Jari shpall ndryshimet drastike në klasifikimin e organizatorëve të protestës

29 Janar 2019, 19:58Antena TEMA

Meqenëse kaloi edhe një javë tjetër që nga shpallja e protestës së 16 shkurtit, Jari mendoi se kishte ardhur koha të publikonte klasifikimin e ri të organizatorëve, që ishin dalluar më shumë se të tjerët në rritjen e optimizmit të njerëzve.

Dhe pasi u mendua gjërë e gjatë, sepse ishte punë me përgjegjësi të madhe, nisi të shkruajë pa humbur kohë mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron.

Ditët e fundit e kanë nxehur garën e udhëheqësve të opozitës për të mobilizuar qytetarët që të ngrihen në protestë, ndaj edhe renditja e kontributeve të tyre ka ndryshuar.

1-Në vend të parë dhe me distancë nga të tjerët është tashmë Doktori, i cili ka çuditur edhe njerëzit e familjes së vet, kur deklaroi tek Fevzo se do të bënte të njëjtën gjë si Luli, po të kishte qenë ai kryetar i opozitës.

Që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen, e deri më sot, kjo është mbështetja më e fortë dhe më pa doreza që ai i ka bërë pjellës së vet politike, duke i marrë në kurriz kështu edhe gjithë dështimet e njëpasnjëshme të Lulit.

Dhe kjo është një sakrificë që vetëm një burrë shteti si ai mund ta bëjë.

2-Në vend të dytë ka kaluar me shumë meritë Luli, për shkak se arriti të mposhte tundimin e madh për të vazhduar pushimet në Holandë dhe u kthye pas 6 ditësh në Tiranë, pasi i ishte sëmurë babai.

Dhe këtu ka merita të veçanta, pasi gjithë PD sa e mori vesh që Luli ka sëmurë babin, shkuan të shqetësuar tek Xhafa ta shikonin, pasi mendonin se Luli ka babë Xhafën, d.m.th vjehrrin.

Dhe po të ishte sëmurë Xhafa, nuk kishte më protestw.

Po shyqyr që Luli nuk sakrifikon partinë për babain.

Në këtë turin e tij opozitar, ajo që po bie më shumë në sy është veshja me pantallona teritali, xhaketë stofi dhe golf leshi, që pritet të shndërrohet në një tendencë mode kombëtare dhe në simbol të fortë të revolucionit që po afrohet.

3-Në vend të tretë ka kaluar Albana Vokshi, thjesht për prezencën e saj në televizione dhe në lajme, sepse për më tepër se kaq, askush nuk e dëgjon dhe kupton se çfarë thotë ajo.

Por tek e fundit, edhe vetë demokracia nuk është gjë tjetër, veçse pjesëmarrje, dhe Albana këtë e ka kuptuar më shpejt si gjithëkush tjetër në partinë tonë.

4-Në vend të katwrt është ngjitur Abi Malltezi, i cili po shfrytëzon rizgjedhjen e vet të padiskutueshme në Kryesinë e re të PD, për të treguar se ambiciet e tij për karrierë nuk mbarojnë me kaq.

Është rasti tipik që i ka hutuar shumë jo vetëm kundërshtarët tanë, po edhe besnikët më të mëdhenj të të dyja familjeve të mëdha në PD.

Sepse nuk e kuptojnë dot se si mund të jetë njeriu edhe dhëndër i Doktorit, edhe kritik i Lulit njëkohësisht.

5- Në vend të pestë ka mbërritur në mënyrë të befasishme analisti Gjekmarkaj, i cili e ka të dyfishtë dhe të plotë kontributin.

Nga njëra anë, se e ka shpallur fitues Lulin, po të bëheshin zgjedhjet sot,  nga ana tjetër, ai po i gjendet edhe në terren Lulit, pasi i ka vënë gjoksin protestës së pedagogëve të Filologjikut, që pritet të jetë një ndihmesë e madhe për organizimin e 16 shkurtit.

Kaq për sot. Di të them që gara është bërë shumë e  ashpër.

Për çdo të re do t’ju informoj në kohë reale.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje