Nga Kristo Mërtiri
“Vitrinat e bukura që mbulojnë mashtrimin duhen thyer”. Majtas e djathtas ! Sepse njerëzia e thjeshtë dhe e ditur, nuk e duron transparencën e gënjeshtërt. Ajo të neverit e të qesëndis, madje të përcjell edhe me batuta e bejte që fshikullojnë cilindo me poste të larta e të ulta. Dhe as i skuq pëllëmbët me duartrokitje e jargavitje mitingashe e lamashe. Se këta të fundit po zënë qoshera e folera nëpër Administratën lokale e qëndrore. Dhe jo vetëm nga nepotizmi i shfrenuar që i merr frymën korrektësisë, përgjegjësisë shtetërore, morale e zyrtare. Prandaj mbeten kurdoherë problemi e aspak zgjidhja. Ky është realiteti ynë i hidhur, të tjerat janë brockulla !
Të tillë shembuj ka shumë e për lumë. Gjatë këtij Tranzicionkaosi shqiptar 30 vjecar, mentalitetin e pashallëkut e kemi parë dhe prekur nga afër te mjaft politikanë, deputetë, qeveritarë në periferi e në metropol. Kur pyet njerëz të zakonshëm nga Veriu në Jug, se c’farë ndryshimesh pozitive ka siguruar në trevën e tyre iks zyrtar i lartë gjatë mandatit të dhuruar nga Njëshat e partive, gati të gjithë i bien shkurt:”Një vërë në ujë !”. Këta votues të lodhur e të pakënaqur nuk i kërkojnë gjurmët e tyre në ujë, por atje ku ziejnë hallet e marazet e përditshme të urisë për punë; asistencë sociale; rritje pensionesh; strehim ; shërbim shëndetësor pa ryshfete e marifete, pa ilace të shtrenjta që i lënë trokë fukarenjtë; infrastruktura shkollore e rrugore sidomos në fshatrat me gjurmë të frikshme mesjetare deri pa energji elektrike e pa ujë të pijshëm, pa ushqim minimal të kontrolluar etj. Varfëria migjeniane të vret e të pret gjunjët !
Ditët e fundit, një miku im agronom i vjetër nga Lumi i Vlorës, fliste si i mbytur në trishtim. “ Ti je gazetar i dy sistemeve politike. A komunikon dot në telefon me ministritë ose institucionet qendrore ? Aman, më qafsh, e provon dot tani, t’i gjej unë numurat në internet dhe do të fal një kartë të re celulari. Apo do më dëgjosh mua se si përgjigjen e si të përcjellin me daulle, lule e baxhule. Fjala vjen, le ta nisim me Bibliotekën Kombëtare ku dua të zgjidh shpejt një hall kulturor. Mbase ma varin pakëz edhe si invalid që jam…”.
Formuam numrin e Drejtoreshës, por doli sekretarja e saj. I thamë problemin konkret dhe na dha emrin e një zonje përgjegjëse për të komunikuar. Mirëpo ajo s’kishte fare numur kontakti. U detyruam të marrim 3 kolege të saj me të njëjtën detyrë. Zilja binte pa pushim tek të tria adresat dhe askush nuk ngriti receptorin ! Kërkuam përsëri sekretarkën. Po këtë radhë u përgjigj si me pak hundë e buzë: “Zotri, komunikoni me email !”(madje miku im u ngatërrua dhe pyeti aty për aty: për cilin Malo e ka llafin ? ).-Po me Drejtoreshën, të lutem, a mund të flasim pak sekonda ?,-iu drejtuam.-Se ne nuk kemi haber nga fejsbuqet e ulluqet që po cmendin dynjanë…”. “-U thashë një herë, vetëm me email ! Hajde mirëupafshim !”. Po për kë shërben numri i zyrës që e paguajmë ne takasapaguesit e këputur ?…Durimi nuk po sosej ende. Tentuam të flasim me Ministrinë e Kulturës, pasi pamë të gëzuar edhe shkronjat kapitale “PYET SHTETIN”. Edhe aty doli sekretarja. Vec kjo na i preu drutë edhe më shkurt në të dalë të Shkurtit: “Bëjeni pyetjen me shkrim, mbylleni në zarf dhe niseni me Postë. Nuk lejohet në telefon !”. Pikë e zezë !,-shfryu miku im i vjetër lab.-Lëre fare, të sikletosa shumë, ma bëj hallall… Tymi i cigareve po i shtonte shtëllungat. E provojmë pak me majën e kupolës, Kryeministrinë, se të shkruarës së saj në internet s’ke ci thua, ja :”nëse doni të dërgoni një ankesë apo të denonconi një parregullsi, ju mund të telefononi në numrin…”. Por, askush nuk pipëtiu ! I fundit numur që këmbëngulëm për kontakt, ishte pagëzuar me emrin Jeshil. Asnjë zë. Sic hymë, ashtu dolëm nga kjo mesele transparence plot thartirë ! Bosh e me fytyrë më të ngrysur, por sic thotë një vërsniku im, “me durim derri”. Burokraci sipërore, përgjegjësi foshnjore apo tallje me taksapaguesit e arkave “off shore” ?!…
Përrallat e Polit(h)ikës pa moral nuk pijnë më ujë te “shtresat e paprivilegjuara”. Përralla të sheqerosura e të dambllosura nga mazhoranca e opozita. Dhe harrojnë deklarenë e një udhëheqësi “liberator” 16 vite më parë: “Duke parë se sa më shumë i fshihemi të vërtetës aq më pranë humnerës shkon pushteti i njerëzve të thjeshtë dhe jo pushteti i njërit apo tjetrit”(tashmë e ka bërë hasha edhe i zoti!), shumë e shumë zyrtarë janë shkëputur herët nga mileti me hallet e dertet sa një mal. Këmbë përmbi këmbë e të kollarisur përballë kamerave e “moderatorëve” qej o qejf që bën dervishi(gazetari modern ?), kujtojnë se u zënë sytë e veshët shikuesve e dëgjuesve mbrëmave zhurmuese e tymuese. Mirëpo, komunikimi “sy më sy”, me përzgjedhje e tredhje nëpër lesa e interesa meskine, miqësore, lokale e fisnore, nuk i bën dot budallenj bashkëqytetarët e tjerë që njihen me rrënjë e degë. Megjithatë, Polit(h)ika me “bishtatundës” e djallësira vazhdon të shartojë nëpër hënë ! Majtas e Djathtas. Dhe fluturojnë plot fodullëk me fuoristrada luksoze, me shoferë e bodiguardë, me vila e pallate në themele të qelbura nga paraja e pistë. E tha bukur një mëhallaliu ynë tiranas, tifoz i thekur futbolli:”-Këta politikanët tanë kanë harruar të ecin me këmbë…A e dini që portieri i Barcelonës paguhet gati 100 mijë euro në javë ? Por bën jetë normale. Dhe udhëton me metronë e qytetit katalanas !”. Salltanetet dhe tangërllëqet në pushtet e opozitë, makutëria pa anë e fund, nuk i bëjnë karshillëk vetëm Varfërisë por edhe vetë Shtetit të së Drejtës për të cilin u “qan” shpirti ditë e natë. Rroftë Interneti që po e nxjerrin si flamur për Sovranin e mbytur në këtë pseudodemokraci ! Po sa përqind e popullatës në fshatra e qytete është pronare dhe e ditur në komunikimet elektronike ? Askush s’jep xhevap. Pa folur për pordhalet lumë e det. Pa folur për numrin e famshëm policor 129 ku nuk të jep njeri një bilanc konkret se sa ankesa të qytetarëvë janë zgjidhur në kohë. Pa folur për policirat Bashkiake; Rrugore; Financiare; Elektrike; Pyjore; Doganore etj. Vallë, vetëm maja e Kryeministrisë do u dalë për zot mbi 30 mijë ankesave të drejtpërdrejta ? Megalomania e fodullëku duken sheshit. Na u tha si “pa mburrje” se janë shkarkuar nga puna dhjetra zyrtarë. Bukur ! Po përse nuk thuhet ende asgjë publikisht se kush i përzgjodhi me sitë e pa sitë ata myteberë, kush firmosi e vulosi për secilin dhe kush u përgjigj ligjërisht e financiarisht për pelivanllëqet e politikës qorre të burimeve njerëzore ? Apo t’i biem shkurt “pordhi kali në derë të hanit” !…
Pyetja e fundit: Sa dhe cilat familje(me emër e mbiemër) dolën vërtetn nga gropa e zezë e Varfërisë ? Se shifrat e përqindjet fluturake nuk duhet t’u shkojnë për shtat as vetë ekspertëve të Bankës Botërore që mbase duan të na mbajnë me ujë të vakët. Dhe nuk ka faj Pasqyra por Fytyra ! Realiteti është krejt ndryshe te Mileti. Pra, të mos bëhen petullat me ujë deti. Dhe as vetëm nga Metropoli e gjoli erërëndë e tepër tinëzar i Polit(h)ikës. Që shpesh në Shqipërizën tonë bëhet gjol e përrua ! Mos e harroni një nga Fjalëzat e urta të Saadiut të pavdekshëm : “ I thanë njëherë sfurkut:
-Pse nuk të shohim të dalësh përjashtë në dimër ?
– Se mos më bënë ndonjë nder të madh në verë, që të dal edhe në dimër,-u përgjigj ai.
Kjo politike pa moral eshte bajge qe njerzit e shkrete ia njohin fytyren, shkaktare e mungeses se qetsise dhe fukarallekut te pasosur. Sikur na ka denuar Zoti. Sa per shkrimin, e thote acik cdo gje. Por a degjojne keta pushta. Njerzit po humbin cdo shprese. Faleminderit penes tende z. Mertiri.
Bukur. Kjo klase politike duhet fshire.
Humor kot me kot; une nuk e kuptoj si mund te sqarohet apo zgjidhet nje problem me telefon; ne kohen e sotme , komunikimi online eshte komunikimi me i dobishem…ironite apo bejtet e tjera jane pordhe me rigon, per ti bere qejfin dhe qeshur me veten tende.
Nuk pergjigjen direkt se nuk dine….me shkrim ja ngecin ndonje fakiri te vjeter qe mer vesh.Vetem Balerina e velina ka ju siguroj…te miret kush pati mundesi iku nga syte kembet nga administrata….ndaj dhe nuk kopsisin asnje leter se sdine….te shkretet cdo heqin neser…..
Ppa. I ke pire ilacet o pi… pi… ah… Te meshirofte Zoti per mendjen qe te ka ikur.