Gjykata e Korçës ka liruar nga burgu Gerd Gjinararin, i njohur ndryshe si “Gerd Gjenerali”.
22 vite më parë Gjinarari ka vrarë një ndër personat më të rrezikshëm të Tiranës, Naim Zyberin.
Vrasja e Zyberit është kryer në Itali, që në atë kohë tronditi edhe shtetin Italian, për nga mënyra se si u realizua.
Por si kanë rrjedhur përplasjet mes grupeve kriminale të Tiranës, që sollën më pas edhe vrasjen e Naim Zyberit.
“I forti i Tiranës”
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça.
Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe “Gerd Gjenerali”.
Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit.
Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të “Rrugës Bardhyl”.
Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë.
Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës.
Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë.
Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos.
Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen.
Më datë 6 gusht, Gerd Gjenerali, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën, bashkë me Arben Grorin, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje.
Vrasjet mes grupeve
Në fillim të viteve ’90, një grup djemsh të rinj, mes të cilëve Gazmend Muça dhe Naim Zyberi, që kishin mbledhur rreth vetes edhe të tjerë, si Franc Konomi e Fatos Keta, konsideroheshin si të fortët e Tiranës.
Por miqësia e tyre u prish për shkak të një sherri të rëndomtë mes Franc Konomit dhe vëllait të Gaz Muçës, Taulantit.
Franci e qëllon me shpullë Taulantin pse i kishte marrë pa leje motorin dhe pas gjithë kësaj, miqësia prishet duke bërë që në Tiranë të mbizotëronin dy grupe rivale.
Grupi i Gaz Muçës do mbizotëronte në territorin pranë Rrugës Bardhyl, ndërsa ai i Naim Zyberit në zonën e Trenit të vjetër.
Zinxhiri i vrasjeve mes dy grupeve nisi me ekzekutimin e Gaz Muçës nga një breshëri automatiku më 7 prill të vitit 1992, te një lokal në zonën e Xhamllikut.
Për vrasjen u dyshuan Naim Zyberi e Franc Konomi.
Më pas, vëllai i Gazit betohet se do hakmerrej dhe vret mikun e ngushtë të Zyberit, Fatos Ketën, pasi Zyberi ishte vrarë disa muaj më parë në Itali.
gjenerali i ushtrise se vdekur