Presidenti i Benfica, Luis Filipe Vieira, këmbënguli se “paratë nuk janë problem”, teksa gjigandët portugezë po përpiqen të joshin Jose Mourinhon për t’u bërë trajner në “Estadio da Luz”.
“Special One” është pa punë, pasi u shkarkua nga drejtimi i Manchester United në muajin e kaluar, duke i dhënë fund mandatit të tij 2-vjeçar e gjysmë në “Old Trafford”.
Trajneri portugez, i cili ka qenë i lidhur me Real Madridin dhe Interin, bëri emër për veten e tij me rivalët e Benfica, te Porto, ku fitoi Ligën e Kampionëve (2003-2004) dhe dy tituj të “Primeira Liga”, përpara se të transferohej te Chelsea.
Megjithatë, karriera menaxheriale e Mourinhos filloi te Benfica, kur ai zëvendësoi Jupp Heynckes, pas javës së katërt të kampionatit, përpara se të jepte dorëheqjen vetëm nëntë ndeshje më vonë, pas një ndryshimi në presidencën e klubit.
Tani, presidenti Vieira ëndërron ta sjellë Mourinhon te Benfica sërish: “Tani për tani, Bruno Lage është trajner i Benfica, – tha ai për transmetuesin portugez SIC. – Do të ketë lajme javën e ardhshme”.
Kur u pyet për Mourinhon, Vieira shtoi: “Unë jam shoku i tij. Më thoni, kush nuk do të donte ta kishte Mourinhon trajner? Por, nuk kam biseduar me të për këtë gjë. Nëse ai thotë po, do të jetë këtu që nesër. Paratë nuk janë problem për Benfica”.
Kujtojmë se Benfica është në vendin e tretë, në garën më të lartë futbollistike të Portugalisë, shtatë pikë mbas liderëve të Portos, kur janë luajtur 16 ndeshje nga kampionati i këtij vendi.
Mos blini “belane” me parate tuaja!