Jari bën bilancin e të enjtes dhe i del pozitiv. Shkëlqejnë Doktori dhe Mona

8 Shkurt 2019, 20:13Antena TEMA

Jari të enjteve është gjithmonë sy e veshë, sepse është ditë e gjatë parlamenti, por edhe ka debate televizive në darkë.

Dhe meqë askush nuk i ka lënë ende ndonjë detyrë për protestën, dje e shpenzoi gjithë ditën duke parë televizor.

Kur mbaroi debati i fundit tek zoti Ylli, Jari ishte trashur aq shumë, saqë i ngatërroheshin keq në kokë ngjarjet dhe personazhet.

Por sot në mëngjes e mblodhi veten shpejt dhe nisi të bëjë një bilanc të përgjithshëm të aksionit opozitar, duke ju drejtuar demokratëve, si më poshtë:

“Të nderuar miq, Jari ju informon.

Dje ishte një ditë e rëndësishme dhe e suksesshme për opozitën, që do ta ndihmojë shumë protestën e 16 shkurtit.

Pavarësisht se nisi shumë keq, me atë njoftimin e atyre të “Rrugës së Elbasanit”, që thoshin se u kanë hequr vizat 170 zyrtarëve të tjerë, përveç Tomës dhe Llallës.

Dukej ashiqare që e kishin për Doktorin, por ai bëri sikur nuk e kuptoi, dhe nuk e dha veten.

Sepse pak orë më vonë shkëlqeu në Parlament me atë historinë e asaj vajzës së mitur nga Kavaja, të cilën nuk e lëshon më kurrë, që nga dita kur e ka marrë vesh.

Dhe të gjithë këtë e bën nga dhembshuria për të paktën 9 familje që janë prekur nga ajo ngjarje e rëndë, dhe nuk i del shpirti pa e marrë vesh gjithë Shqipëria, se çfarë u ka ndodhur atyre.

Pas Doktorit, dje u renditën Endri Hasa dhe djali i Fahri Balliut.

I pari, se mbajti fjalimin e parë në Parlament me tre fjali gjithësej, duke i lënë pa tekst armiqtë e partisë sonë, që kishin hapur llaf se ai do t’i shtynte katër vjetët e deputetit me vetëm dy kokrra vezë.

Kurse djali i Fahriut i paralajmëroi keq socialistët se do t’i pinte e zeza po t’i përmendnin prapë motrën.

Dhe ata e kanë marrë frikë atë, sepse të gjitha kërcënimet që bën përditë nga Unaza e Re, të nesërmen i dalin gjithmonë.

Por edhe Luli nuk doli keq dje, sepse për të tha Mona në darkë që nuk do të bëjë kurrë marrëveshje tjetër me Edi Ramën.

Se kur e thotë vetë ai, nuk e beson njeri, ngaqë po ia ngrenë si çështje në çdo takim, kur shkon për të organizuar protestën.

Kurse Monës i shkon shumë fjala tek demokratët, ngaqë nuk e ka tradhtuar asnjëherë Doktorin, edhe atëherë kur i shoqi i ka vajtur me Edi Ramën.

Ndaj mos u dekurajoni, sepse fitorja është e sigurtë.

Ajo është vetëm çështje ditësh.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje