus Albaniae – Zot i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e kohës, kishte stemën e vet heraldike me shqiponjën dykrenore me yllin e Davidit; mbante flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore, që shpalosej mbi bedenat e kështjellave dhe në betejat, si e përshkruajnë Barleci me 1522 dhe Lavardin me 1604: “L’insegna di Skanderbegh era un’ aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso”. [4, 5]
Simbolet heraldike nuk ishin të pandryshueshme, përkundrazi në varësi të rrethanave dhe rolit politik në shoqërinë e kohës, fisnikët i modifikonin. Kësisoj rezulton se krahas stemës së herëshme me shqiponjën dykrenore, me yllin e Davidit, dinastia e Kastriotëve perdori edhe tre stema të tjera heraldike, ashtu si ka përdorur se paku dhe dy flamuj.
Moikom Zeqo, duke iu referuar shkrimit të Shyqyri Nimanit, i cili botoi hartën Portollane të Mesdheut e vitit 1456, me autor Petrus Rosselli, tregon se Gjergj Kastrioti kishte dhe një flamur të verdhë (i artë), me shqiponjën dykrenore të kuqe, pa yllin e Davidit. [6]
Në leterkembimin me Prof. Shyqri Nimanin, më tregoi: “Në vitin 1980, gjatë një vizite në SHBA, vizitova ekspozitën Art & Cartography në Çikago, organizuar nga The Art Institute of Chicago dhe biblioteka The Newberry Library, në të cilën ishin ekspozuar harta unikale nga mbarë bota. Aty ishte dhe nje hartë, që më terhoqi vëmendjen: Harta portollane e Mesdheut, e vitit 1456, e pikturuar me ngjyra në pergamen, e katologuar në bibliotekën The Newberry Library në Çikago. Harta ishte pronë e koleksionit te Edward E. Ayerit, Ms. Map. Nr. 3, dhe mbante shënimin: Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate maioricarum anno domini MCCCLVI. [7]
Kjo hartë portollane është tipike e hartave të pikturuara me dorë, që u shërbenin navigatorëve në shekujt XIV – XV. Harta prezanton Detin Mesdhe, Detin e Zi, bregdetin europian nga Danimarka, në ujëdhesat Britanike e Skoceze, bregun Veriperëndimor të Afrikës, ujëdhesat Kanare, Medeirën dhe ujëdhesat Azure në Oqeanin Atlantik. E rëndësishme në këtë hartë është fakti se ndër 41 flamujtë me ngjyra, gjendet dhe flamuri i Kastriotëve, me shtizë të ngulitur në Krujë (Croya), për të treguar se ky flamur i përket zotërimieve të Kastriotëve. Ky flamur ka sfond te verdhë (i artë) me shqiponjë dykrerëshe të kuqe të vendosur në qendër, me thekët anesor dhe dy vijezime horizontale të holla ngjyrë të zezë, njëra mbi dhe tjetra nën shqiponjën (shiko hartën në posterin e ZËRI-t, 8. II. 1992). Pra ky flamur ka tri ngjyra – të verdhën (e artë), të kuqen dhe të zezën; ka vetëm një figurë (simbol) – shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe. [7]
Harta Portollane e Mesdheut me autor Petrus Rosselli e vitit 1456
Shyqyri Nimani thekson, se në këtë rast kemi të bëjmë me pamje të flamurit i dhënë nga një kartograf i huaj e ndofta kjo nuk eshte pamja e flamurit autentik të prodhuar nga vetë shteti shqiptar i Kastriotëve. [7]
Shqiponja e kuqe dykrenore në këtë flamur, ka ngjashmëri impresionuese me shqiponjën e afreskut në Kishën e Shën Antoni në Kepin e Rodonit, çka na nxit të hamendesojme se ky afresk është vepër e atyre viteve, pasi dihet se kjo kishë u rindërtua nga Gjergj Kastrioti.
Afresk me shqiponjën dykrenore, me ngjyrë te kuqe, në kishën e Shen Antonit në Rodon.
Ekzistenca e dy flamujve sugjeron se njeri prej tyre, ai me sfond të kuq dhe shqiponjën dykrenore me ngjyrë të zezë i përkiste dinastisë Kastrioti, si e dëshmon Barleci, ndërsa flamuri me sfond të verdhë dhe me shqiponjën dykrenore ngjyrë të kuqe në hartën e Petrus Rosselli, ndofta ishte i Lidhjes Arbërore të Lezhës dhe i ushtrisë arberore, me kryekomandant strategun Gjergj Kastrioti.
Prof Dr Lutfi Alia, si shume figura te tjera mendjendritur te kombit shqiptar u detyrue te marri rruget e kurbetit kur po mendonim se erdhi Liri-Demokracia!!
Faleminderit prof per kontributet tuaja te vazhdueshme e me shume vlere edhe ne fushen e historise se kombit shqiptar.
Respekte.
Flamuret e Dinastise se Kastrioteve duhet qe te pikturohen ne hyrjen e Mauzoleumit te Gjergj Kastriotit ne Lezhe. Ministria e Kultures se Rilindjes duhet te bindet se rrenjet e shtetit te shqiptareve gjenden ne kishat shqiptare dhe jo ne ato greke qe po meremetohen e trumbetohen me te madhe nga zonja Kumbaro.
Historiografise shqiptare i eshte shtuar dhe nje pene tjeter ajo e prof.dr.Lutfi Aliaj, i cili po na servis dokumenta me shume vlere per Historine e Kombit Shqiptar.Mirenjohje dhe respekte .
FALË ME SHËNDET PROFESOR LUTFI ALIA!
Falemnderit zoti NIMANI!
Falemnderit TEMA
KITA, at e bir.
Nje shkrim interesant. Urime autorit te studimit, Lutfi Alia!