INTERVISTA/ Ish sekretari i FSHF-së analizon Superioren, zgjedhjen e Dukës në UEFA dhe krizën financiare të klubeve

17 Shkurt 2019, 14:09Sport TEMA

Eduard Prodani: Partizani i ka të gjitha cilësitë për kampion, jam skeptik që gara nuk do cënohet!

Nga Fatjon Baze

Kampionati shqiptar është futur në një fazë vendimtare ku ekipet janë duke rivalizuar fort më njëra tjetrën për të arritur objektivat sezonal të vendosur në nisje të sezonit.

Skuadra e Partizanit udhëheq me meritë kampionatin më një distacë të konsiderueshme me ndjekësit dhe duket se ky do të jetë viti ku të kuqtë mund të rikthehen tek titulli kampion.

Megjithatë, në garë mbeten edhe Teuta së bashku me Kukësin që do të rivalizojnë deri në fund.

Në një intervistë ekskluzive të dhënë për Gazetën TemA, Eduard Prodani, një njohës i mirë i futbollit shqiptar ka analizuar Kategorinë Superiore, por jo vetëm.

Prodani i cili ka mbajtur poste shumë të rëndësishme si sekretar i përgjithshëm i FSHF-së apo drejtori i përgjithsëm tek klubi Partizani, ka folur dhe për zgjedhjen e Armando Dukës si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA, problematikat financiare që po hasin ekipet shqiptare si dhe për listën e trajnerit Panuçi.

Prodani u shpreh skeptik sa gara mund të vijojë me këtë qetsi, pra që të mos ketë ndikime nga lart siç ka pasur gjithnjë nga Federata për tu bërë favore ekipeve të caktura, por bën thirrje që gjithçka të shkoi e qetë.

Z. Prodani, Partizani ka krijuar një distancë pikësh me ndjeksit e tij në garën për titullin kampion. Mendoni se ky është viti i duhur për të kuqtë për të prekur trofeun e Superiores?

Duke filluar nga 2013-2014 kur u rikthye në Kategorine Superiore, duke përjashtuar ndonjë sezon të veçantë, në përgjithësi Partizani i ka patur potencialet për t’u shpallur kampion. Përveç ndonjë arsyeje të brendeshme, ka qenë kryesisht gara e pabarabartë dhe e orientuar drejt ndonje klubi të caktuar qeëe ka penguar Partizanin për këtë qëllim.

Ne saj të punës më të mirë të klubit dhe kryesisht të trajnerit Gega këtë sezon Partizani duket se ka përgatitur një skuadër më të kompletuar në tërë komponentët e nevojshëm për t’u shpallur kampion. Është ende shpejt por grupi duket sikur i ka cilësite dhe energjitë e brendëshme që të menaxhojë si duhet diferencën e krijuar dhe ta përfundoje sezonin me sukses.

Edhe pse Kukësi në merkaton e janarit mori lojtarët më të mirë në Superiore – po ashtu edhe Teuta, në nisje të fazës së tretë ato kanë çaluar duke mos marrë rezultatet e duhura. Sipas jush ku është ngërçi i këtyre dy ekipeve?

Së pari duhet thënë se në futboll forca dhe vlera e një skuadre nuk është gjithmonë shumatorja e cilësive individuale të lojtarëve të saj. Po të qe kështu çështja e skuadrës kampione do të ishte thjesht një lojë numrash në tregun e lojtarëve. Pa mohuar faktin që lojtarët cilësorë janë premisë për skuadër cilësore nuk duhet në asnjë rast të harrohet se krijimi i një grupi fitues kërkon dhe një kohë të caktuar dhe një kompleks faktorësh të tjerë perveç trajnimit cilësor. Më shumë se sa një disiplinë profesionale menaxhimi i një skuadre futbolli është një art.

Skuadrat rivale të Partizanit duket se kanë bërë gabimin “klasik” që bëhet në Janar, atë të prishjes së ekuilibrave dhe cilësive të grupit që kanë ndërtuar në emër të krijimit të një skuadre më të fortë

nëpërmjet marrjes në skuadre të lojtarëve më cilësore. Këto lloj ndërhyrjesh në skuadër kanë funksionuar në shumë pak raste. Trajnerë të shquar kanë pohuar se marrja në një skuader cilësore të më shumë se një apo dy lojtarëve të rinj në mes të sezonit mund të prishë balancat në grup gjë që kërkon kohë për t’u riparuar.

Deri më tani kemi parë një kampionat të qetë, a keni besim se gara nuk do të cënohet deri në fund?

Duhet thënë se këtë sezon gara ka qenë përgjithësisht e drejte. Jo se nuk ka patur gabime arbitrare por ndihet se ato kanë qenë rastësore, pra jo të orientuara si ka qenë rasti së paku në 5-6 sezonet e fundit.

Të them të drejtën nuk besoj se kjo “mrekulli” do të zgjasë deri në fund por shpresoj dhe uroj që të jem i gabuar.

Ky sezon tregoi qartazi se klubet e Superiores janë në një kolaps financiar me vonesa pagash dhe klube që janë në prag falimentimi. Çfarë duhet bërë që gjëndja e këtyre kubeve të mos përkeqsohet edhe më keq?

Nuk është se futbolli shqiptar ka hyrë papritur në një situate kolapsi financiar. Kjo sepse nuk është se kemi patur ndonjëherë ndonjë sistem të mirë rregulluar të financimit dhe funksionimit të klubeve që në të vërtetë përbëjnë bazën mbi të cilën ndërtohet futbolli i një vendi. Futbolli shqiptar “zvarritet” kështu prej shumë kohësh. Kjo sepse nuk ka patur asnjëherë politika të posaçme nga shteti dhe drejtuesit e futbollit. Futbolli është zhvilluar me “vetërrjeshje” dhe është menaxhuar si në nivel qëndror ashtu dhe në nivel lokal nga njerëz të rastësishëm me interesa të dyshimta.

Për mënyrat se si mund të dilet nga kjo situatë është një teme shumë e gjerë dhe nuk mund të përmblidhet në pak kohë. Me pak fjalë mund të thuhet se futbolli dhe sporti në përgjithësi ka nevojë për një situatë krejt të re ligjoro-institucionale. Ose më thjesht, ka nevojë për udheheqje cilësore dhe të besueshme që do të mund t’a çonte drejt një situate të tillë. Futbolli ka nevojë të madhe për pjesemarrjen dhe ndërhyrjen e shtetit jo vetëm për të rregulluar çështjet e financimit të tij por sidomos për të garantuar se institucionet e futbollit të funksionojnë gjithmonë në respekt të ligjit dhe akteve të tyre rregullatore. Shteti duhet të ndërhyje mbi të gjitha për të eleminuar abuzimet e mëdha dhe korrupsionin në futboll.

Para pak ditësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s. A do ketë kjo një ndikim pozitiv për futbollin shqiptar apo është thjesht një fitore personale e Z.Duka?

Zgjedhja e zotit Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s është një teme për të cilën nuk dua të shprehem për të mos dhënë rast të keqinterpretohem si subjektiv.

Mund të analizoj vetëm se në rast se do të pohonim që anëtarët e Komitetit Elzekutiv të UEFA-s sigurojnë privilegje për federatat e tyre atëherë kemi pohuar dhe që UEFA është një institucion i korruptuar. Ndaj le të themi se zgjedhja e zotit Duka ëshëe vetëm një promovim personal i tij. Më shumë për këtë temë mbase do të kemi rast në ndonjë moment tjeter.

Dhe në fund, duke qenë se ndeshjet e kombëtares po afrojnë. A duhet që trajneri Panuçi të grumbullojë elementë nga Kategoria Superiore?

Trajneri Panuçi nuk është i pari që tregon haptazi mosbesim në cilësitë e lojtarëve që luajnë në kampionatin tone pra në vetë cilësine e kampionatit tonë. Këtë e demostroi shumë qarte sidomos rasti i lojtarit Uzuni. Kjo është padyshim një këmbanë alarmi që diçka nuk shkon në futbollin tonë të klubeve. Për këtë duhet të ishin bërë analiza dhe duhet të ishin marrë me kohë masa nga ana e institucionit të specializuar dhe përgjegjës për futbollin, FSHF.

Per t’ju pergjigjur pyetjes tuaj unë do të isha i mendimit që trajneri duhet tu jap mundësi të provohen edhe lojtarëve nga kampionati shqiptar. Natyrisht sipas preferencave të tij dhe modelit të lojës që ai planifikon të zhvillojë në ndeshjet e rradhës. Në fund të fundit ekipi kombëtar është jo vetëm promovues moral por edhe vizual për lojtarët me cilësi të caktuara individuale. Të shpresojmë që diçka e tillë të ndodhë. (TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje