Jari tregon vështirësitë e tmerrshme për organizimin e protestës së 16 shkurtit

24 Janar 2019, 19:29Antena TEMA

Megjithëse ende nuk i ka mbërritur ende asnjë telefonatë dhe asnjë sms urimi për zgjedhjen në postin e ri si kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, Jari e ka marrë me shumë seriozitet detyrën e re.

Ndaj edhe çohej përditë herët në mëngjes i gatshëm për çdo porosi që mund të vinte, kryesisht nga Doktori, por ai ishte i gatshëm që ta pranonte edhe po të vinte nga Luli.

Dhe mëgjithëse ato porosi po vonoheshin, Jari nuk po e jepte veten që të mërzitej.

Sepse ai ishte ushtarak dhe si të gjthë njerëzit me uniformë, gjënë e parë që kishte mësuar në shkollë, kishte qenë durimi.

Dhe ai e kishte treguar me vepra gjithë këtyre 20 vjetëve këtë cilësi të rrallë.

Por Jari nuk ishte mësuar që të priste vetëm urdhëra, pasi në “Shkollën Skënderbej” u kishin kultivuar edhe vetë-iniciativën, si element të taktikave luftarake.

Dhe ai kishte identifikuar protestën e 16 shkurtit si prioritetin e opozitës, dhe ishte gjithë sy e veshë për këtë çështje.

Në mbledhjen e parë të grupit organizator, megjithëse nuk e thirrën, ai u informua nga disa burime për debatin që ishte zhvilluar brenda.

Ato që mësoi e mërzitën shumë dhe vendosi që shqetësimin e tij ta ndajë me demokratët, duke shkruar si më poshtë:

“Të nderuar miq, Jari ju sqaron.

Luli është treguar strateg i madh, që e ka vendosur protestën për rrëzimin e e qeverisë pas një muaji, se janë duke na sabotuar nga të gjitha anët.

Sepse në mbledhjen që e drejtoi Mond Spaho, ngaqë Luli u nis urgjent për në Holandë, e nxorrën kokën edhe disa tradhtarë të tjerë të partisë sonë.

Më i rrezikshmi prej tyre është Salianusi, i cili po bën si shpirt i keq, pse nuk u votua në Kryesi, a thua se kur u bë deputet dhe sekretar kishte ndonjë meritë dhe ia kishim borxh që ta zgjidhnim përherë.

Bashkë me të është identifikuar si i pakënaqur i pandreqshëm edhe Lym Murrizi, por me këtë duhet patur kujdes dhe nuk duhet ngacmuar shumë, se është shumë gojëhidhur dhe të telendis nëpër rrjete sociale dhe nëpër portale.

Të njëjtin qëndrim me ta ka mbajtur edhe vajza e atij Azem Hajdarit, të cilin e vranë atëherë më 1998-ën për hesape të pista, e cila nuk është hera e parë që i fut thikën pas shpine PD-së, që kur Luli e bëri deputete pa asnjë kontribut.

Por në atë mbledhje ka pasur edhe drejtues të përgjegjshëm dhe besnikë, të cilët kanë nderuar veten, Doktorin dhe Lulin, me ato që kanë thënë.

Nga të gjithë ata që kanë folur, më shumë përshtypje më ka bërë djali i Fahri Balliut, i cili ka thënë se më shumë njerëz në protestë duhet të sjellë Tirana, sepse ajo ka popullsi më të madhe se qarqet e tjera.

Kjo është konsideruar si një gjetje e jashtëzakonshme nga të gjithë të pranishmit dhe e ka ndryshuar gjithë rrjedhën e debatit në favorin tonë, sepse edhe Lym Murrizi që zihet me plaçkat e trupit të vet, nuk ka pasur çfarë të thotë.

Më thanë se mirë paska folur edhe Albana Vokshi, por atë asnjeri nuk e mban mend se çfarë ka thënë tamam.

Por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse ajo këtë punë ka 15 vjet që e bën me përkushtim dhe të gjithë janë të kënaqur.

Sepse me atë Doktori dhe pastaj Luli, kanë dashur të krijojnë modelin e gruas së re shqiptare.

Ajo është i vetmi rast, për të cilin të dy udhëheqësit tanë kanë të njëjtin mendim dhe vlerësim, saqë të duket sikur nuk i kemi humbur zgjedhjet në vitin 2013, por është akoma në pushtet Doktori.

Ju tregova këto për t’ju thënë se sa të vështirë e kemi për të organizuar atë protestën e 16 shkurtit, ndërkohë që data po afrohet me shpejtësi.

Tani që ky Salianusi ka dalë armik, nuk kemi as shpresa për ndonjë përgjim, që mund t’i ndezë njerëzit siç bëri kreu i Muduzës së mafias dhe të drogës më 21 janar, kur deshi të përmbyste qeverinë tonë legjitime.

Ndaj përpiquni të mobilizoni sa më shumë njerëz, që të mos ngjajë si mitingu përmbyllës i fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje