Tokio pagoi ryshfet për t’u përzgjedhur për Lojërat Olimpike? Franca ngre akuzën për korrupsion

11 Janar 2019, 17:05Sport TEMA

Kreu i Komitetit Olimpik të Japonisë akuzohet në Francë për korrupsion aktiv. Hetuesit francezë dyshojnë se Tsunekazu Takeda ka paguar ryshfet, në mënyrë që Tokio të zgjidhej vendi organizator i Lojërave Olimpike 2020. Lajmin e bënë të ditur fillimisht mediat franceze, të cilat u referohen burimeve pranë hetimit.

Akuza ndaj 71-vjeçarit Takeda u zyrtarizua më 10 dhjetor, pasi hetuesit gjurmuan një pagesë të dyshimtë prej gati 2 milionë eurosh, e bërë përpara se kryeqyteti japonez të zgjidhej si pritës i Lojëra Olimpike. Në votimin që e zgjodhi fitues në vitin 2013, Tokio la pas Madridin dhe Stambollin.

Takeda, i cili udhëhoqi fushatën e Japonisë për Lojërat Olimpike, është gjithashtu anëtar me ndikim i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Hetimi ndaj tij ka nisur në vitin 2016. si indicia kanë shërbyer dy pagesa të bëra në ndaj kompanisë Black Neës, me bazë në Singapor, e cila ka lidhje me Papa Massa Diack, djali i ish-shefit të Shoqatës Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës (IAAF), Lamine Diack.

Papa Massa Diack është këshilltar marketingu me peshë në IAAF.

Pagesat rezultojnë të jenë bërë në dy faza, përpara dhe pas votimit të IOC që vendosi qytetin pritës.

Papa Massa Diack, i njohur si PMD, dyshohet se ka marrë disa milionë euro në ryshfet, ose për kontrata sponsorizimi ose për të favorizuar ofertat e Rio de Janeiro dhe Tokios për Lojërat Olimpike 2016 dhe 2020.

Massa Diack ka qenë në listën më të kërkuar të Interpolit që nga dhjetori i vitit 2015, por qeveria senegaleze refuzon ta ekstradojë atë në Francë.

Vetë Takeda, i cili aktualisht është nënkryetar i Komitetit Olimpik të Olimpiadës 2020, është marrë në pyetje në vitin 2017 në Japoni, për llogari të drejtësisë franceze. Kjo e fundit po e heton rastin në fjalë me dyshimin se fondet e përfshira mund të jenë pastruar në Francë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje