SHIFRAT: Sa armë ilegale janë në duart e qytetarëve të Kosovës dhe sa është çmimi i një arme?

22 Shkurt 2019, 13:17Rajoni TEMA

Qytetarët e Kosovës rezulton të jenë merakli të armëve. Ndonëse lufta ka përfunduar prej 20 vitesh, ata mbajnë në shtëpitë e tyre ende armë legale e ilegale. Aktualisht sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi 250 mijë armë ilegale janë në duart e tyre.

E që shtetasit e Kosovës i duan armët dhe kanë dëshirë t’i mbajnë ato në shtëpitë e tyre e dëshmon edhe interesimi i vogël për t’i legalizuar.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka nisur një fushatë për legalizim të armëve në dhjetor të vitit të kaluar dhe do të zgjasë deri më 17 qershor të këtij viti.

Mirëpo, deri më tani siç kanë treguar në MPB numri i të kërkesave për legalizim nuk është më i madh si 1 mijë.

Aktualisht në tërë Kosovën, janë afro 300 mijë armë që gjenden në duart e qytetarëve, por që vetëm 50 mijë qytetarë kanë leje për përdorimin e tyre.

E, kodi penal i Kosovës parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në 5 vjet për armëmbajtje pa leje.

Dënim 2 deri në 10 vjet burgim, parashihet edhe për zotërim ilegal të katër ose më shumë armëve dhe më shumë se 400 fishekëve.

Ministria e Punëve të Brendshme që nga 17 dhjetor 2018 u ka mundësuar qytetarëve të cilët posedojnë armë pa leje t’i legalizojnë ato.

Kjo ministri ka prezantuar fushatën për legalizimin e armëve me moton “Me Letra”, cila mund të bëhet nga muaji dhjetor deri në 17 qershorin e vitit 2019.

Brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryej trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.

Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.

Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, arrin vlerën e rreth 300 eurove.

Por meraklinjtë e armëve nuk e kanë fare të vështirë të pajisen me to në Kosovë. Madje edhe çmimet e tyre nuk është se janë shumë të larta.

Ata që duan të kenë një armë mund ta blejnë atë me një çmim prej 250 euro. Kurse, për armët më të sofistikuara çmimi mund të shkoj edhe deri në 4 mijë euro.

Në Kosovë janë të licencuara disa poligone të cilat shesin armë në mënyrë legale. Importi e armëve kryesisht e bëhet nga Turqia dhe Amerika.(Fatos Shala, Monitor)

3 komente në “SHIFRAT: Sa armë ilegale janë në duart e qytetarëve të Kosovës dhe sa është çmimi i një arme?”

  1. agim says:

    Mos i carmatosni me kosovaret. Heren e fundit qe u carmatosen nuk shkoi mire.

  2. Baliu says:

    Kur flitet per qytetaret e Kosoves nuk duhet harruar serbet te cilet jan te armatosur deri ne dhemb qe nga koha e Sllobes, dhe as qe guxon ti shkoj mendja kujt per ti bastisur, apo konfiskuar ato. Ne anen tjeter kur “femijet” e bosave te pushtetit zihen me arme (dhe droge), atehere fillojne hetimet se kush ka guxuar ta publikoj at lajm. Pra shkurt kjo eshte nje teme jo e qelluar per diskutim.

  3. S.Krasniqi says:

    300 euro kushton legalizimi? Do ta mbajë edhe me tutje të fsheur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje