"Paketa antishpifje" dhe ironia e Xha Arifit

29 Janar 2019, 19:49Blog TEMA

 

Kristo  MËRTIRI

                         –

Shumë llafollogjira po dëgjojmë e këndojmë nëpër gazeta e televizione, për një paketë(jo me cigare) me kapituj e nene qeveritare kundër shpifjes në media. Medemek “të mos cënojmë dinjitetin, të drejtat dhe liritë e njeriut”! Kaq shumë vuajnë e përpëliten edhe natën në gjumë disa kokorocë me kolltuqe zyrtare ? Kohët e fundit, bëre mirë që shkrove dhe i mëshove fort idesë agolliane se shtypi nuk është kurrsesi si armët pa leje. Vecse për këtë paketën taze që ndryshon e kullandris Ligjin për Median, sikur po rri këmbëkryq përmbi selishtë.

Kaq shpejt e harrove kalvarin tënd hetimor e gjyqësor 23 vite më parë, pasi u kishin grabitur dhunshëm gazetën “Bashkimi” e të hodhën në mes të katër udhëve dhe nuk donin të të jepnin as thërrimet e “asistencës sociale”?!…Ti, nuk shpife kurrë. Por në një shkrim të botuar në “Kombi” me firmën e tjetër kujt dhe pas padisë së SHIK-ut me firmën e Gazidedes, cuditërisht gjykata e Kryeqytetit të dënoi me një million lekë të vjetra ! Atëhere, nuk ishin pak apo jo ? Ndërsa sot është dhjetëfishuar në atë paketë terrori financiar e psikologjik. Ta besojmë vërtet si një sulm prapa shpine kundër Lirisë së Fjalës ?! Themi “prapa shpine” sepse 4 organizata ndërkombëtare të Medias folën hapur e publikisht, pa bajame nëpër dhëmbë : “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura”. Kush kërkon ta rikthejë atë kohë të nëmur ? Aq më keq kur na bën me dije se AMA dhe Këshilli i Ankesave mund të vulosin gjoba mbi 8 mijë euro dhe madje të urdhërojnë vënien e drynit në ato redaksira “rebele” !…Aman, moj AMA, t’u bëfshim kurban, mos e ngri atë “këshill censure”, mos kopjo qeveritarë e juristë militantozuzarë ! Ore babam, a di ti se kush të gjykoi e dënoi halldupce në Gjykatë ? Po ta themi ne : Një ish teknike ndërtimi dhe ushtare nga më shembulloret e SHIK-ut, që u ormis e bitis në atë kursin varrmihës të plepave në Durrës ! Që më vonë u shpërblye jo pak nga partia e parë opozitare në Shqipëri, me një post në shkallë vendi e të miratuar edhe në Parlamentin e 1000 cudirave, post për “mbrojtjen” e të drejtave të Njerëzisë (?!). Ulëri po deshe…

 

Ajo Paketa Antishpifje, në fund të fundit do të jetë një tjetër “këmishë antiplumb” për qeveritarë e zyrtarë memurë. Dhe nuk mund të pagëzohet fët e fët “vendim historik”, sipas brockullës që lëshoi Taulant Balla pas gjyqit karnavalesk me Lul Bashën ! T’i rikthehesh me “përgjërim” asaj të kaluare të zezë për Median, në vitin 2019, nuk mund të mjaftohesh me vënien e duarve në kokë ap thjesht me rënkime e mallkime. Pushkatimi ekonomik i të gjallëve nganjëherë ua kalon edhe qelive ku të shërbejnë falas gardianë, mjekë, kuzhinierë e hotelierë, psikologë e gjithologë të OJQ-ve të mbytura me mashtrues e demagogë. Sepse kurrizi i taksapaguesve shqiptarë është bërë më i butë se barku !…

-“Ti, miku ynë i vjetër, e more vesh vonë të vërtetën e plotë : Po të ishte shkruar gjëkundi qoftë edhe një herë, përshembull, etiketimi “Kryeredaktor” apo “Autor i shkrimit”, me siguri do kishe provuar prangat e Policisë shpellare(sipa një Ligji anadollak). Nga të vetmit burra të mencur e me mandat të përjetshëm popullor, që të doli publikisht në mbrojtje, ishte patriarku i Publicistikës së ndershme, Dritëroi ynë i dashur. I ndrittë shpirti atje ku prehet !…Asnjë parti politike nuk u prononcua.                             Koha, historia e memoria popullore mbajnë shënim. Për cilindo që merr frymë në këtë vend të trazuar. Ato s’gabojnë kurrë. Se pushtetet vijnë e shkojnë, me “paketa” e trumpeta, me lëpirësa e pështymhedhësa dhe anasjelltas,me intriga e shiringa karrieriste, me servilë e debilë, me brryla e rryla, me ethebutë e rekrutë, me vipa e rripa, me poshtërsira e qelbësira, me kukudhë e të paudhë, me vila e llogarira, me hileqarë e tinzarë etj. etj. Shkurt, të tjerë punuan, luftuan e u munduan, të tjerë në tepsira e sofra u shtruan ! Përvoja mbi 40 vjecare në Gazetari nuk është aspak e rëndomtë. Është thesar i vecantë. Kam parë e dëgjuar mjaft prototipa të pushtuar nga ethet e kolltukut, nga tamahqarllëku e pangopësia, nga “paraja-maskaraja” që shpesh nuk pyet as për babë e nënë. Dhe për veten e tyre gjoja respektojnë Kodin Civil e Penal, ndërsa për të tjerët kërkojnë “thelë mbi bisht” shtesa e mbulesa, të meta e paketa. Gjithnjë në emër të mbrojtjes nga shpifja (?). Por kësaj i thonë të shpëtosh nga lumi e të biesh në det ! Sepse hakmarrja e pushteteve nuk i nxjerr kollaj kthetrat. Ajo po bëhet gjithnjë e më e rafinuar, më dinake e më djallëzore ndaj njeriut të ndershëm, krejt ndryshe dhe e veshur tebdil a me maskë “ëngjëllore”. –Shyqyr që erdhi në Presidencë akademiku e intelektual i vërtetë dhe i pakorruptuar, Profesori i nderuar Rexhep Mejdani, se do hiqje picirin ! Është fjala për Amnistinë e shpallur prej tij dhe ndryshimet e Ligjit ogurzi në Parlament… Ama, kur u ktheve nga mërgimi fatgremisur, shumicën e atyre gjyqtarëve në tërë shkallët i gjete duke notuar në luksin e pasurisë së pistë. Gjer më sot edhe Vettingu bubullues nuk ua ka prishur hic terezinë…

Duke përfunduar këto shënime e përsiatje rreth të ashtuquajturës “Paketë Antishpifje”(vec të tjerave, si iniciativë kundër rekomandimeve të OSBE), mbrëmë u trishtova kur befas mu faneps një gjurmë e pashlyeshme e me përmasa tragjikomike mga Podgorani i Dëshnicës së Përmetit. Përfytyrova plakun e mirë e të mencur, Arif, që kishte lënë herët Francën për vendlindjen e tij të shenjtë e të shtrenjtë. Kishte punuar shumë. Por kish parë edhe dynja me sy, përtej Trebeshinës e Detit Adriatik. Mirëpo, në jetë qëllon jo rrallë që “mendja e madhe është edhe e zeza e ta zot”. Në këtë rast nuk është aspak fjala për fodullëkun e mëndjemadhësinë. Vecse ndonjë ngjarje nuk i kapërcen dot as sot kufijtë e të pabesueshmes.

Ishin vitet e fundit të tatëpjetës moniste. Të duket ende sikur do të bjerë tavani mbi kokë kur e dëgjon. Ishte koha kur duhej plotësuar “plani i goditjes” sipas atij nenit absurd 55 “për agjitacion e propagandë” kundër pushtetit ! Xha Arifit gjuhëzgjidhur e asnjëherë gjuhëpërdredhur, i shpëtonin shpesh fjalët “Këta gënjejnë, më besoni mua…”, sa herë shkeleshin me këmbë të vërtetat.

Por ca kokëtulë “vigjilentë” e që nuk përtonin të jepnin prova “besnikërie”, e bënin hardhinë murriz. Dhe informonin menjëherë për “shpifjet e armikut të klasës”. Dha kalavari i tmerrshëm tashmë dihet. “ Thirri mendjes, Arif ! Do marrësh më qafë familjen, me farë e me fis…”. Dhe u bë gjyqi i paharruar, ku do të jepej vendimi në emër të Republikës, për heqjen e Lirisë dhe vuajtjen e dënimit në burgun e Ballshit, në pleqëri të thellë ! Xha Arifi ishte mendje femër, i zgjuar, dinjitoz e i zoti. Por nuk ua ktheu dot yxhymin donkishotesk prokurorëve e gjyqtarëve që u kish vdekur mendja. Erdhën castet kur do thoshte fjalën e fundit edhe për akuzën se “Radio-Tirana a gazetat gënjejnë”. Ashtu i qetë, gjakftohtë, me fjalën ironike si brisk me dy presa e plot vërtetësi, iu drejtua trupit gjykues vetëm me dy a tre fjali mbrojtëse: “ –Unë dëgjoj përnatë parashikimin e motit në Radio, të nesërmen marr edhe gazetën. Ju lutem, mos kërcisni karriget, nuk po tallem. Fjala vjen, mbrëmë u tha e u shkrojt nga Tirana se sot do kishte diell e hic vranësira në nahijen tonë. Tani, sic e shikoni, jashtë po bie shi me gjyma ! Më thoni ju, u kam rixha, kush gënjen e shpif vallë ?!…

2 komente në ““Paketa antishpifje” dhe ironia e Xha Arifit”

  1. Petriti says:

    Drejt e ke o zoti Kristo. Shpiken paketa e sterpaketa per ta spostuar vemendjen gjetke, jo te problemet qe ka vendi aktualisht. Ndaj dhe nuk hiqet dore prej saj e per ta miratuar ne parlament. Kesaj i themi ne: o xhixhi, o xhixhi, ku me rreh mua e ku te kruhet ty. Ndaj dhe keto lloj paketash antishpifje jane te deshtuara, pa lindur mire. Justifikime si ato te kryeministrit, se kjo u beka per te unifikuar legjislacionin duke perfshire dhe median online, qe sipas tij eshte jashte legjislacionit, jane me nder pordhe me rigon.

  2. Fidua says:

    Ben mire gazetari qe i kthehet ketij problemi qe sikur keto kohe eshte lene ne heshtje. Ckerkon Rama? Te burgos kritiket e tij dhe qeveritarve te tij. Diktatori do diktature. Ne Kodin Civil ka dispozita per denimin e shpifjes. Dhe keto, por sidomos paketa qe kerkohet kufizojne lirine e shprehjes, ajo behet kercenim serioz per median, per ti mbull gojen asaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje