Partizani, java e 20-të shans për arratisje

29 Janar 2019, 11:40Sport TEMA

Nëse java 19 i dha një start premtues Partizanit në rrugën drejt titullit, e 20-ta mund të konsolidojë më shumë kreun, pasi të kuqtë kanë përpara mundësinë e arratisjes së madhe.

Në një javë ku mungojnë përballjet direkte, kryeqytetasit shihen si më të favorizuar ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë, jo vetëm për emrat e kundërshtarëve, por edhe nga fakti që luajnë në fund, duke mbyllur javën.

Në Superiore nuk ka ndeshje të lehta apo kundërshtarë të thjeshtë, por një ndarje e skuadrave në bazë të cilësisë tyre ekziston.

Partizani do të luajë të dielën, në orën 14:00, ndaj Kamzës, në shtëpinë e kësaj të fundit, aty ku edhe tifozët pritet të jenë të shumtë.

Situata jo e mirë tek formacioni i Ernest Gjokës pas dy humbjeve radhazi në Kupë dhe kampionat, marrëdhënia jo e mirë e presidentit Qarri me kryetarin e bashkisë, Mziu, por edhe mungesa e qendërmbrojtësit Orjad Beqiri shihen si një avantazh për Partizanin në këtë 90-minutësh.

Kukësi i vendit të dytë luan në një transfertë delikate, në Vlorë ndaj Flamurtarit, që ka edhe ai probleme të mëdha. Largime nga skuadra, mungesa për arsye kartonësh, por fakti që mbetet një skuadër e fortë me një trajner ekspert e rrit koeficientin e vështirësisë për verilindorët, shkruan SS.

Mësimet duhet t’i marë nga Teuta, që fundjavën e shkuar nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në “Niko Dovana”, edhe pse vlonjatët luajtën për shumë minuta me 10 futbollistë.

“Djemtë e Detit” kanë ndoshta ndeshjen më të vështirë, pasi luajnë në kryeqytet ndaj Tiranës. Bardheblutë kanë gjetur entuziazmin me dy fitore radhazi, duke treguar një formë në rritje.

Pikërisht ky kombinim i 3 skuadrave kryesuese mund të bëjë që në përfundim të javës 20 Partizani të ketë marrë arratinë, edhe pse diçka e tillë nuk vendoset në letër, por në fushën e lojës, aty ku skuadrat duhet të djersijnë për të marrë maksimumin, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje