Pasi u shpall zyrtarisht si kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, Jarit i hipi një mallëngjim, por edhe një krekosje e papritur.
E ndjeu veten sërish si në kohërat e arta të Presidencës, kur nderohej dhe vlerësohej, dhe nisi të përfytyronte se si do të shtohehin numrat tek lista e kontakteve të celularit, që kishte përfunduar deri dje vetëm në 3 demokratët e Kombinatit dhe demokratin Thërmija të Durrësit.
Duke imagjinuar se si do të bëhej prapë një njeri i rëndësishëm, i vetëtiu në kohë ideja që t’i linte prapë mustaqet, por nuk ishte i sigurtë nëse do t’ia pranonin në shtëpi, ose jo.
Me këto mendime optimiste në kokë, nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm, pa pritur të dilte lista e re e Kryesisë, sepse e konsideronte një formalitet atë:
“Të nderuar demokratë, Jari ju informon.
Më në fund po rikthehem sërish midis jush me atribute të plota, duke ju premtuar se akoma nuk e kam thënë fjalën e fundit.
Rikthimi im i bujshëm, por edhe të gjithë zgjedhjet e tjera, kanë nxjerrë në pah disa kritere të qarta se si mund të bëhet karrierë në PD, në kushtet e reja.
1-“Qingji i mirë pi dy nëna” është parimi kryesor, të cilit nuk i kalon asnjëherë koha.
Që do të thotë se duhet ta kesh mirë njëkohësisht me të dy familjet, si me atë të Doktorit, ashtu edhe me atë të Lulit.
Rasti më tipik i këtij harmonizimi jam unë, dhe shpërblimi nuk vonoi.
Ndërsa të gjithë ata që kanë mbajtur anë, e kanë pësuar.
Salianusi, Grigja dhe Hekurani i Devollit për shembull, e hëngrën ngaqë u bënë me Lulin, kurse Flamur Noka, Flor Mima dhe Aldo Bumçi, sepse zgjodhën Doktorin.
2-Ata që mendojnë se mund të shajnë Doktorin dhe Lulin lart e poshtë dhe nuk do t’u hyjë gjemb në këmbë, e kanë shumë gabim.
Sepse të gjithë do të kenë fatin e Myslim Murrizit, në rastin kur e bëjnë publikisht, dhe të Ennos me 2 “n” dhe të Bardh Kadillit, në rastin kur e bëjnë fshehurazi.
3-“Nderi ka afat” është parimi tjetër mbizotërues për të mbajtur vendin e punës dhe ta harrojnë ata që kanë paguar një herë për deputet apo kryetar bashkie, se e kanë mbyllur punën me Lulin dhe me kunatin e tij.
Çdo marrëveshje në PD do të rifreskohet minimumi në çdo dy vjet, dhe maksimumi në çdo katër vjet.
Kjo vlen që nga Agron Shehaj, i cili kapi edhe vlerën më të madhe të ankandit, e deri tek Minushja, që kandidon për udhëheqëse për të plotësuar numrin.
4-Tendencat pro LDGP janë të mirëpritura në udhëheqjen e re, dhe kjo ka të bëjë me faktin që ne duhet të marrim edhe nga e majta për të ardhur në pushtet.
Tashmë mund të krenohemi se numrin dy të partisë e kemi përfaqësues të denjë të këtij komuniteti, ndërkohë që shenja të tilla vihen re edhe tek drejtues të tjerë, që janë thirrur nga Luli për të kontribuar që nga viti 2013 e deri më sot.
Ndaj do t’ju këshilloja që për të bërë përpara në PD duhet të ndiqni këto 4 amendamente, dhe suksesi është ngjarje e sigurtë.
I juaji, Jari
(Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD)”