Jari shpall heronjtë e opozitës që ju gjetën pranë Doktorit, për hallin e madh

2 Shkurt 2019, 18:22Antena TEMA

Megjithëse protesta e 16 shkurtit po afrohet me shpejtësi, Jari ishte i përqëndruar tek debati që Doktorin dhe familjen e tij nuk e lejojnë të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, se e dinte që atij i kishte djegur shumë.

“Ai burrë na bëri të gjithëve njerëz, duke na marrë nga hiçi, dhe ne duhet t’i gjendemi në krah në këtë situatë të rëndë”, mendoi, dhe nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar miq, Jari ju informon!

Në këto ditë të vështira për familjen e Doktorit dhe për opozitën në përgjithësi, ka pasur shumë burra të lartë dhe fisnikë  që e kanë treguar veten se çfarë janë në gjendje të bëjnë në shenjë mirënjohjeje për të.

Ndaj po ju njoftoj me klasifikimin e përkohshëm të tyre, sipas meritës që kanë pasur për ta përballuar pa shumë dhimbje këtë ngjarje të rëndë.

1-Në vend të parë është Luli, që anulloi vizitën e fundjavës në Holandë dhe qëndroi në Shqipëri.

Zyrtarisht e justifikoi me organizimin e protestës, por është fare e qartë se e ka bërë për t’i qëndruar afër Doktorit dhe për t’i demonstruar besnikërinë e vet, pas asaj që i ndodhi.

I falemi 100 herë Zotit, që e kemi në atë detyrë prej 6 vjetësh.

2-Në vend të dytë është Qim Peka, që tha se Doktori ka pasur mik Bushin e madh dhe se atë e njeh gjithë Amerika, ndaj edhe nuk guxon njeri në Uashington me i heq vizën atij.

Por, sipas tij, këto llafe i hap Edi Rama bashkë me atë filoserbin Bolton, që është infiltruar si këshilltar i presidentit Tramp.

3-Në vend të tretë ka dalë Irfani, pasi mediat e veta thanë se Doktorit nuk i është bllokuar viza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit, ndërkohë që askush nuk e kishte thënë këtë.

Sepse lajmi kishte dalë se masa ishte marrë dhe kategorizimi ishte për aktivitet kriminal dhe për konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara.

4-Në vend të katërt është Fevzo, i cili tha se Doktori ka marrë vizë të përjetshme, që nga viti 1991, dhe se këtë ja kanë komunikuar vetëm atij në konfidencë, amerikanët.

Me këtë që bëri atij ju falën të gjitha ato që kishte thënë dhe bërë kundër Dokrorit, sidomos në vitin e fundit të PD në pushtet.

Sepse miku i mirë njihet në ditë të vështira, dhe hall më të madh se kaq Doktori dhe familja e tij nuk kanë pasur.

5-Në vend të pestë është Sali Lusha, që ka thënë se një fije floku po ju prek Doktorit, do të shkojë gjaku në gju të kalit.

Dhe ky është një mesazh i drejpërdrejtë për Amerikën, që të mos guxojë t’i anullojë vizën atij, sepse nuk dimë që të ketë patur ndonjë kërcënim tjetër në adresë të Doktorit dhe të familjes së tij këto kohë.

6-Në vend të gjashtë qëndron Zeni me Karminën, si çift, të cilët nuk janë bërë të gjallë fare këtë javë, duke folur me heshtjen e tyre.

Kjo është një lloj zie që kanë mbajtur ata dhe tregon respektin që kanë për atë që ua mundësoi që të jenë familje e pasur dhe e lumtur.

Pas gjithë këtij solidariteti, unë i kam bërë një propozim gjithë pronarëve të mediave që mbrojtën Doktorin, që të bëjnë së bashku me të një udhëtim në SHBA, se jam gati t’ua paguaj nga xhepi im.

Aty do plasë Edi Rama.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje