Nga Valona Tela, Rel
Një koalicion prej 16 shtetesh amerikane, i udhëhequr nga Kalifornia, paditi administratën e presidentit Donald Trump për vendimin për të shpallur emergjencë kombëtare, me qëllim mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.
Trump e shpalli emergjencën kombëtare të premten, duke anashkaluar Kongresin, pasi ky i fundit refuzoi të miratojë 5.7 miliardë dollarët e kërkuar për murin.
Njoftimi i presidentit erdhi pasi ai e nënshkroi një ligj të shpenzimeve, duke shmangur një mbyllje tjetër të qeverisë, por që i siguroi atij vetëm 1.3 miliard dollarë për barriera të reja në kufi.
Demokratët kundërshtojnë të financiojnë murin, për të cilin Trump thotë se do të pengonte hyrjen e migrantëve të paligjshëm në SHBA.
Shtetet që ngritën padinë, thanë se duan të bllokojnë “keqpërdorimin e pushtetit presidencial” nga ana e Trumpit.
Padia kërkon një vendim gjyqësor që do ta ndalonte Trumpin të vepronte në gjendje emergjente, derisa beteja ligjore të zhvillohet në gjykata, raporton Washington Post.
“Po e padisim presidentin Trump për ta ndaluar atë që të plaçkisë fondet e tatimpaguesve që ligjërisht janë lënë mënjanë nga Kongresi. Për shumicën prej nesh, zyra e presidencës nuk është një vend për teatër”, tha prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Xavier Becerra.
Padisë së Kalifornisë i janë bashkuar: Kollorado, Konektikat, Dellaver, Havaji, Illinois, Mein, Merillend, Minesota, Nevada, Nju Xhërsi, Nju Meksiko, Nju Jork, Oregon, Virxhinia dhe Miçigen.
Të gjitha ato, pos Merillendit, qeverisen nga demokratët. Sipas tyre, urdhri i presidentit Trump për t’i devijuar fondet do t’iu kushtonte atyre miliona dollarë dhe do t’iu dëmtonte ekonomitë.
Padia u ngrit në gjykatën për Qarkun e Veriut të Kalifornisë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë ende me ndonjë koment. Më herët, presidenti ka thënë se emergjenca kombëtare do t’i mundësojë atij të sigurojë gati 8 miliardë dollarë për murin, edhe pse barriera e gjatë gati 3,200 kilometra, sipas llogaritjeve, do të kushtonte 23 miliardë dollarë.
Trump e ka parashikuar se do të paditet për këtë veprim dhe ka thënë se rasti ka të ngjarë të përfundojë në Gjykatën Supreme.
“Ne do të përballemi me krizën e sigurisë kombëtare në kufirin tonë jugor. Gjithkush e di se muret funksionojnë”, ka thënë Trump.
Kritikët, megjithatë, e kanë akuzuar qeverinë për një “krizë të prodhuar”, duke thënë se pohimet e presidentit rreth situatës janë të pavërteta.
Akti i Emergjencave Kombëtare në SHBA është i menduar për kohë të krizave kombëtare. Trump ka pohuar se ekziston një krizë migrantësh në kufirin jugor të SHBA-së, gjë që është hedhur poshtë nga ekspertët e migracionit.
Meksika nuk është Palestinë.
Ka shtete me keq se Palestina ne Ameriken e Jugut, ku shtetasit e tyre lejohen te shkojne ne Meksike pa viza dhe dynden ne kufijte Jugore te SHBA. 22 milion njerez pa dokumenta ligjore jane ne SHBA. Te gjithe presidentet para Trump kane mbyllur nje sy, sepse politika nuk i ka lene ta zgjidhin problemin e emigracionit dhe mbrojtjen e kufirit jugor.
Flisni per gjera qe dini dhe mos u beni specialiste per te gjitha.
ESHTE MIRE QE ME KETE MUR TE NDALOHEN TE PALIGJSHMIT DHE TE ULEN SHPENZIMET PER TE MBAJTUR ATA. BESOJ SE KETO PARA TE KURSYERA DO TE SHKOJNE PER SIGURIMET SHENDETSORE TE AMERIKANEVE.
Cfare ju duhet me kufijte e USA , shikoni problemet sepse USA eshte planet tjeter dhe nuk ju bie rradha ju te diskutoni per te !!!!!!