Rasti “Bansky”: Arti i rrugës dhe e drejta e autorit

28 Shkurt 2019, 22:05Bota TEMA

“E drejta e autorit është për dështakët”, ka thënë dikur Bansky. Artisti anonim nga Britania ka mbushur shpesh muret e rrugëve të kryeqyteteve të Europës. I njohur si artist rruge, aktivist politik dhe regjisor, ai ka zgjedhur të mos e shfaqë fytyrën në publik. I cilësuar nga revista “Time”, në vitin 2010, si një nga 100 njerëzit më me influencë në botë, ai ka themeluar organizatën Pest Control, e cila garanton autenticitetin e punëve të tij.

Por mesa duket, Bansky ka ndryshuar mendim në lidhje me të drejtën e autorit. Pronësia intelektuale duket se tashmë përbën problem edhe për të, pasi kohët e fundit një gjykatë në Milano i dha të drejtë në lidhje me tregtimin e paautorizuar të punëve të tij.

Kopjimi i paautorizuar i punëve të Banksy-t nuk është gjë e re. Mjafton një shëtitje nëpër tregjet popullore të Londrës dhe një kërkim i shpejtë online për t’i gjetur punët e tij të riprodhuara deri në objektet më të çuditshme.

Megjithatë, asnjë ankesë në lidhje me këtë nuk kishte përfunduar ndonjëherë në gjykatë. Por në fund të vitit 2018, “Pest Control” mori masa kundër një kompanie italiane që organizoi ekspozitën “Arti i Banksy-t, një protestë vizuale”, në Milano. Ekspozita u hap nëntor 2018 dhe vazhdon deri në prill 2019.

Por në janar, një vendim i përkohshëm i gjykatës në Milano urdhëroi muzeun të ndalonte shitjen e mallrave, të cilat riprodhonin artin e Banksy-t. Ndërkohë që punimet e ekspozuara ishin origjinale ose printime autentike, organizatorët gjithashtu po shisnin produkte të tilla si fletore, ditare, kartolina, stilolapsa etj.

“Pest Control” imponoi të drejtat e markës tregtare mbi emrin e Banksy-t dhe punët e tij si “Vajza me tullumbace” dhe “Hedhësi i luleve”. Ai e bëri këtë për të ndaluar tregtimin e paautorizuar, si dhe përdorimin e imazheve të krijuara nga Banksy në materiale promovuese të prodhuara nga organizatorët e ekspozitës.

Duke u nisur nga ky rast, a duhet të presim tani më shumë veprime ligjore nga Banksy, në gjykatat anembanë botës? Nëse artisti, i cili deri tani i ka toleruar njerëzit që e kopjojnë dhe e shfrytëzojnë artin e tij, po ndryshon strategjinë, kjo nuk do të ishte gjë e keqe. Në fund të fundit, artistët kanë arsye të forta për të kërkuar mbrojtjen e pronësisë intelektuale, pavarësisht nëse prodhojnë vepra në studio ose e shpalosin artin e tyre në rrugë.

Sidoqoftë, ata vënë në artin e tyre punën dhe kreativitetin dhe ligji duhet t’i shpërblejë në përputhje me rrethanat. Dhe me të vërtetë, disa artistë të teknikës së grafiteve dhe artistë të tjerë të rrugës kanë luftuar kohët e fundit për të mbrojtur veprat e tyre, duke kërkuar t’u njihet e drejta e autorit.

The Conversation

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje