Milani ia del në Bergamo, Piatek “djeg” Berishën dhe Gjimshitin

16 Shkurt 2019, 22:36Sport TEMA

Në një fushë të vështirë si ajo e Bergamos, ku pak skuadra ia kanë dalë, Milani gjunjëzoi Atalantën, duke e mposhtur me rezultatin 1-3.

Kuqezinjtë e Gattusos vijojnë me formën e mirë dhe me 3 pikët e marra në këtë transfertë përballë një rivali direkt, po fillojnë të konsolidojnë pozitat për një vend në zonën Champions.

Atalanta kaloi e para në avantazh, me anë të Freuler në minutën e 33-të dhe u duk se mbrëmja do të ishte e komplikuar për Milanin, por Piatek riktheu baraspeshën në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Në 45-minutëshin e dytë ishte Calhanoglu që kaloi Milanin në avantazh, ndërsa pak minuta më vonë, ishte sërish polaku Piatek, që shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për kuqezinjtë, duke vulosur fatin e takimit, shkruan SS.

Vlen të theksohet se titullarë në këtë sfidë ishin edhe dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha, të cilët gabuan përkatësisht në golin e parë dhe të tretë, në të dy rastet në favor të Piatek.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje