E ardhmja e Hysajt po bëhet çdo ditë e më shumë e paqartë dhe janë mediat italiane, ato që raportojnë se së fundmi i është rikthyer pistës Hysaj edhe Atletiko Madridi që e kërkoi pak ditë më parë. Klubi madrilen, duke parë formën e dobët të mbrojtësve të krahut, Hysajn e mendojnë si shpëtim dhe janë të gatshëm të bëjnë një ofertë zyrtare për ta marrë që në janar.
Në fakt, mënyra se si Atletiko kërkon shërbimet e shqiptarit, duket pak e ndërlikuar duke qenë se kërkohet edhe një asist nga Interi për këtë operacion. Atletiko është e gatshme që të ofrojë në drejtim të Napolit një shumë të konsiderueshme dhe në verë, mund t’i japë me parametra zero mbrojtësin kroat, Sime Vrsaliko.
Ky i fundit që luan me Interin, duket se nuk po bind dhe po vuan shumë dëmtimet në Milano e për këtë arsye, mediat italiane janë të bindura se Vrsaliko do të kthehet në verë te Atletiko Madrid, duke qenë se Interi e ka kërkuar me të drejtë blerje. Nëse Napoli e pranon këtë si ofertë, atëherë vetë Atletiko do të nisë të negociojë me Interin që të lihet i lirë Vrsaliko në merkaton e verës dhe të mos ketë një kontratë me zikaltërit. Deri më tani, gjithçka duket si një skenar i vështirë, megjithatë, në Madrid po punojnë fort për shkodranin.