Jari sqaron përse Doktori dhe familjarët nuk udhëtojnë për SHBA: Atë e zë avioni për shkak të moshës

31 Janar 2019, 19:07Antena TEMA

Përleshja e sotme në Parlament mes Doktorit dhe Edi Ramës i eklipsoi të gjitha lajmet e tjera, ndaj u harrua çfarë u tha për kërkesat e herë pas hershme të Lulit që të takonte Ymer Lalën, por edhe sharjet me fjalë turpi të Tit Vasilit për Ulsi Manjën.

E vetmja gjë që mbeti, ishte që Doktori nuk kalonte dot oqeanin.

I ndërgjegjshëm për dëmin e madh që mund të sillte ky lajm për demokratët dhe sidomos për protestën e 16 shkurtit, Jari e mori shumë seriozisht punën dhe nisi të shkruajë sa më poshtë vijon:

“Të nderuar demokratë,

Jari ju sqaron!

Ajo që tha sot në parlament Noriega i Ballkanit, sikur Doktorin nuk e lejojnë amerikanët të kalojë Atlantikun, është një shpifje e ulët dhe një spekulim i madh i Noriegës së Ballkanit.

E vërteta është se Doktori nuk shkon në SHBA, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë vendim politik kundër tij, por me faktin e njohur se ai ka problem me avionin.

Me kalimin e viteve, pleqëria ka bërë të sajën dhe Doktorin e zë avioni.

Ai ka bërë disa vizita për këtë çështje, por ilaçet kundër panikut nga avioni dhe vjelljes, i japin efekt dytësor në imunitet, dhe ai humbet ndjenjat.

Si rrjedhim, ai nuk mund të përdorë dot asnjë qetësues.

Nga ana tjetër, problemet e prostatës kanë bërë që ai të çohet disa herë gjatë rrugës për të shkuar në tualet dhe kjo bëhet e bezdisshme për pasagjerët e tjerë në avion.

Ai mund të bëjë vetëm rrugë të shkurtra deri në një orë.

Më tej ai nuk ka më moshë të udhëtojë.

Nga ana tjetër, Doktori është në siklet dhe për familjen e tij.

Sa më shumë kalon mosha, aq më shumë lidhet njeriu me familjen, me fëmijët, me gruan, me vajzën, me djalin, me dhëndërin e nusen, si dhe nipërit e mbesat.

Për këtë arsye ai u ka dhënë atyre porosi që sa të jetë gjallë, ata të mos bëjnë më udhëtime të largëta përtej oqeanit, por t’i ketë pranë për çfarëdo gjëje që të ndodhë, që të mos i mbetet merak.

Kjo është arsyeja që dhe gruaja, djali apo vajza, nuk udhëtojnë më përtej oqeanit.

Edhe Karmina, e cila fiton lekë nga Instagrami, i ka të përjashtuara prej muajsh udhëtimet në hotele me pesë yje në Kaliforni për të imituar Merilinin, që e ka idhull.

Ajo ka vendosur që maksimumi të shkojë deri në Dubai, pasi aty mund të kthehet shpejt.

Me këtë rast ajo ka përjashtuar dhe shitjen e linjës intime, që janë prodhim amerikan, nga dyqani i saj, pasi nuk pranon t’i blejë si dorë e dytë, pa shkuar vetë në dyqane.

Duke e ditur këtë të vërtetë të Doktorit dhe duke njohur hallin e tij, Noriega ka spekulluar duke bërë aludime të paturpshme.

Së shpejti ne do të botojmë në portalin e Zenit dhe diagnozën që Doktorit i kanë dhënë mjekët për të mos kaluar oqeanin, dhe pjesë nga ditari i tij, ku ua ka komunikuar vendimin familjes, e cila është solidarizuar me këtë gjë.

Kjo ka për t’i çjerrë maskën Noriegës së Ballkanit.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje