Shkupi renditet i pari për nga ndotja e ajrit, duke iu bashkangjitur grupit të vendeve që njihen për këtë si India, Bangladeshi e Pakistani.
Prania e grimcave PM10 dhe PM 2.5, sipas stacioneve matëse ka kapërcyer normat e lejuar madje për dhjetëra herë.
Drejtuesit e kryeqytetit të Maqedonisë, kane nisur me zbatimin e masave urgjente për mbrojtje nga ndotja e ajrit. Transporti publik nga sot bëhet pa pagesë, me qëllim të uljes së numrit të makinave në qarkullim.
Në këtë kuadër, çmimet e parkingjeve janë dyfishuar, ndërsa janë ndërprerë edhe veprimtaritë ndërtimore. Inspektorët janë urdhëruar të bëjnë kontrolle të rrepta në lokacionet ku dyshohet se bëhen djegia e gomave dhe materialeve tjera helmuese.
OJQ-të kanë kërkuar masa afatgjata, si subvencione për ndryshimin e mënyrës së ngrohjes si dhe masa në sektorin e ndërtimtarisë, ndërprerjen e punimeve apo mosdhënien e lejeve për ndërtesa shumëkatëshe, që pengojnë qarkullimin e ajrit si dhe masa tjera.
Ky qytet është ndërtuar në një luginë, ku në disa kohë të vitit, veçanërisht në dimër, ajri nuk lëviz fare. Ai shpëton vetëm po të hiqen makinat me karburant, të futen ato elektrike, tramvajet, biçikletat. Po ashtu të zhduken emetimet industriale. Kur punonte dikur HEKURANA, uzinat e shkrirjes së hekurit e skrapit, qyteti mbulohej me blozë brenda ditës.