ANALIZA: A fluturojnë pandat?

24 Shkurt 2019, 21:11Bota TEMA

Nga The Economist

Gjatë dy javëve të fundit, negociuesit kinezë dhe amerikanë janë mbyllur në bisedime në Pekin dhe Uashington për t’i dhënë fund konfliktit të tyre tregtar

përpara afatit të 1 marsit, kur Amerika do të rrisë tarifat për mallrat kineze ose, ndoshta, do t’i lërë bisedimet të shtrihen në kohë shtesë. Mos u hutoni nga detajet tru-mpirëse mbi importet e sojës dhe ndërmarrjet e përbashkëta të makinave. Në rrezik është një nga çështjet më të rëndësishme të shekullit 21: trajektorja e ekonomisë prej 14 trilionë të Kinës.

Edhe pse luftën tregtare e nisi Presidenti Donald Trump, pak a shumë të gjitha palët në Amerikë pajtohen se kapitalizmi shtetëror i Kinës e bën atë një aktor të keq në sistemin e tregtisë globale dhe përbën një kërcënim për sigurinë. Shumë vende në Evropë dhe Azi pajtohen me këtë mendim. Në qendër të këtyre ankesave është roli i qeverisë së Kinës, e cila kalon kapitalin e lirë drejt firmave shtetërore, ngacmon kompanitë private dhe shkel të drejtat e të huajave. Si rezultat, Kina shtrembëron rëndshëm tregjet brenda dhe jashtë vendit.

Reagimet e ashpra po ndodhin pikërisht në kohën kur modeli i borxhit të Kinës, investimet e rënda dhe drejtimi shtetëror po jep fitime të pakta. Rritja në këtë tremujor mund të bjerë në 6%, më e keqja në pothuajse tre dekada. Shumë dyshojnë se shifra e vërtetë është ende më e ulët. Duke hapur ekonominë dhe frenuar shtetin, Xi Jinping,

udhëheqësi autokratik i Kinës, mund të rrisë performancën brenda kufijve të Kinës dhe të fitojë një pritje më pak armiqësore jashtë tyre. Ai ngurron nëse duhet të kufizojë fuqinë e qeverisë dhe partisë, apo të pranojë kërkesat amerikane. Por rruga e Kinës çon drejt një paqëndrueshmërie afatgjatë.

Udhëheqësit e saj kanë të drejtë të ndihen të vetëkënaqur. Partia ka kryesuar një nga sukseset e mëdha të historisë. Që nga viti 1980, ekonomia është rritur me një normë vjetore të përbërë prej 10%, pasi gati 800 milion njerëz e kanë nxjerrë veten nga varfëria. Një vend që luftonte për të ushqyer veten tani është prodhuesi më i madh në botë. Trenat e tij dhe sistemet e pagesave digjitale janë superiorë ndaj atyre të Xhaxha Samit, dhe universitetet elitë të tij po arrijnë në shkencat. Megjithëse pabarazia dhe ndotja janë rritur, edhe standardet e jetesës janë rritur.

Megjithatë, siç shpjegon esja jonë këtë javë, pasi zoti Xi mori pushtetin në vitin 2013, Kina ka shkuar prapa në disa mënyra. Dy dekada më parë ishte e mundur, madje e arsyeshme, të imagjinohej që Kina gradualisht do t’u jepte liri tregjeve dhe sipërmarrësve që të luanin një rol më të madh. Përkundrazi, që nga viti 2013 shteti ka shtrënguar kontrollin e tij. Pjesa e kredive të reja bankare për firmat

në pronësi të shtetit është rritur nga 30% në 70%. Sektori i gjallë privat ka ngrirë; pjesa e prodhimit të saj është në stanjacion dhe firmat duhet të krijojnë qeliza partiake të cilat pastaj mund të thonë fjalën e tyre mbi vendime jetike të punësimit dhe investimit.

Rregullatorët ndërhyjnë në tregun e aksioneve, analiza kritike është e shtypur dhe, që pas një zhvlerësimi të dështuar të monedhës në vitin 2015, flukset e kapitalit janë të kontrolluara fort. Z. Xi e ka injoruar këshillën e Deng Xiaoping për të “fshehur aftësitë dhe pritur kohën e duhur”, duke nisur planin “Made in China 2025”, një përpjekje për të përdorur drejtimin e shtetit për të dominuar industritë e teknologjisë së lartë. Kjo ka alarmuar pjesën tjetër të botës, megjithëse ende nuk ka prodhuar rezultate.

Sigurisht, qasja e zotit Xi mund të vazhdojë për një farë kohe. Sa herë që ekonomia ngadalësohet, injektohet stimul. Në janar bankat shpërndanë 477 miliardë dollarë në kredi, një rekord i ri. Por ndërrime strukturore po punojnë kundër Kinës. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet. Investimi është një 44%-ësh i fryrë i PBB-së. Ndërsa burimet thithen nga projekte të kota dhe firma shtetërore joefikase, rritja e produktivitetit është

ngadalësuar. Tani që borxhi është rritur, pagesat e interesit do të arrijnë në gati tre të katërtat e kredive të reja.

Kritikat nga jashtë vendit rrezikojnë të bëhen një tjetër pengesë. Ndërsa barrierat ndaj tregtisë rriten, Kina nuk mund të mbështetet te pjesa tjetër e botës për t’u rritur. Pjesa e saj e eksporteve botërore do ta ketë të vështirë të rritet mbi 13% që ka sot. Firmat e saj më të mëdha dhe më të sofistikuara, si Huaëei, shihen me dyshim në tregjet perëndimore. Z. Xi premtoi një “përtëritje të madhe”, por ajo që ndjell është rritje më e ulët, më shumë borxh dhe izolim teknologjik.

Udhëheqësit e Kinës i kanë nënvlerësuar zhgënjimet që fshihen pas luftës tregtare. Ata kanë supozuar se Amerika mund të zbutet me dredhi për të ulur defiçitin tregtar, dhe se zënka do të përfundojë kur Z. Trump të largohet nga Zyra Ovale. Në fakt, negociuesit amerikanë, me mbështetjen e Kongresit dhe të establishmentit të biznesit, kanë kërkuar ndryshime të thella në ekonominë e Kinës. Kundërshtia perëndimore ndaj modelit të Kinës do të zgjasë përtej zotit Trump.

Për t’u marrë me armiqësinë jashtë vendit dhe dobësinë në shtëpi, Z. Xi duhet të fillojë duke kufizuar rolin e shtetit

në ndarjen e kapitalit. Bankat dhe tregjet financiare duhet të veprojnë lirshëm. Firmat e dështuara shtetërore duhet të shkojë në faliment. Kursimtarët duhet të lejohen të investojnë jashtë vendit, në mënyrë që çmimet e aseteve të pasqyrojnë realitetin dhe jo shtypjen financiare. Nëse paratë shkojnë aty ku është produktive, akuza që ekonomia është e manipuluar padrejtësisht do të jetë më e vështirë për t’u mbështetur dhe rritja e borxheve të këqija do të ngadalësohet.

Z. Xi duhet gjithashtu të zbusë politikën industriale të Kinës. Është e tepërt të imagjinosh se do të privatizojë 150,000 firmat e saj shtetërore. Por duhet ta kopjojë Singaporin, ku një organizëm i quajtur Temasek ka aksione në firmat shtetërore, duke u dhënë atyre autonomi ndërkohë që kërkon që ato të veprojnë në mënyrë po aq efikase sa sektori privat. Shpenzimet për politikën industriale duhet të zhvendosen nga skemat e mëdha si “Made in China 2025” drejt financimit të kërkimit bazë.

Së fundmi, Kina duhet të mbrojë të drejtat e firmave të huaja. Brenda Kinës, kjo do të thotë që t’u japet kontroll i plotë i filialeve të huajve, duke përfshirë edhe sekretet e tyre teknologjike. Përtej kufijve të saj, kjo do të thotë respektim i pronës intelektuale, gjë e cila do të jetë në

interesin e Kinës, ndërkohë që firmat e saj bëhen më të sofistikuara.

Duke pasur parasysh historikun e dobët të Kinës, Amerika do të ketë nevojë për t’u përgjigjur nëpërmjet tarifave ose arbitrazhit nëse Kina nuk i përmbush zotimet e saj. Por Amerika gjithashtu duhet të shpërblejë sjelljen e mirë. Nëse firmat kineze mund të përdorin transparencë më të madhe për ta bindur atë se po veprojnë mbi parimet tregtare, ato duhet të trajtohen si biznese nga çdo vend tjetër.

Sot, këto reforma duken një perspektivë e largët. Por ato ishin mençuri e pranuar ndërmjet teknokratëve të Kinës një dekadë më parë. Ato janë gjithashtu të njohura në shtëpi. Bosët e korporatave dhe zyrtarët e lartë thonë se ata duan që presioni amerikan të arrijë te z. Xi në një mënyrë që ata nuk munden. Nën drejtimin e tij, Kina është duke ngecur në një cikël të keq rritjeje të ngadaltë, borxhi, kontrolli shtetëror dhe armiqësinë jashtë vendit. Një Kinë më liberale ekonomikisht do të përfundonte më e pasur dhe do të bënte më pak armiq. Është koha që zoti Xi të ndryshojë kursin. Përktheu për gazetën “TemA” Kebriona Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje