Vetëvrasja e Partisë Demokratike, si një e mirë publike

22 Shkurt 2019, 09:08Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Protesta e dytë opozitare, ajo e 21 shkurtit, e trumbetuar si finalja e madhe ku do rrëzoj qeveria “Rama” me gjithë Kuvendin, kaloi pa incidente. Përpos ndikimit të faktorit ndërkombëtar që e shfaqi hapur kundërshtinë për aktet e dhunshme të datës 16 shkurt, kjo protestë tregoi se nuk kemi të bëjmë me popull të revoltuar, por me elektorat të instruktuar. Që do të thotë se, kur do lidershipi opozitar i ndërsen ata kundër godinave qeveritare, e kur nuk do, i mban nën kapistall. Prandaj opozitarët tanë bëjnë mirë të mos gjejnë justifikime bajate për t’i bishtnuar përgjegjësive, por të tregohen të vërtetë e t’i dalin për zot edhe akteve të dhunshme përderisa janë po aq të zotë që t’i parandalojnë ato.

Gjithsesi, tashmë jemi përpara një fakti të kryer të dorëzimit të mandateve si përfaqësues të popullit të deputetëve opozitarë. Ka një presion ndërkombëtar ndaj tyre që ta rishikojnë këtë vendimmarrje sa janë ende në kohë për revokim. Duket se faktori ndërkombëtar, përveç se nuk pajtohet me këto forma ekstreme, i druhet edhe krijimit të precedentëve referues edhe për vendet e tjera.

Ashtu sikurse protestat nëpër vendet perëndimore a ish-lindore patën efekt domino edhe në vende të tjera, përfshi edhe frymëzimin e tyre tek ne nëpërmjet studentëve, ashtu edhe kjo formë e të bërit politikë rrezikon që të kthehet në fenomen në vende të tjera. Bile, edhe rreziku që ky të kthehet në një trend në të ardhmen brenda Shqipërisë paraqet risk të lartë. Natyrisht, kjo vlen sa kohë në pushtet do të jetë PS-ja, sepse nuk ka dyshimin më të vogël që një qeveri me PD-në në udhëheqje, as që bëhet fjalë të dorëzojë pushtet nëse do ketë mazhorancë të konsoliduar parlamentare. PD-ja ka treguar në historinë e saj se për pushtet e çon vendin në gjakderdhje e shkatërrim total si ai i vitit 1997, jo më të tolerojë dhurimin e pushtetit në tavolinë siç bëri kryeministri Rama në vitin 2017 kur ndau pushtetin me opozitën gjë për të cilën ish-kryeministri Berisha me sinqeritet u shpreh se: “Unë s’do ta kisha bërë kurrë”.

Është e vërtetë që PD-ja është e para parti opozitare që rrëzoi nga pushteti regjimin komunist dhe u bë shpresa e shqiptarëve për ëndrrën evropiane. Por, sot, 29 vite pas themelimit të saj, duket se ajo e plotësoi ciklin politik brenda tri dekadave. Ajo nuk u bë kurrë një parti siç e ka emrin, por gjatë gjithë jetës së saj politike pati si fytyrë identifikuese veç një emër: Sali Berishën.

Ai nuk i dha asaj vetëm fytyrën, por edhe karakterin e tij të vrazhdë e dallkauk; hakmarrës e primitiv; refraktar e bajraktarist. Sado u përpoqën të rinovoheshin me fytyra të reja e me kulturë perëndimore, ishte tmerrësisht e vështirë që edhe ata të mos binin preh e vijës së sjelljes, gjuhës dhe mentalitetit që kish brumosur Sali Berisha.

Duket si një amanet i pashkruar prej tij që sapo shkel në atë seli, çdokush transfomohet dhe merr tiparet e tij, gjuhën e tij, fjalorin e tij, llumin e tij, me një fjalë, gjithçka çfarë përfaqëson Sali Berisha.

Këtë lloj ndikimi kaq të madh mbi ta, bile edhe mbi ata që ai i ka dhunuar dhe ia kanë falur dhunimin dhe depersonalizimin duke iu rikthyer si djem plangprishës, e ka pasur vetëm Enver Hoxha. Fakti që të gjithë deputetët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar u solidarizuan me vendimin e Lulzim Bashës, i cili është as më shumë e as më pak veç një zgjatim i Berishës, tregon se ajo parti ka humbur nocionin e reagimit të brendshëm për të marrë vendime të pjekura dhe është gati të kthehen në kamikazë politikë në dëm të interesave integrues të vendit, për hir të mentalitetit berishist që parashtrova më lart. Për këto shkaqe, e quaj të ezauruar rolin e kësaj partie në skenën e politikës shqiptare.

Në këto kushte, është e kotë dhe e padobishme që t’u lutesh demokratëve të ndërrojnë mendje. Sa më shumë t’u lutesh e t’i ofrosh, aq më tekanjozë bëhen, bile më keq se ato fëmijët e përkëdhelur. Ata me aktin e tyre i kanë bërë një shërbim të madh politikës shqiptare. Kanë larguar nga skena politike arkitektin e fatkeqësisë sonë kombëtare të kohës së demokracisë. Si një relike e vjetër, e mbetur që nga koha kur regjimi komunist në rënie e delegoi si ndërmjetës me studentët e që më pas iu bë barrë gjithë Shqipërisë, Sali Berisha i ishte ngjitur politikës shqiptare si një këpushë që ishte e pamundur ta shqisje. Ai vetë nuk largohej, por as rioshët që e pasuan nuk e kishin atë guxim për t’i bërë dalje, prandaj forma ekstreme që zgjodhën vetë nuk duhet inkurajuar që të kthehet mbrapsht.

Askush të mos ketë merak se politka shqiptare ka për ta ndjerë mungesën e kësaj partie. Vetë koha do të sjellë në skenë elementë të rinj e të papëlyer, që do të dinë të zhvillojnë një opozitë dinjitoze, me alternativa konkrete e të besueshme. Mungesa e opozitës së identifikuar me Partinë Demokratike do të jetë e përkohshme, ashtu siç është e përkohshme edhe mungesa e disa institucioneve të larta të drejtësisë që u pastruan nga gjykatësit e korruptuar. Nëse të dytët i pastroi reforma në drejtësi e cila njëkohësisht po ngre edhe institucionet e reja që do hetojnë dhe ndëshkojnë politikën, të parët u vetëdogjën në zjarrin e çmendurisë që kaploi lidershipin e PD-së pikërish nga efekti i të dytës. Qoftë edhe për këtë arsye, vlen të thuhet se, vetëvrasja politike e PD-së, vjen si një bekim në dobi të publikut shqiptar.(TemA)

7 komente në “Vetëvrasja e Partisë Demokratike, si një e mirë publike”

  1. Henri i VII says:

    Kjo eshte fitore tjeter me e madhe pas rrezimit te komunizmit sharlatan shqiptar

  2. irma says:

    Irma
    O zot, u bëftë realitet !
    Të shpëtojmë dot nga kjo opozitë mizerje? Endërr!

  3. kastriot says:

    Mos u genjeni dhe mos na genjeni.Nuk ka ndonje doreheqje akoma.Kjo ishte nje loje per te perfituar sa me shume dhe ata do te kethehen si te paturpshem qe jane.

  4. Flutura says:

    Thoni c’ te doni po Basha eshte tenor i shkuar dem?

  5. gezim says:

    kur do behet ralitet per nje njeriqe beri 97 grushtin e shtetit ne 98 si gerdecin dhe 21 janarin ku shteti ngre doren dhe vret qytetaret vet shqiptaret do ta kuptojne sa mire do jete pa kta se nje opozite e re do te vije pa saliun edhe me e mire per shqiptaretg

  6. Nje analize perfekteqe tregon shkoqur e qarte se opozita shqiptare e mbulli ciklin e saj dhe tashme largimi i saj e zevendesimi do ishte nje realitet pozitiv per vendin .Megjithese personalisht mendoj akoma se ata bejne bllofin deri sekondat e fundit nuk e kane per here te pare . kthimi i tyre nuk jua nxin fytyren sepse ka kohe qe jane pa fytyre .

  7. Kerpusha vicidolase e Demokracise says:

    Kjo eshte fitorja me e madhe e popullit shqiptar,pas ndryshimit te sistemit te meparshem.Largimi i mortjemadhit kriminel nga vicidoli dhe agjentit te UDB-se dhe jo vatem nga skena politike.Ai vertet do te vazhdoje te beje zullume deri sa SPAK-u ta vere ne qyngje,por te pakten zyrytarisht nuk do jete me ne teatrin e te enjtes ne parlament si regjizor makaber e skenarist i kinostudios se shqupit per prodhimin e perhapjen e Fake News.Do kemi lajme prej tij nepermes qytekarit dixhital apo nepermej kapterit te tij pinok shvejko-lyl.Por edhe ai se shpejti do i lere pendet…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje