Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka konfirmuar sot në një konferencë për shtyp Armando Cungun në krye të ekipit verilindor.
“Trajneri ka qenë pushim ditën pas ndeshjes, ka qenë në Shkodër si zakonisht. Tani vijon punën, nuk ka pasur asnjë vendim për ta larguar. Ka besimin tim absolut, sepse loja nuk ka qenë e keqe, përtej rezultateve,” – u shpreh për çështjen e trajnerit Cungu.
Pyetjes se përse lojërat e mira nuk po shoqërohen me rezultatet e kërkuara, Gjici iu përgjigj:
“Loja po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. E patë vetë në Durrës që luajtëm shumë mirë, mund të na jepej një penallti, ashtu si për Teutën. Ndoshta edhe arbitri e humbi qetësinë. Klubi nuk ka marrë asnjë vendim për trajnerin, përndryshe do ta kishim zyrtarizuar ne, si klub, jo mediat.”
Gjici më shumë duket se është irrituar nga fakti se media ka raportuar për shkarkimin e Cungut.
“Unë i marr vendimet pa ndikimin e askujt dhe nuk pushohet trajneri nga mediat. Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi e madhe për ndeshjet e ardhshme. Kamza nuk duhet nënvlerësuar, edhe pse renditet e fundit. I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Skuadra është cilësore, blerjet janë të shkëlqyera. Në Durrës më zhgënjeu mbrojtja, e papranueshme që humbëm ashtu, me 2 gola ne 3 minuta.”
Gjici e ka të qartë se Kukësi i tij është ende në garë për titullin kampion, i ndihmuar edhe nga fakti që Partizani nuk mori pikë në Laç.
“Skuadra ka eksperiencë, disa lojtarë janë kampionë. Duhet kohë për të gjetur ekuilibrat e reja. Jemi 3 ekipe për titull, edhe Teuta, pavarësisht se sillet si “nëndetëse”. Partizani merret vetëm me ne. Kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, përkundrazi, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës.