Nga Bekim Bislimi, Rel
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kanë nxituar reagimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Këta të fundit përmes letrave drejtuar Qeverisë së Kosovës, i kanë kërkuar asaj heqjen e kësaj takse dhe kanë shprehur zhgënjimin për këtë vendim. Qeveria e Kosovës, po ashtu përmes një letre i ka thënë BE-së se vendimi i saj për taksën nuk do të ndryshojë.
Ne anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në rast se kjo e fundit nuk e heq taksën.
Njohësit e zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se përplasjet përmes letrave ndërmjet zyrtarëve të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, nuk janë shënuar ndonjëherë më parë.
Agon Maliqi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që vendosja e taksës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës, në rrethana normale do të konsiderohej jonormale. Por, sipas tij, këtë masë Kosova është detyruar ta vendosë. Sipas tij, në kohën kur po zhvillohet dialogu Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e konteston sovranitetin e Kosovës nga jashtë.
Siç thotë ai, me vendosjen e taksës ose edhe me formimin e ushtrisë, Kosova po e konsolidon shtetësinë nga brenda dhe kjo do të jetë pika fillestare prej të cilës Kosova do të pranojë të ulet që të negociojë në fazën e ardhshme të dialogut.
“Këto, pak a shumë, janë në njëfarë forme pozicionime për negociata. Kështu i shoh unë. Serbia e ka qëndrimin që nuk ulet për të biseduar pa u hequr taksa dhe BE-ja në njëfarë forme, taksën po e sheh si pengesë për vazhdimin dialogut. Mirëpo, Kosova, duke qenë në një mënyrë edhe e mllefosur me BE-në dhe duke mos pasur kurrfarë perspektive evropiane, po rebelohet ndaj BE-së. Ndërkaq, BE-ja, për momentin, nuk ka mekanizma të ndëshkimit ndaj këtyre masave, të cilat Kosova është e detyruar t’i ndërmarrë, si masë mbrojtëse kundër agresionit të Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës”, theksoi Maliqi.
Ndërkaq, analisti tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që taksa e vendosur nga Kosova për produktet serbe, është një reagim i saj ndaj qëndrimit, siç e quan ai, indiferent të BE-së ndaj nevojës për liberalizim të vizave dhe ndaj premtimeve të BE-së për një gjë të tillë.
“Kosova po e kushtëzon zonjën (Federica) Mogherini dhe suksesin e saj politik me liberalizim të vizave, por edhe me një ndryshim në dialog. Tani, këto letrat që janë duke i dërguar përfaqësuesit e BE-së, janë një lloj testimi i qëndrueshmërisë së palës së Kosovës, mirëpo pala e Kosovës stabile në qëndrimin e saj dhe nuk mendoj që ofertat e zbehta të BE-së do të mund t’ia ndryshojnë mendjen”, tha Muhaxhiri.
Por, analisti Maliqi, nuk e sheh vendosjen e taksës për mallrat serbe të ndërlidhur detyrimisht si kushtëzim për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Vizat janë diçka që Kosovës i takojnë dhe Kosova nuk ka nevojë që të vë diçka tjetër në pazar për viza. Taksat janë të ndërlidhura mbi të gjitha me procesin e dialogut dhe me qasjen agresive të Serbisë. Ndërsa, mungesa e çfarëdo lloj dëshire apo vullneti (nga ana e Kosovës) për t’i dëgjuar vërejtjet e BE-së, vjen edhe për shkak të qasjes mospërfshirëse të BE-së apo mospërmbushjes që lidhen me vizat. Pra, mospërmbushja e premtimit për vizat ka kontribuuar që Kosova ta ndërmarrë njëfarë qasje mospërfillëse ndaj BE-së, të cilën nuk e ka pasur më herët”, vlerësoi Maliqi.
Por, raportet e krijuara të Qeverisë së Kosovës me BE-në, sipas analistit Muhaxheri, paralajmërojnë se dialogu do të vazhdojë, por jo me qasjen e deritashme të palëve në dialog.
“Kjo mund të prodhojë një ndryshim të kursit të deritashëm të dialogut, sepse një ndryshim i tillë është imponuar, është nxitur nga vetë BE-ja dhe është imponuar pas vendimit të Kosovës për taksën. Nuk ka asnjë logjikë që të vazhdojë kështu dialogu në kohën kur marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë përkeqësohen”, u shpreh Muhaxhiri.
Ditëve të fundit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Por, ky i fundit, po ashtu përmes një letre të adresuar për zyrtarët e Be-së, ka këmbëngulur në vendimin e Qeverisë që ai drejton. Zyrtarët e BE-së, sërish përmes në letre kanë shprehur zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës, ndërkohë që kryeministri Haradinaj, ka theksuar se taksa do të mbetet në fuqi.
Ku ka qene BE-ja deri me sot kur shikonte se si Serbia, diten per diell, sabotonte Kosoven me cdo mjet?
Bravo i qofte Qeverise se Kosoves dhe K.Ministrit Haradinaj per kete mase qe kane marre. Europa as ka qene dhe as do te jete ndonjehere ne anen tone. Per ne miku i vertete eshte ai pertej oqeanit dhe quhet SHBA.
Europa duhet te kuptoje se durimi shqiptareve nuk eshte pa kufi. Mjaft kane luajtur futboll me tokat tona ne me shume se 100 vjet. Sot po luajne me fatet e popullit tone qe dikur u vuri freret ekspansionit ottoman. Ne te kunderten, sot Europa do ishte duke folur … turqisht.
Bravo