Skënder Minxhozi: Rama dhe protesta e sotme. Pse socialistët mendojnë mandatin e tretë

16 Shkurt 2019, 09:33Politika TEMA
Skënder Minxhozi: Rama dhe protesta e sotme. Pse socialistët

Zoti Minxhozi, ka një pritshmëri të lartë për protestën e opozitës. Ka nga ata që presin ndonjë element surprizë. A mendoni se këtë herë do ketë diçka ndryshe apo edhe ajo do kalojë si protestat e tjera, kur dihet se gjithmonë e më pak protestat po sjellin ndryshime të forta edhe nëpër botë. Çfarë mendoni se duhet të bëjë ndryshe opozita shqiptare, kur dihet se cilat janë mjetet e saj? 

Pritshmëritë për protestat opozitare të viteve të fundit janë fokusuar më së shumti në faktin nëse do të jenë ose paqësore. Edhe protesta e 16 shkurtit këtu duket se e fsheh “surprizën” më të madhe. Tezat e opozitës tashmë janë të njohura, kontestimi i saj ndaj Ramës është i qartë, por mjetet me të cilat vihet në pushtet nuk kalojnë përmes dhunës.

Ambasadori i OSBE mendoj se ka qenë mjaft i drejtpërdrejtë pardje, kur deklaroi se trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër drejt pushtetit. Hera e fundit që PD provoi dhunën para Kryeministrisë, qëndroi edhe për shtatë vjet të tjera në opozitë.

Ajo që opozita mund dhe duhet të bëjë ndryshe, është që të përpiqet të jetë sa më e besueshme për votuesin shqiptar, me ofertën e saj politike, ekonomike e sociale.

Sepse edhe në përgatitjen njëmujore të kësaj proteste vihet re pa shumë vështirësi mungesa e besimit të një pjese të mirë të shqiptarëve tek opozita zyrtare.

Për këtë arsye madhore opozita ka sot, fjala vjen, më pak forcë organizuese dhe mobilizuese edhe se studentët, të cilët mbushën brenda pak orëve sheshet e Tiranës për kauzat e tyre.

Politikanëve u mbahen mend fitoret, por mjaft e rëndësishme është mënyra se si dalin nga politika. Edi Rama ka folur për jetën e tij të tretë pas daljes nga politika. Por ai sapo ka fituar zgjedhjet, madje sinjalet janë se Rama mund të pretendojë një mandat të tretë. Si mendoni se do mbyllet karriera politike e Ramës?

Kësaj pyetjeje momentalisht është vështirë t’i përgjigjet edhe vetë i interesuari kryesor, pra Rama.

Pakkush mendonte se mandati i dytë i socialistëve, i fituar bujshëm 20 muaj më parë, do të hynte në një fazë gri si kjo e tanishmja. Garimi për një mandat të tretë për Edi Ramën mund të jetë një pashmangshmëri për PS, në momentin që partia s’ka aktualisht alternativa të gatshme dhe Erion Veliaj është ende i ri për barrën e qeverisjes qendrore. Gjithsesi rezultatin e asaj gare është e pamundur ta parashikosh që sot.

Të bën të ndihesh mirë ndërkaq fakti që një lider në detyrë thotë në mënyrë të përsëritur se do të largohet, duke mos u përbetuar se do të rrijë përjetësisht në zyrë. Krerët që betohen sesa mirë janë me shëndet dhe sesa pak i tregojnë vitet që kanë mbi supe, kanë qenë fatkeqësia e këtij vendi. Listën po jua lë juve ta bëni, pasi nuk është e gjatë.(Mapo)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje