LDK dhe Vetëvendosje bëhen bashkë: Thaçi nuk ka autoritet të negociojë marrëveshje me Serbinë, çdo gjë të kalojë nga Parlamenti

6 Shkurt 2019, 14:30Rajoni TEMA

LDK dhe Vetëvendosje kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd dhe rolin e presidentit Thaçi në to. Pas një takimi të dy krerëve, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, LDK dhe Vetëvendosje janë shprehur të vendosura për t’u angazhuar për shtetin e pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe institucional, me sovranitet shtetëror dhe kufij të pacenueshëm.

Sipas komunikatës së përbashkët, çdo vendim në lidhje me marrëveshje të mundshme me Serbinë duhet të merret nga Parlamenti, në mënyrë transparente dhe me 2/3 e votave. LDK dhe Vetëvendosje vlerësojnë se presidenti nuk ka autoritetin për të negociuar marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë.

Dy partitë e kushtëzojnë marrëveshjen me Serinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe e shohin idenë një konference ndërkombëtare si të papranueshme, pasi kështu mund t’i hapet rrugë ndikimit të Kinës dhe Rusisë.

Deklarata e përbashkët

Duke pasë parasysh krizën politike për shkak të iniciativave të papërgjegjshme, jolegjitime dhe jotransparente të Presidentit të Kosovës, dy kryetarët e partive opozitare që njëkohësisht janë edhe dy partitë më të mëdha në Republikën e Kosovës, vlerësojnë se:

1. Negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e përfaqëson shumicën parlamentare.

Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të Kuvendit. U vlerësua se duhen trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, përkatësisht realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre. Presidenti i Republikës duhet të sillet në harmoni me Kushtetutën, ai nuk gëzon asnjë autoritet për të negociuar aspekte ndërshtetërore me Serbinë, për faktin që ato prekin esencën e parimeve të demokracisë kushtetuese në Kosovë.

2. Negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë. Një përcaktim të tillë Kosova e respekton duke u bazuar në premisën juridike të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilën ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe e cila gjithashtu reflekton qëndrimin e vendeve kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo ikje nga një themel i tillë është mohim i rrugës për shtetndërtim të Republikës së Kosovës bazuar në intervenimin ndërkombëtar humanitar të NATO-s, rolin e rezistencës paqësore dhe luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, vlerat demokratike që mbron populli i Kosovës, si dhe Opinionin e GjND-së që i njeh legalitetin një rrugëtimi të tillë të përcaktimit liberal të normave të së drejtës ndërkombëtare.

3. Një marrëveshje me Serbinë nuk mund të shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur një marrëveshje me Kosovën. Prandaj, kjo është e vetmja gjë që Kosova mund t’i japë Serbisë, në këmbim të njohjes së saj të shtetit të pavarur të Kosovës, pranimit të parimit të mos-intervenimit në punët e brendshme të Kosovës, njohjes së aftësisë juridike të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, si dhe adresimit të dëmeve e humbjeve të luftës dhe principit të reciprocitetit për marrëdhënie të mira fqinjësore.

4. Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njohë përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare. U vlerësua se thirrja e një konference ndërkombëtare do të jetë e panevojshme dhe e papranueshme, meqenëse do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës i cili është përmbyllur në vitin 2008 dhe nuk mund të kthehet mbrapa në asnjë nga elementet e shtetësisë së saj.

5. Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë. Askush nuk mund ta rivlerësojë atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive perëndimore për një gjë të tillë.

5 komente në “LDK dhe Vetëvendosje bëhen bashkë: Thaçi nuk ka autoritet të negociojë marrëveshje me Serbinë, çdo gjë të kalojë nga Parlamenti”

  1. zenelaj says:

    hohoho u puqen me ne fund dy telat e violines serbe.Paskan marre urdherin O sot o kurre.

  2. Krenar Kosova says:

    Ta gezoni pamvaresine. Edhe ne e gezuam. Bar hengrem por koken nuk e ulem para imperialisteve Amerikane dhe Socialimperialisteve Sovjetike. Kjo beri qe shoku Enver te vdiste rehat ne shtratin e tij. Shqiptaret jane krenare edhe pa breke ne b…..
    edhe kur jetojne me therimet e kapitalizmit boteror.

  3. s.g. says:

    Albin Kurti si filozof mendimesh politike kishte qenë mirë të elaboron mendimin politik rrezistenca paqësore çka mbron dhe a është në gjendje ta përballon dhe ta largon dhunën dhe shtypjen dhe se a ekziston Kundëndërshtimi paqësor përdryshe lëvizj et e tija janë bërë sa te Hasa e as te Husa

  4. Analisi Amator says:

    Koleksion fjalesh te medha, por pa llogjike. Thaci dhe Parlamenti jane nje dhe nuk perjashtojne njera tjetren. Fakti qe neqofte se arrihet marreveshje midis Thacit dhe Vucic, marreveshja do kaloje ne Parlament nuk presupozon qe Thaci nuk ka e drejte te negocioje. Ne thelb duket qarte qe LDK dhe Vetevendosja nuk duan qe “konflikti i ngrire” te zgjidhet. Veshtiresite qe ata vene, sic eshte dy te tretat e parlamentit nuk jane reale. Ne praktike kjo do te thote qe marreveshja asnjehere mos te miratohet dhe me kete rast Kosova te mbaje pergjegjesi para Amerikes dhe Evropes dhe bashke me pergjegjesine edhe konsekuancat. Ne kete rast Serbise I hapet rruga per ne Evrope sepse faji eshte I Shqiptareve. Praktikisht do ndiqet e njejta procedure si dhe ne Maqedhoni. Do kalohet ne referendum. Po qe se referendum hedh poshte marreveshjen, mbetet opcioni tjeter miratimi ne parlament me dy te tretat. Pra neqofte se referendum miraton marreveshjen, nuk ka me nevoje per Parlament. Theksimi i Parlamentit nga zoterinjte ne fjale eshte barrikada qe Isa Mustafa dhe Albin Kurti mundohen ti vene marreveshjes se mundshme. Kemgulja per “tu llogaritur dhe ata” ne kete ceshtje eshte synimi qe vec interesave te Kosoves te vihen ne pikepyetje dhe interest Amerikane dhe ato Evropiane qe jane aq te interesuar ta mbyllin kete kapitull. Qe te mos zgjatem shume me sinqeritet shikoj qe kjo deklatare eshte nje hiprokrizi e rradhes. Ata mendojne qe duke rreshtuar deshirat shqiptare ne kete ceshtje do arrijne qe Shqiptareve do tu erren syte dhe te dalin kunder interesave te veta. Ne thelb ketyre te ashtuquajturve politikane une do u vija qylafin e Plakut te Vitit te Ri ne koke dhe do u thoshja qe te pyesnin kalamajte se cduan ata per Vitin e Ri. Me platformen qe ata shtrojne me duken bash si Plaku i Vitit te Ri.

  5. Piro says:

    Kosova vertet nuk harron kontributin e SHBA etj por kjo Pune nuk kalon me nje falemnderit. Prej 20 vitesh aleatet paguajne miliarda per sigurine e Kosoves. Nese terheqin trupat e tyre ne Kosoves cfare do thone keta zotrinjte?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje