Ilir Yzeiri
Zakonisht thuhet se të gjallët nuk kanë shumë kohë të merren me ata që nuk janë më, përveçse në ato raste kur ikja nga kjo botë ka qenë tragjike. Në raste të tjera, kjo ndodh rrallë. Mirëpo, nëse do të kemi parasysh atë thënien e mrekullueshme që thotë se njeriu, kur largohet nga kjo botë, bëhet fjalë, pra jeton në kujtime, në biseda, pra, mbartet si të thuash te fjala, atëherë shkrimtari që largohet nga kjo botë, ka privilegjin se ai është i bartur dy herë në fjalë. Ai kujtohet nga të afërmit e tij, pra është në fjalët e tyre, dhe jeton mes nesh apo vjen ndër ne kur lë pas vetes librat që ka shkruar.
Petraq Zoto ka botuar dy libra pas vdekjes. Më saktë, bashkëshortja e tij, Tatjana, i përgatiti dhe i botoi në këta tre vjet që ai nuk jeton më. Këto libra janë romani « Dashuri e ndërprerë » (botuar në vitin 2016) dhe vëllimi me tregime « Vetëm veten, jo ».
Petraq Zoto u nda nga jeta më 6 shtator 2015. Ai lindi në Ziçisht të Korçës dhe për një kohë punoi si mësues e më pas, për një periudhë të gjatë, ishte drejtor i Teatrit « A. Z. Çajupi » në Korçë. Bashkë me Dhimitër Xhuvanin ata kanë qenë dy nga miqtë e veçantë dhe njerëzit më të mirë që unë kam njohur. Xhuvanin e kisha edhe fqinj dhe e njihja më mirë, ndërsa Petraqin e kisha edhe njeri të familjes sepse ai ishte xhaxhai i bashkëshortes sime.
Jam përpjekur disa herë të kuptoj se çfarë përfaqësonin kjo kategori shkrimtarësh dhe intelektualësh që e kishin ngritur jetën e tyre mbi pasionin dhe ndershmërinë. Në rastin e këtyre të dyve kam menduar se kultura familjare mund të ketë ndikuar. Si Xhuvani, ashtu edhe Petraq Zoto ishin bij priftërinjsh. Ndaj edhe në jetë ata ishin të mbushur dhe rrezatonin një lloj kristianizmi që dukej, sidomos, te mirësia pa fund që shpërndanin për të tjerët. Edhe në letërsinë e tyre, në temat që trajtonin dhe në stilin apo në tonalitetin e veprave të tyre ndihej kjo mirësi dhe kjo dëshirë për të vizatuar njerëz të mirë dhe ndjenja të bukura.
Para disa kohësh, bashkëshortja e Petraqit mblodhi dorëshkrimet e fundit të tij si dhe ndonjë tregim të ripunuar nga vetë Petraqi dhe me to botoi vëllimin me tregime « Vetëm veten, jo » (Shtëpia Botuese UEGEN, Tiranë 2018) .
Libri ndahet në dy pjesë dhe aty lexuesi gjen herë skica të shkurtra ose përshtypje apo meditime për forma të ndryshme të jetës që ai i ka fiksuar me rrëfimë që herë ndërtohen përmes pyetjes si : Po më tej ? Herë tjetër janë emocione kujtimesh si ato për bukuroshen e sokakut, kutizën e vyer, për plakun e heshtur, veteranin. Në raste të tjera janë emocione të shkaktuara nga forma e çrregullt që ka marrë jeta në tranzicion. Dhe ai e gjen veten në udhëkryq sepse shumë vlera përmbysen e të tjera shkelen. Ndaj për to ka trishtim. Herë të tjera rrëfimi shkon për miqtë e kolegët si në skicën « Kur mendoj Pandin ». Një grup tjetër përbëjnë tregimet apo skicat që ndërtohen me mbresa nga udhëtimet jashtë vendit, në Itali apo Amerikë, në Paris e Greqi dhe aty ndihet dhembshuria për kohën e humbur dhe për fatalitetin tonë që u gjendëm në anën e gabuar dhe në kohën e gabuar.
Ndërsa fati i emigrantit dhe tranzicioni zënë, po ashtu, një pjesë të madhe të rrëfimeve në këtë vëllim. Edhe titullin libri e ka marrë pikërisht nga një përjetim i tillë. Pasurimi i shpejtë dhe me çdo kusht i sjell në mendje atë fjalën e urtë që e karakterizon mjaft mirë këtë situatë. Kur kërkon të pamundurën, populli thotë që je bërë si ai që thotë dua nuse dhe e dua sot. Edhe heroi i këtij tregimi është një emigrant që kërkon të arrijë suksesin e pronarit, nga lulishtar do që të bëhet i pasur dhe me vilë si ai dhe me një nuse të bukur si të atij. Dhe kur e shpreh këtë dëshirë për të treguar se përse rri i mërzitur, thotë shprehjen shqipe, dua nuse dhe e dua tani, madje të bukur si e zonja e shtëpisë. I zoti i shtëpisë, natyrisht nuk e kupton mirë filozofinë e lulishtarit dhe, i trembur nga dëshira e tepruar e tij, e largon nga puna.
Petraq Zoto ka shkruar mjaft libra edhe për fëmijë. Librat i tij « Burimi i drerit » dhe « Bishti i dhelprës » mund të rrinë në fondin më të mirë të letërsisë shqipe. Ndërsa tregimet dhe romanet e tij janë një prozë e arrirë, shkruar me një shqipe si të kadifenjtë që lexohen me shumë ëndje. Dhjetë nga librat e Petraq Zotos janë nderuar me çmime të ndryshme.
Sot ai do të ishte 81 vjeç dhe si për të na kujtuar se është ashtu i qeshur dhe i ëmbël mes nesh, na ka lënë si shenjë këtë libër të fundit me tregime, « Vetëm veten, jo » që bashkëshortja e tij Tatjana e përgatiti dhe e botoi para disa muajsh.
Xhuvani ka nje liber: Kembana e fundit. Dhe qenka bir prifti!
Kam lexuar nje liber per femije nga Petraq Zoto kur kam qene i vogel. Titullohej “Kali fluturues”. Librat e femijnise mbeten me te dashurit dhe ata qe rrojne me gjate ne kujtese. Faleminderit qe me ke bere te enderroj!
undefined
Mungon kritika profesionale, humbasin vlerat. Duhet te ringrihen institucione artisike, apo akademi liberale shkrimtaresh e artistesh, ne forumet e te cilave te diskutohen dhe te vleresohen veprat e te pasqyrohen ne shtypin e dpecializuar. Shkrimtaret me natyre modeste e humbin nje pjese te vlerave te tyre e tek – tuk .ndonje rastesi do ta cmoje.
Nderim e respekt per jeten dhe veprimtarine krijuese te shkrimtarit Petraq Zoto. Krijimtaria e tij vecanerisht per femijet mbetet mbreselenese, edukative e me vlera artistike.I paharruar kujtimi dhe kontributi i tij ne letersine shqiptre per femije e te rritur.
PETRAQ ZOTO,në vizioni tim, së bashku me NAUM PRIFTIN janë “dekanë të Prozës Shqiptare”. Librat e tij me tregime kanë zënë vend në Fondin e Zgjedhur të prozës. Dhe j o vetëm kaq: ai ka një vend të çmuar për çdo lexues të vogël,aq sa është bërë si”pjesëtar” i çdo familjeje shqiptare.Nga larg,vjen jehona e zërit të një gjysheje në Llixhat e Elbaasanit,që kur dëgjoi që PETRAQ ZOTO u nda nga jeta,tha:” PETRAQIN e kemi në shtëpi!”
Përfitoj nga rasti që ta falnderoj autorin e shkrimit,zotin ILIR YZEIRI dhe,pa dyshin, një falnderim të veçantë,për bashkëshorten aq të ndenjë,ZONJËN TATJANA ZOTO,që e “ringjalli” me dy veprat postume.
Falënderoj botuesin e gazetës “Tema” për hapësirën dhe kohën që i keni lënë këtij shkrimi.
Falënderoj dr.Ilir Yzeirin për shkrimin me kulturë, qytetari dhe analizë shkencore-artistike.
Faleminderit komentuesve.
Për sqarim: Libri i fundit është botuar në dhjetor 2018 “Perria me brirë” përralla.
Faleminderit.
Fundi i karvani ,shume pak i degjuar ose hic fare ,” te thuash per ndonje DRITERO ose ndonje KADARE ,edhe haet ,por Petraqi ????