Jari sot u zgjua i gëzuar nga lajmi se Luli ishte kthyer më në fund nga Holanda dhe kishte lajmëruar një takim me demokratët e rinj të Kavajës.
Kjo me siguri që do ta ndizte edhe më shumë entuziasmin e opozitës për organizimin e protestës dhe do t’i shuante zërat dashakeq, që pëshpërisnin prej ditësh se Mona kishte më shumë protagonizëm se kryetari i PD.
I lumturuar si në ditët më të bukura të Presidencës së vet mbresëlënëse, Jari e mori ditën me të mirë dhe nisi të shkruajë sa më poshtë vijon:
“Të nderuar demokratë, Jari ju informon!
Sot është një ditë e shënuar për mbarë kombin shqiptar.
Mos kujtoni se e kam fjalën për ditëlindjen e atij shkrimtarit mediokër, Ismail Kadaresë, që ka mbushur gjithë botën, sikur bën letërsi të mirë.
Sepse ai nuk është gjë tjetër veçse një armik i vjetër i demokracisë, Doktorit dhe Lulit, dhe se shqiptarët nuk do t’ia falin kurrë atë që ka bërë kundër tyre, si thëngjill i mbuluar.
Ndaj ta dini se të gjithë ata që e kanë uruar atë për ditëlindje, janë thjesht tradhtarë të popullit tonë, me përjashtim të “Komandantit të Përgjithshëm”, i cili ia ka bërë atë si qokë Fahri Balliut, ngaqë ky i fundit nuk e uronte dot vetë, për arsyet e përmendura më sipër.
Sepse ne nuk kemi pse nderojmë një shkrimtar të dështuar të oborrit, kur kemi kollosët tanë të mendimit si Qim Peka, Nebil Çika, Basir Çollaku, Fitim Zekthi dhe Dritan Shano, të cilët kanë dhënë kontribute të larta për vendin dhe rajonin tone, dhe nuk janë vlerësuar sa duhet.
Por sot është ditë e shënuar, sepse Luli, pas 10 ditësh hezitimi dhe dilemash të mëdha, më në fund ka veshur opingat dhe golfin për t’i prirë popullit drejt fitores përfundimtare mbi qeverinë e drogës dhe të krimit.
Arsyeja pse ai zgjodhi Kavajën si ndalesën e parë të turit të tij nëpër Shqipëri, është në radhë të parë respekti për Gaz Bardhin, i cili, në ndryshim nga të emëruarit e tjerë në kupolën e re të PD-së, ka bërë edhe sakrifica fizike gjatë këtyre viteve, për të mbrojtur idealet e veta.
Dhe Luli nuk mund të gjente rast tjetër më të mirë për t’i shprehur mirënjohjen atij.
Por, një arsye tjetër është edhe kursimi i karburantit, sepse kunati i Lulit nuk të fal kur vjen puna për menaxhimin e fondeve dhe të tollonave të naftës.
Ndaj ka vendosur që Luli të lëvizë kryesisht në bashkitë rrotull Tiranës, ku ka fituar PD-ja, sepse edhe mund të mblidhen më shumë njerëz nëpër takime, edhe nuk harxhohet shumë karburant.
Takimi i sotëm nuk vajti keq, sepse nuk u ngrit asnjeri që të thoshte që Luli është zjarrfikës protestash dhe se të gjithë kanë frikë se ai mund të bëjë prapë marrëveshje me Ramën.
Me shpresë të Zotit, kështu do të shkojnë edhe takimet e tjera deri më 16 shkurt.
I juaji, Jari!”