Megjithëse i përqëndruar tek organizimi i protestës së 16 shkurtit, Jarit nuk i shpëtonin edhe lajmet e tjera, sepse nuk kishte ndonjë punë tjetër për të bërë. Sot dëgjoi deputetin e Mallakastrës që fliste nga foltorja e PD-së për spiunët e Sigurimit të Shtetit dhe u nxi në fytyrë. Këtë Alibeajn nuk e kishte dashur kurrë, por nuk ishte kjo arsyeja përse Jari u tërbua. Ndaj në nerva e sipër nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:
Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron!
Hapja e debatit për spiunët e Sigurimit të Shtetit është një gabim i rëndë dhe i qëllimshëm, që bëhet për të sabotuar protestën tonë madhështore, që do të rrëzojë Edi Ramën më 16 shkurt.
Nuk është rastësi që deputeti i dyshimtë Alibeu e bëri deklaratën një ditë pasi Lym Murrizi, anëtar i grupit armiqësor të Grigjës dhe Salianusit, kërkoi që të hapen dosjet e drejtuesve të opozitës dhe pastaj të akuzohet kundërshtari. Ai madje shkoi shumë larg se përdori si referencë për kërkesën e tij Jarin me mustaqe dhe Jarin pa mustaqe, duke aluduar qartë për mua.
Kjo mendoj se është një thikë pas shpine ndaj Lulit dhe Partisë Demokratike, pasi siç ka thënë Doktori, për të zbuluar se kush ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit, nuk ka nevojë që të hapësh dosjet, por mjafton të shohësh se kush del kundër tij. Dhe unë për këtë kam prova të forta, se nuk kam dalë asnjë ditë kundër tij, madje as me mendje dhe, as në ëndrrat më të këqija nuk më ka shkuar ndër mend një gjë e tillë.
Për të gjitha këto zhvillime negative kam lajmëruar, si Doktorin, ashtu edhe Lulin, por njoftimin ua kam bërë me email, sepse asnjëri prej tyre nuk ma hapi telefonin.
Mendoj se ne duhet t’i ikim nga sytë këmbët kësaj teme, ngaqë na bie në kurriz për çdo zbulim që bëjmë. Sepse po treguam kush janë spiunët tek PS dhe tek LSI, atyre u bëjmë nder, sepse ata e kanë për krenari që i kanë shërbyer atdheut, që nga koha e Enverit. Të vetmit që e hanë këtu janë tanët, ndonjë si puna ime, Jeminit apo Mond Spahos domethënë. Por kjo ha shumë diskutim dhe u vetmi që mund të na japë një orientim të qartë në këtë punë është Fahri Balliu, i vetmi person në Shqipëri, që i ka jetuar me të njëjtin intensitet të dyja kohët.
Ndaj mendoj se duhet të përqëndrohemi tek protesta, duke demaskuar çdo përpjekje të armikut të brendshëm për të devijuar debatin në çështje të tjera, që bëhet ashiqare për të shpërqëndruar demokratët.
Por në këtë punë duhet të bëjmë pak kujdes. Fjala vjen, nuk bën ta sulmojmë personalisht atë Lym Murrizin, ngaqë është çapraz nga goja dhe mund të na kthehet shumë keq, e nuk dihet si dalim pastaj. Po këtë Alibeun e ndonjë tjetër si Salianusi e Grigja, nuk kemi pse i kursejmë.
Kaq për sot, se nuk ndjehem shumë në formë.
I juaji, Jari!
Do kete ngrene , ndonje luge CORBE TE PRISHUR !