Dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e fabulës

13 Shkurt 2019, 10:14Blog TEMA

Nga Mustafa Nano*

Ja një lajm interesant: Basketbollisti serb Nikolla Kaliniç, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ka thënë mes të tjerave se “mjaft më me Kosovën, le të merremi vesh me shqiptarët dhe le të shohim përpara; lëri të tjerat, por nuk jemi as ata që ne kujtojmë se jemi, sot jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës dhe në kundërshtim me ç’thuhet e besohet prej nacionalistëve, nuk jemi një popull qiellor, asnjëherë nuk kemi qenë”.

Siç shihet, nuk është se thotë ndonjë gjë kushedi se çfarë. E megjithatë në Serbi nuk janë të shumtë ata që i mendojnë, e aq më pak, ata që i thonë gjëra të tilla. Dhe është ky fakt që më së shumti e komprometon shoqërinë e sotme serbe: Pafuqia për të menduar, apo frika për të thënë, gjëra kaq të qarta, të kuptueshme, logjike, normale. Në këtë kuptim, basketbollisti Kaliniç meriton të duartrokitet e të përshëndetet.

Meriton të përshëndetet që është mendjehapur, që ka guximin për t’iu kundërvënë histerive e paranojave nacionaliste në vendin e vet, e në përgjithësi për të thënë ca të vërteta të thjeshta e bazike që bien keq në veshin e shumicës, në mos në veshin e të tërëve, ndonëse për këtë i duhet të paguajë një kosto. Ka rrezik që të shpallet – ju kujtohet drama e Ibsenit? – “armik i popullit”.

Dhe Enver Robelli ka bërë mirë që ia ka sjellë lexuesit shqiptar këtë ngjarje. Mirëpo unë dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e kësaj fabule. Unë kam frikë se Robellit në këtë mes thjesht i ka pëlqyer fakti, që një serb denoncon sojin e vet. Ndodh shpesh mes nesh kjo gjë, apo jo?

Ne kënaqemi pa masë kur marrim vesh se ndonjë serb mban qëndrime kritike ndaj establishmentit politiko-kulturor e ndaj shoqërisë së vendit të vet. Po kështu, edhe kur ndonjë grek është kritik ndaj marrëzive greke. Dhe këtë kënaqësi nuk e provojmë ngaqë na emocionon e vërteta, apo guximi për të thënë të vërtetën, guximi për të lënduar tabú të paprekshme, e në përgjithësi për të denoncuar fiksime e paragjykime kolektive.

Jo, jo, ne kënaqemi që një serb apo grek bëhet medemek “antiserb” apo “antigrek”, ne kënaqemi, pasi kjo kritikë, në mendjen tonë, është një gjë që provon bindjen tonë se serbi është i lig, greku është i lig, ja, edhe vetë po e thonë, apo se vetëm shqiptari është i mirë. O sa mirë me qenë shqiptar!

Jam i prirur të besoj që Enver Robelli e ka mirëpritur këtë qëndrim të Kaliniçit bash për këtë arsye. Të ishte ndryshe, ai nuk do të kishte dalë publikisht – sa për të marrë një rast, ë? – për të shprehur ngazëllimin e vet prej gjestit të Xhakës e Shaqirit gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, përkundrazi, do ta kishte kritikuar këtë gjest krejt të pavend e provokativ, do ta kishte kritikuar me po atë disponim antinacionalist, që në këtë rast e ndihmon të pëlqejë Kaliniçin, do ta kishte denoncuar si një teatër që nuk ka fare lidhje me atdhedashurinë e patriotizmin, ose që të jem më konkret, nuk ka fare lidhje me çfarë Robelli ka pëlqyer kaq shumë te Kaliniçi.

Veprimi i Kaliniçit nga njëra anë dhe ai i Xhakës e Shaqirit nga ana tjetër bien ndesh me njëri tjetrin. Nuk mund të ekzaltohesh prej të dyve. Mund të ekzaltohesh o prej njërit, o prej tjetrit. Prandaj Robelli, mendoje pak këtë punë!

*Monologu i emisionit ‘Provokacija’

5 komente në “Dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e fabulës”

  1. fati says:

    ky eshte me serb se vet serbet. as ambasadori serb ne Tirane nuk e mbrone Serbine dhe serbet me shume se nano.

  2. vang says:

    Muci::: E kane te ndaluar shqiptaret qe ne nje moment gezimi te imitojne flamurin kombetar?????.Mendon se futbollisti edhe pa luajtur me Serbine nuk do beje ate gjest??.Nuk eshte e vertete, sepse kete e bejne edhe kengetare,biles edhe te huaj.Flamuri kombetar nuk eshte ilegal dhe i pa ligjshem.Shume njerez kane bere tatuazhe etj. Si tja bejme ?Ti fshehim mos te na i shohin serbet?

  3. naim says:

    O debil maco provokat….po ndaj serbeve nuk kane bere shqiptaret krime dhe gjenocide,ate e kane bere serbet ndaj shqiptareve.Dhe ate cka ka bere ky serbi eshte krejt normale dhe duhet ta beje edhe politika dhe shtypi i Serbise.Por kjo nuk ndodhe dhe shtypi serbe ne 99% te rasteve merret me shpifje dhe jo me te jete i paanshem.Mediat dhe anal istat qo paguen nga Beogradi patjeter do mendojne si ti dhe nje pike uji ne halen e madhe u duket parfum.

  4. Timi says:

    Serbët janë të lig, dhe grekët janë të ligë. Kete e kanë vërtetuar ata jo se e themi ne kot.

  5. katarakti says:

    O Mustafa. Hiq dore nga kozmopolitizmi. Para se te marresh te tilla poza prej qytetari te botes, mjaftohu duke qene shqiptar. A e di ate shprehjen:”Kete nuk e qas fshati fare dhe ky do gocen e beut per grua!”. Keshtu eshte edhe puna jote me keto pozat e tua prej “open minded”! Prandaj behu edhe ti pak nacionalist. Shaqiri dhe Xhaka kane duf ndaj Serbise. Dhe kane te drejte plotesisht. Se prej 100 vjetesh ai vend i ka shtypur, persektuar, tallur, perçmuar te paret e tyre. Ashtu siç kane vepruar edhe Fuqite e Medha me kolonite e tyre ne Afrike, Indi e kudo. Vetem gjate luftes se fundit serbet kane vrare dhe perdhunuar me dhjetra mijera burra dhe gra kosovare! Ti me siguri do te thuash qe duhet te hedhim pas te kaluaren, te hapim nje kapitull te ri, te emancipohemi dhe te veprojme si Franca me Gjermanine dhe dokrra te tjera. Une mendoj se nuk mund te kete pajtim dhe drejtesi pa u kerkuar me pare falje per “veprimet” e gabuara. Per krimet, shtypjen, shfrytezimin etj etj. Ne keto çeshtjet nacionale dhe morale le shume per te deshiruar o Mustafa. Ndofta e ke nga nje lloj frustracioni ose kompleksi inferioriteti, me qe ke lindur andej nga Skrapari. Dhe do t’i mbushesh mendjen vetes qe sot je ku e ku me i perparuar se edhe qytetaret den baba den! Une kam njohur nje profesor te shquar te gjuhes shqipe. Qe fliste rrjedhshem (sans accent) nja 5 gjuhe te huaja. Dhe qe i trajtonte me perbuzje dhe keqardhje ata injorante qe vend e pavend perdornin fjale te huaja ne vend te shqipes per tu treguar te kulturuar ! Prandaj edhe ti mos u hiq si shume i kulturuar, shume kozmopolit, shume europian, shume trendy etj etj. Se tregon veçse injorance. Miqesisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje