Flamurtari i jep dy “shuplaka” Skënderbeut në sfidën e zhvilluar në Vlorë, duke barazuar në kuotën e 33 pikëve pikërisht korçarët, që tashmë e kanë humbur prej kohësh statusin e skuadrës për t’u mundur, madje janë shndërruar në tabelë qitjeje nga rivalët e tjerë të Superiores.
Andi Ribaj dhe Emiljano Musta shënuan ishin autorë të dy golave për kuqezinjtë e Dajës, që me këtë sukses rritin më shumë shanset për t’u renditur në fund në zonën europiane.
Tashmë diferenca mes Flamurtarit të vendit të gjashtë dhe Kukësit të vendit të tretë është vetëm 5 pikë.
Sa i përket kronikës, Ribaj shfrytëzoi një krosim të saktë të Torasës në minutën e 64-t, duke “djegur” daljen e Dajsinanit për golin e 1-0, ndërsa në minutën e fundit shtesë Musta mposhti për herë të dytë portierin e korçarëve me një diagonale tepër të saktë brenda zonës.
Tirana zhgënjeu në “Selman Stërmasi” ndaj Luftëtarit, duke barazuar 1-1 një sfidë të cilën thuajse e kishte humbur.
Ndaj, nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet, goli i shënuar në shtesë nga bardheblutë mori vlerë të madhe edhe për faktin se shmangu humbjen ndaj një rivali direkt për t’iu larguar zonës së ftohtë.
Albano Aleksi befasoi portierin Abibi në minutën e 21-të, duke i paraprirë ndërhyrjes së mbrojtësit shumë pranë zonës së portierit, shkruan Supersport.
Bardheblutë nuk patën qartësinë e duhur në manovrën sulmuese për minuta të tëra, gjithsesi Mawejje arriti ta dërgonte në rrjetë topin në minutën e dytë shtesë, me publikun e “Selman Stërmasit” që shpërtheu ne entuziazëm me dëshirën e madhe për të gjetur edhe golin e dytë, por koha e mbetur nuk mjaftoi për të arritur një përmbysje të madhe.
Renditja e Kategorisë Superiore pas javës së 22-të