Një nga kërcënimet për shëndetin global është hezitimi për vaksinat. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shtuar këtë rrezik potencial në listë, krahas ndryshimeve klimatike dhe rezistencës së rritur të viruseve ndaj antibiotikëve.
Hezitimi për vaksinat kërcënon me humbjen e progresit të bërë deri tani kundër sëmundjeve të parandalueshme. Vaksinat janë një nga mënyrat më efektive dhe me pak kosto kundër sëmundjeve. Ato parandalojnë 2-3 milionë vdekje në vit dhe do të shmangnin edhe 1.5 milionë të tjera nëse mbulimi me vaksina do të ishte më i madh.
Midis kërcënimeve të tjera të identifikuara si prioritete për këtë vit është edhe ndryshimi i klimës dhe rezistenca ndaj antiobiotikëve, krahas prioriteteve të “vjetra” si sëmundjet jo të transmetueshme, epidemitë globale të gripit, kriza humanitare që rrjedhin nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, që prekin rreth 1.6 miliardë njerëz, Ebola dhe patogjenë të tjerë vdekjeprurëse, kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor në shumë vende, ethet tropikale dhe HIV-i.
OBSH thotë se këtë vit do të nisë zbatimi i planit strategjik pesëvjeçar për të arritur objektivin “tre miliardë”.
“Do të bëjmë të mundur që një miliard njerëz më shumë të kenë mbulim universal shëndetësor, që një miliard më shumë njerëz të jenë të mbrojtur nga emergjencat dhe një miliard më shumë të kenë shëndet më të mirë”, parashikon OBSH-ja. (TemA TV)