Jari flet për ndikimin e rubrikës “Antena” në zgjedhjet për kryesinë e PD!

20 Janar 2019, 18:42Antena TEMA

Pas publikimit të rezultateve finale të kryesisë së PD dhe akuzave për manipulim, Jari vendosi të sqarojë mbështetësit e vet, për një fenomen që ka ndikuar në ndryshimin e listës së kryesisë së PD. Ky ndryshim lidhet me rubrikën tonë “Antena brenda Familjes”.

Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron!

E di që ka shumë pakënaqësi nga lista finale e kryesisë së PD dhe ka akuza të pabaza për manipulime. Shumë njerëz janë të çuditur që emra të njohur që Luli i do, nuk janë në listë dhe të tjerë që kanë avancuar shumë.

E gjitha lidhet me një fenomen diversioni, që na ka ardhur nga kundërshtari ynë përmes rubrikës “Antena”.

Kjo rubrikë ka rol të rëndësishëm në karrierën e shumë njerëzve brenda PD. Ju të gjithë e mbani mend që falë kësaj rubrike për shembull, pasuesi im në Ministrinë e Brendshme u bë Flamuri dhe falë asaj rubrike është akoma në politikë.

Siç e dini vitin e fundit kjo rubrikë më ka vënë mua në qendër të vemendjes dhe kjo ka bërë që njerëzit të më votojnë masivisht si Kryetar të Këshillit Kombëtar të PD. Nëse nuk do isha bërë personazh i rubrikës as unë nuk do rikthehesha në politikë. Por Doktori e ka vendosur si devizë në PD, që kushdo që e sulmon kjo rubrikë ta ngrejë në karrierë.

Nga ana tjetër kjo rubrikë në mënyrë djallëzore ka pushuar sulmet ndaj disa personazheve që u skualifikuan apo u rrezikuan. Kështu për shembull kjo rubrikë ka një vit që nuk e ka zënë në gojë Strazon dhe ky rrjedhimisht humbi pasi dyshohet se ka bërë paqe me armikun. E njëjta gjë ndodhi dhe me Genc Pollon dhe Salianjin. Ata kanë thuajse një vit që nuk janë pjesë e kësaj rubrike.

Edhe Grigja u rrezikua nga mos përfshirja në rubrikë dhe humbi me vota, por u fut falë kuotave gjinore në kryesi. Në fakt ajo është fajtore vetë, pasi po të mbante mbiemrin e vjetër Suma, mund të zgjidhej Sekretare e Përgjithshme. Po kështu është kur s’ke besim tek të parët e tu.

Politika redaksionale djallëzore e kësaj rubrike ka shkaktuar disa drama brenda kryesisë, por ne duhet t’i përballojmë. Të jeni të sigurtë se shokët tanë nuk kanë tradhëtuar edhe pse nuk kanë dalë tek rubrika “Antena”. Të gjithë ata që kanë menduar se ka një pazar mes tyre dhe rubrikës gabohen. Ata janë po aq besnikë sa më parë ndaj Doktorit, por  ai ka zakon që lexon “Antenën” dhe kjo ka shkaktuar gjithë këtë trazirë.

Unë për vete i jam mirënjohës që falë saj mora postin më të lartë të PD, pas Lulit, por kjo nuk më jep ndonjë kënaqësi të veçantë, kur shikoj se shokët e mi, vuajnë se nuk janë pjesë e fitores.

Pra, e gjitha çfarë ka ndodhur është një diversion që duhet ta përballojmë me dinjitet dhe nuk duhet të dyshojmë tek shokët tanë.

I juaji Jari!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje