Djegia e mandateve të PD kishte dy ditë që ishte tema e ditës në Shqipëri, por për çudi shumica e njerëzve nuk besonin se do të ndodhte vërtet, ngaqë kishin parasysh çadrën e Lulit.
Në këto kushte, Jari e ndjeu si detyrim që të mbajë një qëndrim për këtë çështje:
“Të nderuar demokratë,
Jari ju sqaron!
Vendimi i Lulit, nën udhëheqjen e Doktorit, për djegien e mandateve të PD, është një akt historik që do të mbahet mend gjatë në Shqipëri dhe do ta kujtojnë brez mbas brezi shqiptarët.
Unë kam dashur t’ia them me kohë, se kjo ishte rruga e duhur, por e kam mbajtur veten, sepse do të më akuzonin se e bëja ngaqë nuk jam deputet vetë.
Unë në fakt e parandjeva që të shtunën se diçka e madhe do të ndodhte, që kur pashë Doktorin, i cili e la mënjanë etikën se gjoja nuk është më kryetar i PD dhe i vuri gjoksin vetë protestës.
Tani që vendimi u mor, na kanë dalë disa vështirësi teknike, por ato besoj që janë të kapërcyeshme.
Problemin më të madh e kemi me këta deputetët që kanë investuar para për mandatin tek Kunati për t’u futur në listë, sepse ata thonë që i kishim dhënë lekët për katër vjet, dhe jo për dy.
Ky i Vlorës është më i lehtë për t’u menaxhuar, sepse mjafton ta nxjerrësh në televizor dhe t’i thuash që do të jesh prapë, kur të ketë zgjedhje, por me këta të tjerët nuk është e thjeshtë.
Më shumë rezistencë po bën ai i Dibrës, por nuk mbeten prapa edhe ata që kanë dhënë shuma më modeste.
Por shqetësimin më të madh e kemi me ata që presin për t’u futur në listë, sepse shumica e tyre nuk duan ta shohin me sy Lulin, ndërsa ata që mbeten janë njerëz anonimë, të cilët nuk kanë asnjë garanci se nuk do ta marrin mandatin.
Ndërkohë, nuk dimë ç’tu themi njerëzve për LSI-në, sepse ata më mirë japin jetën, se sa mandatin.
U ka mbetur në mendje të gjithëve ajo shprehja e Monës që LSI i ka marrë me gjak të vetat dhe duket sikur tonat janë fituar pa shume sakrifica, por vetëm me lekë.
Nëse ata do të mbeten në Parlament, do t’u bjerë shumë vlera mandateve tona dhe i bie që t’i çojmë për dhjamë qeni.
Kjo e ka shtuar paqartësinë tek aleatët e vegjël, të cilët po rrinë sy e veshë që të gjejnë një arsye për të mos e lëshuar Parlamentin.
Më i mërzituri ndër ta është Fatmiri, i cili nuk po lë gjë pa mallkuar dhe sharrë.
Por inatin më të madh e ka me Gon Dukën, sepse ai e ka mbështetur i pari Lulin, ndonëse nuk ka asnjë deputet në Parlament.
Ka dhe disa vështirësi teknike që do t’i kalojmë.
Përshembull çuni i Fahriut doli vullentar për t’i djegur para Parlamentit, por ndërhyri Ben Ristani, që ka përvojë për djegie fletë votimesh, dhe tha të digjen në Farkë.
Pastaj ndërhyri Bardhi i PD, që ua shpjegoi se djegia është një process ligjor, dhe jo fizik, kështu që nuk ka nevojë të digjen.
Ndaj në këto rrethana kemi vendosur që ta marrim me qetësi këtë djegien e mandateve dhe të mos nxitohemi.
Por ta bëjmë me deklarata vetëm që të na quhet sikur ne e bëmë tonën.
Dhe kur mandatet të mos digjen, të akuzojmë Edi Ramën se po e mban opozitën me dhunë në Parlament, jashtë dëshirës së saj.
Ta bëjmë njësoj si me protestën, që ia ngecëm atij dhunën dhe sulmin mbi Kryeministrinë, duke i thënë se i provokoi njerëzit, ngaqë hapi kordonin e policisë.
Pas kësaj, Edi Rama nuk do të gjejë më vrimë ku të futet, ndërkohë që mandatet e Doktorit, Lulit dhe Monës nuk do të preken.
Ndaj mbajeni lart moralin, se fitoren e kemi përpara!
I juaji, Jari!”
???
O legena jeni bere me keq sesa ish gazeta Zeri i Popullit.
Pse i hiqni komentet qe nuk u pelqejn ????