Fjalimi i Lulit para të rinjve demokratë të Shkodrës dje ka shkaktuar keqkuptime të mëdha në Tiranë, të cilat sa vijnë e shtohen, dhe Jari e pa të udhës që të bëjë një sqarim të fortë publik.
Ndaj pa humbur kohë, nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:
“Të nderuar miq, Jari ju informon.
Lajmërimi im dje tek mesazhi i radhës, se Luli nuk ka shtruar në spital vjehrrin, por babain e vet biologjik, rezultoi i pamjaftueshëm, sepse shumica e demokratëve që e kanë lexuar, nuk e kanë besuar atë.
Të 3 demokratët e Kombinatit dhe demokrati Thërmija i Durrësit, me të cilët fola sot në telefon, më thanë se kjo është një sajesë që ata të mos bëhen merak për fatin e familjes së Lulit.
Sipas tyre, nëse nuk do të ishte fjala për Xhafën, ai nuk do të kthehej kurrë aq shpejt nga Holanda, duke braktisur papritmas pushimet e janarit.
Por mbi të gjitha, nëse nuk do të kishte qenë ngjarje kaq e rëndësishme për të, ai nuk do ta përmendtte kurrë në një tubim politik, që të prekte zemrat e njerëzve.
Dhe ata thonë që me prindërit biologjikë Lulin e lidh vetëm gjaku, kurse me familjen e gruas e lidh leku, pasuria dhe karriera politike.
Me një fjalë, babai dhe nëna të bien në pjesë, kurse vjehrrin dhe kunatin njeriu i zgjedh vetë.
Por unë ju betohem për nderin tim dhe për atë që kam njeriun më të rëndësishëm në këtë jetë, për kokën e Doktorit, që nuk ju gënjej kurrë, se Xhafa, vjehrra e Lulit dhe kunati i tij, janë shëndoshë e mirë dhe asnjëri prej tyre nuk është shtruar në spital.
Provë përsa po deklaroj me përgjegjësi koke është fakti që po të kishin ata ndonjë problem shëndeti (larg qoftë), Luli nuk do t’i kishte çuar kurrë në këto spitalet tona mizerabël, por do t’i kishte nisur direkt për në Utrecht, ku kanë edhe shtëpinë e vet, që e kanë blerë me djersën e ballit kur punonin burrë e grua tek firma “Vefa”.
Ndaj ju ftoj të gjithëve që të qetësoheni dhe të mblidhni veten, se familja e vërtetë e Lulit gëzon shëndet të plotë dhe se ky keqkuptim i vogël nuk duhet të ndikojë tek pjesmarrja dhe entuziasmi i protestës së 16 shkurtit.
Duke shprehur besimin e plotë se ky sqarim ju ka çliruar ng ankthi i tmerrshëm, gjej rastin të falenderoj rubrikën “Antena” për rolin e vet të pazëvendësueshëm në orientimin e aksionit politik të partisë sonë, që nga koha kur Doktori ishte kryeministër, dhe deri tani që po flasim.
Ashtu siç e kisha paralajmëruar unë përpara 5 ditësh, turi organizator i Lulit për protestën do të niste në bashkitë kryesore që janë fituar nga PD, për të qenë të sigurtë se mblidhen njerëz, dhe për të kursyer karburant.
Por mbi të gjitha, se në këtë sakrificë sublime të tij, do të ketë shumë rëndësi simbolike veshja me xhaketë stofi dhe me golf leshi në çdo takim.
E cila tregon se shqiptarëve po u ngushtohet laku në fyt nga kjo qeveri dhe se prej kësaj mund t’i shpëtojnë vetëm Luli dhe Doktori, bashkë me familjet përkatëse, që Zoti i madh dhe i fuqishëm ua ruajtë dhe ndihmoftë! Amen.
I juaji, Jari!”
Nuk e gjen gje Xhafer Isufin. Ai ka perballuar çdo dite, dimer vere, nga Korca ne majen e Çardhakut kur ishte me detyre kapter ne radiozbulim ne vitet ’70. Pastaj Rexhini ka burra te forte. Bilbil Shakua komandanti i cetes patriotike te ” Bilbilenjve” ishte nga Rexhini. Pastaj te kesh dajo kapterin ne Bazen e Armates VEHBIUN, nuk eshte pak…