Armando Duka, kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka mbërritur në Shqipëri, pas zgjedhjes së tij si anëtar, i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Duka në fjalën e tij para mediave ka folur për vështirësinë që ka pasur dhe jo vetëm.
Ai ka thënë: “Të bindësh 36 nga ata që të kanë votuar nëpërmjet punës që ke bërë apo nëpërmjet arritjeve që ke bërë në futbollin shqiptar nuk është e lehtë”, shkruan Panorama Sport
Nëpërmjet kësaj zgjedhjes, është një mundësi për të pasur fonde më shumë për futbollin shqiptar?
Nuk është se funksionon kështu, nuk është se UEFA lejon atë që është në qeveri të marrë një pjesë të madhe nga torta për vendin e vet. Po të gjithë bashkë kontribojnë për mbarëvajtjen e futbollit në Europë, për zhvillimin apo arritjen e objektivave dhe realizimin e strategjive që ka vendosur UEFA, të cilët punojnë të gjitha administratat apo Komiteti Ekzekutiv.
Federata ka aplikuar për të zhvilluar një aktivitet Superkupa e Europës, tashmë është një votë më tepër?
Ne meritojmë që me ndryshimin e infrastrukturës në Shqipëri dhe me përfundimin e stadiumit të Elbasanit apo atij të Shkodrës dhe në këtë vit ne kemi objektiv që në Shqipëri që në qershor të luajmë në stadiumin kombëtar në ndeshjen kundër Moldavisë. Meritojmë të bëjmë aktivitete ndërkombëtare. Kështu ne kemi aplikuar qoftë në FIFA apo në UEFA, për ato aktivitete që mund të përballojë infrastruktura shqiptare për të rinj apo të reja ose turne. Por, pse jo dhe për një ndeshje si finalja e Superkupës së Europës apo të Nations League. Do të vazhdojmë të aplikojmë nuk besoj se kjo do të ndikojë më shumë se sa arritjet që ka Shqipëria në ndryshimin e infrastrukturës.
Data miqësore në ndeshjen me Moldavinë do të jetë data zyrtare për të luajtur në stadiumin e ri?
Ndeshja zyrtare me Moldavin është data zyrtare. Afati i përcaktimit apo i njoftimit të stadiumit ka qenë dje dhe ne kemi lajmëruar UEFA-n si organizatore që do të jetë stadium i Tiranës. Kjo ndodh për t’i dhënë një objektiv vetes, kompanisë, Bashkisë, e cila ka disa gjëra për të bërë në sheshin përpara, për ta përfunduar në këtë kohë dhe për të bërë një ndeshje test miqësore para saj dhe për të zhvilluar ndeshjen kundër Moldavisë, në qershor.
Zgjedhja juaj a është një mburrojë më tepër për shqiptarët në Europë duke pasur çështjen e Skënderbeut?
Nuk është se Komiteti Ekzekutiv merret me të tilla gjëra. Komiteti Ekzekutiv bën strategjinë vendimarrjen e realizimit të politikave. Është një përfaqësim për të realizuar ato strategji dhe politika të UEFA-s.
Në planin personal, sa kënaqësi ju jep që jeni pjesë e përfaqësisë së UEFA-s ?
Nuk mund ta fsheh që jam i kënaqur që si përfaqësues i FSHF-së hyjë në një garë dhe vlerësohem nga një pjesë e mirë e Eurpës dhe jam vërtetë i kënaqur, që arrijë në atë podium të jetë Shqipëria.