Gjatë ditës së sotme, u publikuan listat me futbollistët e grumbulluar për grupmoshat e U17 dhe U19 dhe Elvin Beqiri i U17-ës dhe Nevil Dede i U19-ës kanë bërë përzgjedhjet e tyre.
Në lista, bie në sy fakti se ka shumë futbollistë nga kampionati vendas por jo nga ekipet elitare.
Kjo gjë nuk i ka pëlqyer drejtorit të Vllaznisë, Alban Hasani i cili në një prononcim për ‘Shkodra Sport’ është shprehur se pavarësisht ndryshimeve të shumta te trajnerët, sistemi mbetet i njëjti dhe ka shprehur pakënaqësi për zgjedhjet e bëra nga dy trajnerët.
“Grumbullimet e fundit të kombëtareve U19 dhe U17 treguan se vërtetë janë ndryshuar trajnerët e këtyre ekipeve, por sistemi mbetet i njëjti. Ftohen lojtarë nga ekipet amatore dhe nuk ftohen nga ekipe të Superligës. Diçka që nuk shkon sepse ne i ndjekim kampionatet dhe e dimë mirë se cilat janë lojtarët që shkëlqejnë.
Vetëm një lojtar nga Akademia Vllaznia tek kombëtarja U19 dhe asnjë tek ajo U17, është diçka që nuk shkon, megjithatë e përsëris, trajnerët janë ndërruar por sistemi mbetet i njëjti”, u shpreh Hasani.