Portieri i Arsenalit Petr Cech ka deklaruar se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli.
36-vjeçari u bashkua me skuadrën e Arsenalit në qershor të vitit 2015 nga klubi i Chelseas, ku ai luajti për 11 vjet.
“Duke luajtur 15 vjet në Premier Ligë dhe fituar çdo trofe të mundshëm, ndihem sikur kam arritur gjithçka “, tha ish-portieri i kombëtares Çeke.
“Unë do të vazhdoj të punoj shumë me Arsenalin me shpresë që të fitoj edhe një trofe tjetër këtë sezon”.
Karriera e Cech ishte në dyshim në tetor të vitit 2006 ku ai iu nënshtrua një operacioni pas një dëmitimi shumë të rëndë pasi pësoi një thyerje të kafkës në një përplasjeje me Stephen Hunt të Reading.
Portieri qëndroi jashtë për tre muaj dhe që atëherë ka mbajtur veshur një mbrojtëse gjatë ndeshjeve.
“Ky është sezoni im i 20-të si lojtar profesionist që kur kam nënshkruar kontratën time të parë profesionale, kështu që ëhstë koha e duhur për të njoftuar se do të dal në pension.
Cech erdhi në Angli duke nënshkruar me Chelsean nga klubi francez Rennes në korrik të vitit 2004.
Ai fitoi 13 trofe me “Blutë e Londrës”, përfshirë një Champions League dhe katër tituj të Premier League.
Ai gjithashtu vendosi një rekord në klubin e Chelseas duke zhvilluar 228 ndeshje në të gjitha garat, duke mposhtur ish portierin e Anglisë, Peter Bonetti, që luajti 208 ndeshje mes viteve 1960 dhe 1979.
Cech humbi vendin e titullarit që pas ardhjes së belgut Thibaut Courtois përpara se të bashkohej me Arsenalin dhe t’i ndihmonte Gunners të fitonin FA Cup në vitin 2017. (TemA)